Të hënën, në cilësi të dëshmitares është dëgjuar ish-inspektorja e Komunës së Prishtinës Zyhrije Pllana, e cila ka thënë se në një takim që e kishte pasur me kryetari e atëhershëm të komunës, Isa Mustafa, kishte diskutuar rreth “Hysi Group”, derisa ky i fundit sipas saj, i kishte thënë se “mos u merr me këtë punë se merrem unë”. Ajo këtë deklaratë e ka dhënë në gjykimin ndaj katër ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës, Ismet Haliti, Mërgim Shala, Skender Canolli dhe Vehbi Abdullahu, të cilët po akuzohen për korrupsion.
Gjykata Supreme me 20 shtator të këtij viti, kishte aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësve të të akuzuarve Haliti, Canolli, Abdullahu dhe Shala, dhe çështjen e kishte kthyer në rigjykim dhe rivendosje vetëm sa i përket veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, dëshmitarja Pllana duke u përgjigjur pyetjeve të prokurores Florije Shamolli ka sqaruar se gjatë vitit 2010 në Komunën e ka punuar si inspektore, për 6 muaj deri sa ishte suspenduar nga kjo pozitë.
Ajo tha se ka inspektuar zonën në qendër, ku ka përfshirë Lakrishten, Dardaninë dhe pjesën e Qendrës dhe në këtë zonë kishte punuar së bashku me Blerina Sylën dhe Avdi Kadriun.
Tutje, tha se në këtë zonë ka qenë e përfshirë edhe objekti i “Hysi Group” dhe se së bashku Sylën dhe me Kadriun kanë dal për të parë gjendje në terren.
Dëshmitarja Pllana ka thënë se nuk është e sigurt mirëpo kur e kanë marrë këtë pjesë për të inspektuar, objekti i “Hysi Group” kishin qenë bodrumet e përfunduar dhe është pritur që etazhi i parë për të filluar.
Pas kësaj, në rastin “Hysi Group” ka thënë se çdo herë që kanë shkuar në vend punishte dhe kanë kërkuar dokumentacionet për inspektim nuk i kanë gjetur me arsyetimin që i ishte dhënë se janë në komunë.
Duke shtuar se gjatë punës në terren së bashku me Blerina Sylën kishin dyshuar në një vendim të njëjtën e kishin fotografuar dhe e kishin dorëzuar në Komunë.
Për këtë, e njëjta tha se e kanë njoftuar me shkrim shefin e inspekcionit dhe gjithë ekzekutivin e Komunës së Prishtinës, pas kësaj në bazë të vendimit të nxjerr për ndërprerjen e punimeve janë ndërprerë punimet, sipas saj në lejen e ndërtimit të “Hysi Group” ka pasur disa paragrafë që lejohet 22 etazhe ndërsa tek arsyetimi i lejes së ndërtimit ka shkruar se vlen vetëm për shitblerjen e banesave.
Sipas saj, arsyeja e dytë në këtë dokument ka qenë pasi që kishte qenë e nënshkruar vetëm nga ushtruesja e detyrës së Drejtorisë së Urbanizimit, Nazmie Tora dhe jo ashtu siç parashihet nga 3 persona, pra kanë munguar edhe nënshkrimet e kontrolluesit dhe arkitektit.
Ajo tha se pas këtij përkatësisht shkresës interne të bashkangjitur me lejen e ndërtimit të kompanisë ”Hysi Group” që u ishte drejtuar ekzekutivit në Komunën e Prishtinës ishte suspenduar nga puna dhe pastaj kishte kaluar në Drejtorinë e Investimeve Kapitale.
Ndërsa, në pyetjet e përfaqësuesit të Komunës së Prishtinës, avokatit Arbër Istrefi, se cila ka qenë arsyeja e suspendimit të saj, dëshmitarja ka deklaruar se arsyet e suspendimit kishte qenë që pasi që letra interne e dërguar komunës është publikuar në media, mirëpo që nga Komisioni Disiplinor ishte vërtetuar që nuk kishte qenë numri i protokollit të saj por ka qenë i zyrtarëve të tjerë.
E pyetur nëse shkak për suspendimin e saj ka mundur të jetë raporti që e kishte bërë në terren, dëshmitarja tha se ndoshta ka mundur te jete arsyeja.
Në anën tjetër duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësi të të akuzuarit Ismet Halit, avokatit Ramiz Krasniqi, dëshmitarja Pllana ka thënë se arsyeja që kishte pasur takim me kryetarin e Komunës së Prishtinës në atë periudhë Isa Mustafa kishte qenë letra interne, në mes të shkresës ka qenë edhe objekti “Hysi Group”.
Duke shtuar se nuk ka pasur arsye tjetër që të i bëjë shkresë kryetarit dhe se pjesë e diskutimit ka qenë leja e objekti “Hysi Group”.
Po ashtu, ajo tha sa i kujtohet ka shprehur pakënaqësi për lëndën i ishte tërhequr për 3-4 ditë nga shefi i inspekcionit Haliti, më pas është i takuar dhe me drejtoreshën e Urbanizimit dhe nënkryetarin, ku drejtoresha e ka parë lejen e ndërtimit dhe ka ngritur dyshimet se nuk është konform ligjeve pozitive.
Më pas, dëshmitarja tha se, marrëdhënia e punës i ishte ndërprerë pas takimit me kryetarin e Komunës së Prishtinës në atë periudhë Isa Mustafa.
E pyetur se a është e vërtetë që në deklaratën e dhënë më parë ku në pyetjet e avokatit Krasniqi kishte thënë se Isa Mustafa “i kishte thënë që kjo është punë e imja lidhur me objektin “Hysi”, ajo tha se nëse ka dhënë deklaratë është e saktë.
Dëshmitarja tha se pasi që ishte publikuar letra dhe nga komisioni ishte vërtetuar që të njëjtën nuk e kishte publikuar dhe pas kësaj ishte transferuar në Drejtorinë për Kapitale dhe ishte ngritur në gradë.
Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Abdullahu, avokatit Ali Beka, dëshmitarja tha se Drejtoria e Investimeve Kapitalit është e njëjta vetëm që atëherë e ka pasur emërimin Drejtoria e Infrastrukturës.
Ajo ka thënë se kryetari i komunës në atë periudhë kohore, Isa Mustafa në takim ku ishte diskutuar edhe rreth “Hysi Group” kishte thënë se “ mos u merr me këtë punë se merrem unë” kurse e njëjta tha se me siguri i ishte përgjigjur të njëjtit “Për qata i keni pranuar inspektorat në punë” dhe se inspektorat janë për të i ndërprerë dhe me i mbikëqyrë punimet.
Duke shtuar se në letrën interne kishte thënë se “Inspektorat po funksionojnë si kukulla”.
Ajo tha se në këtë letër interne ka përfshirë parregullsitë gjatë inspektimit në terren dhe që vendimet që merren nga inspektorat e komunës nuk zbatohen, në të cilën letër ka qenë e përfshirë edhe “Hysi Group”.
Dëshmitarja duke u përgjigjur pyetjeve të trupit gjykues tha se gjatë periudhës sa kishte qenë inspektore në Komunë nuk i kujtohet sa vendime janë marrë për rrënim mirëpo një rast për rrënim të një objekti, i cili ka qenë i një profesori në lagjen Arbëria.
E pyetur rreth ndërtimit të “Hysi Group”, e njëjta tha se në atë zonë ku ka qenë ky ndërtim fillimisht e kishin pasur kolegët paraprak, si dhe pas ardhjes së saj si inspektore në atë zonë kishte vazhduar me inspektim deri sa është suspenduar nga puna.
Ajo tha se veprimet që i kishte marrë gjatë inspektimit të ndërtimit të “Hysi Group”, kanë qenë procesverbalet e inspektimit, vendimi për ndërprerjen e punimeve, ndërsa nuk ishte e sigurt që e kishin nxjerr vendimin për rrënim.
Ajo ka thënë që dalin pas marrjes së vendimeve për ndërprerje të punimeve dalin në terren për të shikuar nëse të njëjtat zbatohen, ku në rastin “Hysi Group” , ka ndodhur që dy herë brenda ditës të dalin në terren por që ky vendim nuk është zbatuar.
Andaj, dëshmitarja Pllana tha se është dërguar letra interne për parregullsitë në terren, si rezultat i të cilës ishte bërë edhe takimi me ish-kryetarin e Komunës të Prishtinës, Isa Mustafën.
Ajo tha se pas takimit që e kishte pasur me ish kryetarin Mustafa i ishte larguar lënda e “Hysi Group”, nga shefi i inspektoratit Ismet Haliti por që e njëjta lëndë i ishte kthyer pas 3-4 ditëve.
Më pas, tha se pasi që është publikuar letra interne në media të nesërmen ishte suspenduar nga puna duke shtuar se për suspendimin e saj kishte kuptuar nga mediat.
Në kontestin e pyetjes së anëtares së trupit gjykues, mbrojtësi i të akuzuarit Mërgim Shala, avokati Valdrin Behrami e pyeti nëse është nxjerr ndonjë akt administrativ i veçantë në marrjen e asaj lënde apo në momentin e kthimit.
“Nuk besoj, nuk ka pasur ndonjë dokumentacion me sa e di unë”, tha ajo.
Në fund e njëjta ka sqaruar se në media është publikuar letra interne dhe leja e objektit të “Hysi Group”, pasi që ka leja e ndërtimit qenë e bashkangjitur letrës.
Po ashtu në këtë seancë janë dëgjuar edhe dëshmitarët Qefsere Lakna, Behram Gashi, Isuf Berisha dhe Kadri Batusha, të cilët deklaruan se mbetën pranë deklaratave të dhëna më parë lidhur me këtë rast.
Ndryshe, seanca ka e së hënës vazhduar me marrjen në pyetje të dëshmitares Lakna pasi që seanca e 3 mars të këtij viti, ishte ndërprerë për shkak se dëshmitarja nuk ishte pyetur nga mbrojtja, pasi të njëjti kanë kërkuar përjashtimin e prokurores Hajdari.
Ndërsa më 6 maj gjyqtarja Suzana Çerkini ka njoftuar mbrojtësve të të akuzuarve u është dërguar një njoftim përmes e-malit zyrtar lidhur me kërkesën e tyre për përjashtimin e prokurores së çështjes Drita Hajdari duke shtuar kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës më 24 mars 2022 ka nxjerrë vendim, me të cilin i është refuzuar e avokatëve mbrojtës të të akuzuarve, me arsyet e cekura si në vendim.
Dëshmitarja Lakna duke u përgjigjur pyetjeve të mbrojtësi i të akuzuarit Haliti, avokatit Krasniqi ka deklaruar se personalisht nuk i kujtohet i akuzuari Ismet Halit, por që kishte njohuri se ishin ankuar lidhur me ndërtesën afër, ndërsa në organet e reja nuk ishte ankuar.
E pyetur nga trupi gjykues për arsyet e ankesës së saj, dëshmitarja deklaroi se banesa afër e ndërtuar 7 kate përkatësisht pjesa e terasës është në oborrin e saj, po ashtu ka thënë se derisa ka filluar procesi i gjykimit nuk është ndërmarrë asnjë veprim nga ana e organeve përgjegjëse, duke theksuar se nuk ka pasur as vetura të inspektorit e jo më ndonjë veprim tjetër.
Lidhur me ankesë ajo ka thënë se ka shkuar disa herë në komunë por që inspektorët nuk i ka takuar, ndërsa nga me shkrim së paku dy herë ishte ankuar ndërsa në përgjigje të tyre i është thënë se do të pezullohet puna.
Dëshmitarja Lakna deklaroi se së bashku me hetuesit kanë shkuar në vend të ngjarjes dhe të njëjtit i kishin thënë që kishte të drejtë me arsyetimin se në projekt të ndërtimit- terasat kanë qenë ndërtuar nga rruga kryesore, megjithatë janë ndërtuar në oborrin e shtëpisë së saj.
Në fund tha se nga këto terasa i është shkelur e drejta të dal në oborr dhe privatësia duke shtuar se në rastin konkret janë shumë të dëmtuar.
Më pas, dëshmitari Behram Gashi duke u përgjigjur pyetjeve të prokurores Shamolli deklaruar se me kompaninë “Dardania”, NPN me komunën e Prishtinës me qëllim të rrënimeve të objekteve pa leje.
Ai tha se kërkesat janë bërë nga zyrtarët e Komunës së Prishtinës dhe se këtyre kërkesave i janë përgjigjur si kompani kontraktuese po ashtu tha se edhe në vend të ngjarjes kanë qenë me persona të cilët kanë qenë të Komunës, mirëpo që pozitën që kanë pasur të njëjtit nuk e di.
Mirëpo i njëjti ka bërë me shenjë nga të akuzuarit dhe duke i identifikuar me emra të njëjtit mirëpo nuk kishte dijeni se çfarë pozite kanë qenë.
Sipas tij, në kontratë çka është kërkua nga zyrtarët komunal e kanë realizuar, fillimisht çka duhet të rrënohet dhe më pas çfarë mjete duhet të jenë duke shtuar se ka pasur raste deri 2-3 herë në javë kanë bërë rrënime ashtu siç i është kërkuar.
Më pas i pyetur se gjatë rrënimit ka qenë inspektori Ismet Haliti, dëshmitari Gashi tha se ndoshta edhe ka qenë mirëpo që qëllimi ka qenë që të kryhet puna.
Dëshmitari Gashi ka deklaruar se nuk i kujtohet nëse ka pasur kërkesë nga inspektorati me u rrënua objekti “Hysi Group”, me arsyetimin se nuk janë marrë tek cili person.
Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Abdullahu, avokatit Ali Beka, dëshmitari Gashi tha se gjatë punës së tyre në terren si kompani “Dardania” ka pasur rast kur i është kallur makineria, në rastin tjetër i është thyer nga pronarët, si dhe në një rast i ishte rrahur edhe punëtori.
Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet e trupit gjykues, dëshmitari deklaroi se fillimisht ndërmjet telefonit më pas tha se sa më kujtohet me letër ka mundur të ndodhë , të i jepet udhëzimet rreth rrënimit, përkatësisht vendi se ku duhet të rrënohet dhe sa ora duhet të filloj duke theksuar se nuk e di se nga kush e ka pranuar letrën.
Ai ka thënë se për punën e tyre kanë bërë raport nga kompania “Dardania”, përfshirë punën se çfarë është punuar dhe ia ka dorëzuar në mënyrë fizike personit i cili ka qenë në terren.
Po ashtu ai tha se e din ku ndodhet objekti “Hysi Group”, mirëpo nuk e di nëse e kanë nëse më kanë thirre konkretisht për ta rrënuar objektin mirëpo një gjë e tillë mund të vërtetohet bazë “Hysi Group” dokumentacionit.
Më pas, dëshmitari Isuf Berisha duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Florije Shamolli ka deklaruar se ai ka qenë investitor me kompaninë “Burimi Comerc”, ndërsa “Standard Plus” e ka ndërtuar objektin afër “Chelsea Point”.
Ai tha se për leje ndërtimi kishte aplikuar dhe se njëjta i ishte vonuar 2-3 muaj ndërsa gjatë kësaj periudhe kishin punuar pa leje deri në katin e dytë dhe pas kësaj i ishte ndërprerë puna nga komuna dhe i ishte thënë se duhen të pajisen me leje për ndërtim dhe e njëjta është obligative.
Pas kësaj tha se pasi ishte pajisur me leje ndërtimet kishin vazhduar, mirëpo që kishte pasur pengesa nga fqinjët.
Ai tha se nuk i ishin përmbajtur lejes së ndërtimit vetëm në pjesën e ballkonit, pjesa tjetër i ishin përmbajtur duke shtuar se në rastin e ndërtimi i janë afruar 1,5 metra fqinjës edhe pse ishin pajisur me leje ndërtimore për 3 metra nga Urbanizmi.
Për të cilin tha se kanë ardhur inspektoret mirëpo që ai nuk kishte qenë aty personalisht por që me këtë punë ishte marrë punëtori – tekniku i kompanisë së tij.
Duke u përgjigjur në pyetjet e përfaqësuesit të komunës, avokatit Arbër Istrefi , dëshmitari tha se për pjesën e tejkaluar ka aplikuar për legalizim para 3 vite dhe se këtë ende nuk ka marrë një përgjigje.
Ndërsa në pyetjet e trupit gjykues, dëshmitari Berisha tha se një gjobë e kishte pasur për shkak tejkalimit të lejes së ndërtimit, të cilën e kishte paguar përmes bankës.
Kadri Batusha, dëshmitari i fundit për këtë seancë duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurores Shamolli deklaroi se gjatë vitit 2012, ka pasur kompaninë ndërtimore “Batusha”.
Ai tha se ka ndërtuar pas shkollës normale dhe se kishte punuar me projekt por që nuk ka pasur leje ndërtimi duke shtuar se për atë lagje ende nuk është dhënë leje ndërtimi.
Ai tha se pasi që kishte ardhur kryetari i komunës në atë periudhë kohore Isa Mustafa i kishin rrënuar një pjesë të ndërtimit të tij përkatësisht “2-3 shtylla” .
Ai tha se kanë ardhur inspektorët dhe se i kishin bërë vërejtje dhe se i kishin vendosur shiritat e ndalimit të punimeve tek ndërtimi i tij, nuk i kishte pyetur inspektorat po ashtu i kishte larguar shiritat duke vazhduar punën, me arsyetimin se u kishte marrë borxh për ndërtim.
Pas dëgjimit të dëshmitarëve, seanca e sotme ka përfunduar ndërsa për seancën e radhës gjykatësja Çerkini ka njoftuar se palët do të njoftohen me ftesa të rregullta.
Ndryshe, në seancën e 15 dhjetorit 2021, prokurorja Hajdari e ka ndryshuar aktakuzën, ku në pikën e parë të aktakuzës, të akuzuarit Haliti dhe Canolli akuzohen për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, të kryer në formën e bashkëpunimit- bashkëkryerjes në vazhdimësi siç tha ajo.
Në pikën e dytë të aktakuzës së ndryshuar, që ka të bëjë me objektin “Dodona”, sipas prokurores Hajdari, i pandehuri Abdullahu akuzohet se në bashkëkryerje me të pandehurit Haliti dhe Canolli kanë kryer në formën e bashkëpunimit- bashkëkryerjes veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, lidhur me nenin 31.
Në pikën tre të aktakuzës së ndryshuar, prokurorja Hajdari tha se kjo pikë ka bëjë me të pandehurit Haliti, Canolli dhe Abdullahu me objektin në lagjen “Ilirida”, rruga “Xheladin Kurbaliu”, e që në aktakuzën bazë ishte në pikën 1.10, ku sipas aktakuzës së ndryshuar, prokuroja tha se të pandehurit e lartcekur akuzohen se në formën e bashkëpunimit-bashkëkryerjes kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Kosovës.
Ne pikën katër dhe pesë të aktakuzës së ndryshuar, të cilat pika sipas prokurores Hajdari kanë të bëjnë me objektin nga investitori “Ramiz Sadiku” dhe “Simon Invest”, i akuzarit Haliti akuzohet për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 të Kodit Penal.
Ndërsa, krejt në fund të pikave të dispozitivit të kësaj aktakuze të ndryshuar, konkretisht në pikën gjashtë, i pandehuri Shala akuzohet për veprën penale e cila ishte në pikën 1.4 në aktakuzën bazë, për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 të Kodit Penal.
Ndryshe, sipas aktakuzës së parë, Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi, akuzohen se në pozitën e inspektorëve të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, gjatë periudhës kohore 2010 – 2014, nuk i kishin përmbushur detyrat zyrtare sipas ligjit.
Dy nga të akuzuarit në këtë rast, Ismet Haliti dhe Skender Canolli ngarkoheshin edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, kurse për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve akuzohej edhe biznesmeni Qemajl Pozhegu.
Fillimisht, në gjykimin e parë, Gjykata Themelore në Prishtinë më 20 prill 2018, të akuzuarin Haliti e kishte dënuar me 3 vjet e 6 muaj burgim, për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe me 1 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje, duke iu konfiskuar edhe vetura dhe para në shumën prej 11 mijë euro si dhe një pistoletë.
Skënder Canolli për keqpërdorim të pozitës zyrtare ishte dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim si dhe me 1 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje. Atij i ishte konfiskuar makina e tipit “Passat” dhe 10 mijë franga zvicerane.
Inspektorja Blerina Syla ishte dënuar me 2 vjet burgim për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Vehbi Abdullahu, gjithashtu me 2 vjet burgim, Blerim Ibishi me 2 vjet, Mergim Shala, me 2 vjet dhe gjithashtu i ishte konfiskuar banesa në lagjen “Kalabria”, derisa Drita Rukiqi ishte dënuar me 1 vit e 6 muaj, Arbenita Ajeti 1 vit e 6 muaj, Ardian Muhadri me 1 vit burgim dhe Granit Cenaj 1 vit burgim.
Kurse, afaristi Qemajl Pozhegu, ishte dënuar me 20 mijë euro gjobë për falsifikim të dokumenteve.
Të pakënaqur me aktgjykimin e shkallës së parë, avokatët mbrojtës të të gjithë të akuzuarve ishin ankuar në Apel për aktgjykimin e Themelores nën pretendimet se ka shkelje esenciale të dispozitave procedurale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike, shkelje të ligjit penal si dhe në lidhje me vendimin për sanksionin penal.
Duke aprovuar ankesat e mbrojtësve, në dhjetor të vitit 2018, Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin e Themelores dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.
Gjykata Themelore e Prishtinës më 10 nëntor 2020, të akuzuarin Ismet Haliti për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtare”, e kishte dënuar me dy vite burgim, ndërsa për armëmbajtje pa leje i kishte shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 1 mijë euro.
Për keqpërdorim detyre, i akuzuari Skender Canolli ishte dënuar me 1 vit burgim, ndërsa për armëmbajtje pa leje, ishte dënuar me gjobë në shumë prej 1 mijë euro.
Të akuzuarit Syla, Abdullahu dhe Ibishi ishin dënuar me 6 muaj burgim, i cili dënim me pëlqimin e tyre mund t’iu shndërrohej në dënim me gjobë në shumë prej 12 mijë euro.
Me 6 muaj burgim ishin dënuar edhe të akuzuarit Ajeti, Shala dhe Rukiqi, por me pëlqimin e tyre ky dënim do t’iu zëvendësohej me gjobë në shumë prej 10 mijë euro.
Po ashtu, me gjashtë 6 muaj burgim ishin dënuar edhe të akuzuarit Muhadri dhe Cenaj, por me pëlqimin e tyre, ky dënim do t’iu zëvendësohej me gjobë në shumë prej 8 mijë euro.
Kurse, për veprën penale “falsifikim i dokumenteve”, i akuzuari Pozhegu është dënuar me 18 mijë euro gjobë.
Tutje, të akuzuarve Haliti, Canolli dhe Shala iu ishin konfiskuar pasuritë e fituara me kryerjen e veprave penale.
Të pakënaqur me dënimet e shqiptuara ankesë kishin ushtruar në Gjykatën e Apelit, edhe të akuzuarit përmes mbrojtësve të tyre, duke kërkuar për të dytën herë pafajësinë.
Më 19 gusht 2021, Gjykata e Apelit e ka vërtetuar dënimin e shkallës së parë me 3 vite burgim dhe 42 mijë euro gjobë ndaj katër ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës të akuzuar për korrupsion si dhe ndaj pronarit të kompanisë “Pozhegu Brothers”, Qemajl Pozhegu. Ndërsa, në mungesë të provave i ka lënë të lirë gjashtë inspektorë tjerë të akuzuar se nuk kishin ndalur ndërtimet pa leje prej vitit 2010 deri më 2014 ndaj tetë ndërtuesve në kryeqytet.
Kundër vendimit të Apelit, mbrojtësit e të akuzuarve Haliti, Canolli, Abdullahu dhe Shala kishin paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, ku kjo e fundit i ka aprovuar këto kërkesa dhe çështjen e ka kthyer ne rigjykim dhe rivendosje në shkallë të parë vetëm për veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.
Ndërsa, kjo gjykatë kishte refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga mbrojtësi i të akuzuarit Qemajl Pozhegu.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), kishte ngritur aktakuzë më 12 qershor të vitit 2015 me pretendimin se të pandehurit Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi, në pozitën e inspektorëve të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, gjatë periudhës kohore 2010 – 2014, nuk i kishin përmbushur detyrat zyrtare sipas ligjit.
Dy nga të akuzuarit në këtë rast, Ismet Haliti dhe Skender Canolli ngarkoheshin edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, kurse për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve po akuzohej edhe biznesmeni Qemajl Pozhegu.
10 ish-inspektorët thuhet se nuk i kanë parandaluar ndërtimet kundërligjore ndaj objekteve të investitorëve Isen Sadiku nga kompania ”Hysi Group”, Ymer Veliu ”Naki Trade”, Arbër Kryeziu ”Al Petrol”, Bedri Prishtina, “Tregtia”, Shefik Rexhepi “Euro Abi”, Azem Rusinovci ”Reforma”, Bejtush Gashi ”VG Construction” dhe Fisnik Morina nga kompania “ART Group”.
Tutje, të akuzuarit thuhet se nuk i kanë ekzekutuar vendimet e Inspektoratit për rrënimin e këtyre objekteve.
Ndërkaq, në këtë rast i pandehuri Qemajl Pozhegu, pronar i kompanisë “Pozhegu Brothers”, akuzohej për falsifikim të dokumenteve, pasi që i njëjti, pretendohet se ka ndryshuar lejen e ndërtimit me qëllim të shfrytëzimit të tij si dokument origjinal. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.