-2.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Buy now

spot_img

Tahiri: Gjatë 2017’ës dialogu do të kalojë në fazën përmbyllëse

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, edhe gjatë vitit 2016 ishte një nga temat që ka dominuar skenën politike.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, konsiderojnë se pavarësisht disa pengesave dhe vështirësive, dialogu ka dhënë rezultate.

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri thotë se në kuadër të vizionit euroatlantik për shtetin e Kosovës dhe të politikave të fqinjësisë së mirë, si njëri prej kushteve themelore për integrimin evropian dhe euroatlantik, Kosova ka vazhduar angazhimet në dialogun ndërshtetëror me Serbinë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetur nga SHBA-ja.

Ajo thotë se marrëveshjet e Brukselit dhe zbatimi i tyre kanë bërë të mundur vendosjen e kufirit ndërshtetëror me Serbinë, zhbërjen e strukturave paralele serbe në veri të Kosovës si dhe, siç thotë Tahiri, ka ndikuar në rritjen e integrimit të pjesëtarëve të komunitetit serb në sistemin shtetëror të Kosovës.

Si rezultat i dialogut të Brukselit, Tahiri pos tjerash përmend kodin telefonik që Kosova ka fituar në fund të vitit 2016.

“Kosova është bërë me kodin shtetëror telefonik 383 të cilën ia ndau ITU-ja me aplikimin e Austrisë. Ne e konsiderojmë si një të arritur madhore, madje edhe historike, sepse për herë të parë shteti ynë është bërë më kodin e vet telefonik”, tha Tahiri për Radion Evropa e Lirë.

Ministrja ka thënë se si rezultat i dialogut të Brukselit dhe i plotësimit të standardeve të kërkuara evropiane, Kosova nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA) me BE-në vitin 2016 dhe ka nisur dialogun zyrtar me BE-në për reformat evropiane që lidhen me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA).

“Kjo çështje ka rëndësi të madhe sepse Kosova edhe zyrtarisht është në procesin e integrimit evropian”, tha ajo.

Tahiri rikujton po ashtu se gjatë viti që lamë pas ishte arritur edhe marrëveshja për reciprocitet në tabelat e automjeteve si dhe ajo njohjen e certifikatave për mallra të rrezikshme.

Dialogu gjatë vitit 2016, sipas Tahirit, ndihmoi që pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës ta mbështesin Kosovën në proceset integruese euroatlantike.

“Ato kanë mbështetur MSA-në për Kosovën, kanë mbështetur lidhjet zyrtare të Kosovës me NATO-n, si dhe mbështetën edhe kodin telefonik shtetëror për Kosovën”, theksoi Tahiri duke shtuar se Kosova gjatë këtij 2016 ka arritur të bëhet anëtare me të drejta të plota në disa organizata ndërkombëtare.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, ka mirëpritur përparimin në dialogun Kosovë-Serbi, edhe gjatë vitit 2016. Ajo ka përshëndetur sidomos marrëveshjen për Telekomunikacionin.

“Dialogu është mënyra me të cilën i afrohemi procesit të normalizimit”, ka thënë Mogherini.

Kurse, analistët politikë vlerësojnë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 2016 ka qenë mjaftë problematik.

Imer Mushkolaj, analist i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se të dy palët më shumë janë marrë me arritjen e marrëveshjeve për zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese, sesa që kanë arritur ujdi të tjera në të mirë të qytetarëve.

“Këtë vit të dialogut e ka shënuar marrëveshja për telekomunikacionin. Mbetet të shihet si do të zbatohet në praktikë ajo dhe a është e dëmshme për vendin, siç po pretendojnë ekspertë të fushës. Por, ende ka ngecje në marrëveshjen për lëvizje të lirë ndërmjet dy shteteve dhe në atë për njohjen e diplomave. Çështja e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe është temë më vete, ndërkaq ajo e urës së Mitrovicës, pas ndërtimit të murit, po kthehet në çështje të ndjeshme dhe problematike”, tha Mushkolaj.

Analisti Mushkolaj thotë së në viti 2017, përfaqësuesit e institucioneve duhet të mendojnë në ndryshimin e formatit të dialogut me Serbinë.

“Duke pasur parasysh se Beogradi në të shumtën e rasteve pengon zbatimin e marrëveshjeve dhe, ndryshe nga ideja për normalizim marrëdhëniesh, saboton shtetin e Kosovës, Prishtina duhet të mendojë ndryshimin e kursit, respektivisht modifikimin e dialogut. Po ashtu, Prishtina duhet të vendos reciprocitet në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve”, tha Mushkolaj.

Në Qeverinë e Kosovës mendojnë se dialogu i Brukselit duhet të përfundoj me njohjen reciproke mes dyja shteteve, Kosovës dhe Serbisë, para pranimit të tyre në Bashkimin Evropian.

Tahiri tha për Radion Evropa e Lirë se në vitin 2017, dialogu do të ketë dy drejtime; një, zbatimi i marrëveshjeve të pazbatuara dhe drejtimi i dytë, siç thotë ajo, ‘dialogu do të kalojë në fazën përmbyllëse’.

“Temat e tjera do të jenë njohja reciproke mes dy shteteve, demarkacioni i kufirit mes dy shteteve, kompensimi i dëmeve të luftës, reparacionit. Ndër temat e tjera do të jetë edhe çështja e të zhdukurve, kthimi i pensioneve, dëmshpërblime për luftën dhe gjenocidin që Serbia ka bërë në Kosovës e të tjera”, tha Tahiri.

Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, sipas Bashkimit Evropian, ka si qëllim normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe integrimin e komunitetit serb në kuadër të sistemit ligjor të Kosovës. Ndërkaq, zbatimi i marrëveshjeve dhe obligimeve nga ky dialog, Kosovës dhe Serbisë, u është vënë si kusht në rrugën e tyre drejt integrimeve evropiane.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img