-2.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Buy now

spot_img

Hamza: Rritja ekonomike deri në 4%

Sistemi bankar ka përfunduar mirë gjatë vitit që e lamë pas, këtë e dëshmon edhe niveli i kredive të këqija, prej 4.8 për qind.

 Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza në një intervistë për telegrafin ka thënë se rritja ekonomike për vitin 2016 është 3.6 për qind, ndërsa rritja ekonomike sipas tij, për vitin 2017 do të shkojë deri në 4 për qind. “Norma reale e rritjes ekonomike në vitin 2016 pritet të jetë rreth 3.6 për qind, ndërsa për vitin 2017 norma reale e rritjes parashihet të jetë rreth intervalit 3.8 deri 4 për qind”, ka thënë Guvernatori Hamza.

Telegrafi: Si ka performuar sistemi bankar në vend gjatë këtij vitit?

Hamza: Performanca e sistemit bankar të Kosovës gjatë vitit 2016 ka qenë shumë e mirë në të gjitha aspektet e funksionimit të tij. Aktiviteti kredidhënës i sektorit bankar është rritur me ritëm të përshpejtuar, duke shërbyer kështu si një financues shumë i rëndësishëm i rritjes së ekonomisë së vendit. Norma vjetore e rritjes së kredive bankare në fund të vitit 2016 arriti në afër 10 për qind, që paraqet normën më të lartë të rritjes në pesë vitet e fundit. Niveli i lartë i besimit të publikut në sistemin bankar, i ndërtuar mbi bazën e funksionimit të shëndoshë të këtij sistemi ndër vite, ka pasur rol kyç në rritjen e qëndrueshme të depozitave edhe gjatë vitit 2016. Rritja e aktivitetit kredidhënës është shoqëruar me një zvogëlim të konsiderueshëm të normave të interesit në kredi, si dhe me lehtësim të kushteve tjera për huamarrësit, duke bërë kështu që qasja në financimin bankar të bëhet më e lehtë dhe me kosto më të ulët. Norma mesatare e interesit në kredi në nëntor të vitit 2016 ishte 7.3 për qind, që paraqet një nivel të përafërt me mesataren e normave të interesit në vendet e tjera të rajonit tonë. Treguesit e stabilitetit financiar treguan një gjendje shumë të shëndoshë të sistemit bankar edhe gjatë vitit 2016. Rëndësi të veçantë kishte përmirësimi i mëtutjeshëm i cilësisë së portofolit kreditor, ku norma e kredive joperformuese zbriti në rreth 5 për qind, që paraqet nivelin më të ulët të shënuar në gjashtë vitet e fundit në Kosovë dhe normën dukshëm më të ulëtën në të gjithë rajonin. Gjatë vitit 2016, sistemi bankar vazhdoi të avancojë me modernizimin e shërbimeve bankare, duke rritur kështu ofertën e produkteve bankare digjitale me çka po i kontribuohet rritjes së efikasitetit si të vetë bankave ashtu edhe të shfrytëzuesve të shërbimeve bankare.

Telegrafi: Niveli i kredive prej 2.2 miliardë eurove tregon stabilitetin e sistemit bankar apo mungesën e parave tek individët dhe bizneset për të bërë financime dhe investime të nevojshme?

Hamza: Rritja e qëndrueshme e kreditimit bankar në Kosovë, në njërën anë, paraqet edhe një tjetër tregues të rëndësishëm të nivelit të lartë të stabilitetit që ka ky sektor dhe, në anën tjetër, flet për zhvillimin e vazhdueshëm të ekonomisë së vendit ku qytetarët dhe bizneset kërkojnë kredi bankare për të financuar projektet e tyre. Kredia bankare nuk është produkt që i jepet atyre që kanë “mungesë” të parave, sepse në këtë mënyrë do të rrezikohej qëndrueshmëria e vetë bankës, por i jepet atyre që kanë qëllime të arsyeshme për të marrë kredi dhe që kanë potencial të mjaftueshëm financiar për të rikthyer kredinë së bashku me pagesën e interesit mbi atë kredi. Prandaj, rritja e kreditimit tregon se në Kosovë po shtohet masa e qytetarëve dhe bizneseve që kanë projekte të arsyeshme dhe që kanë besimin e bankave mbi aftësinë e tyre për të ripaguar kredinë.

Telegrafi: Sa është niveli i kredive të këqija?

Hamza: Norma e kredive joperformuese në Kosovë aktualisht ka zbritur në nivelin prej 4.8 për qind, që paraqet normën më të ulët të regjistruar në Kosovë në gjashtë vitet e fundit dhe njëherit paraqet normën dukshëm më të ulëtën në të gjithë rajonin. Norma e ulët e kredive joperformuese reflekton praktikat e shëndosha të zhvillimit të afarizmit nga ana e bankave, rregullimin dhe mbikëqyrjen e kujdesshme nga ana e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe ambientin stabil makroekonomik i cili nuk ka shkaktuar ndonjë tronditje mbi aftësinë paguese të huamarrësve. Rënia më e theksuar e këtij treguesi në periudhën e fundit në masë të rëndësishme i atribuohet edhe lehtësimit të zbatimit të kontratave për bankat, gjë e cila ka ndikuar në rikuperimin e një pjese të kredive që kanë qenë në vonesë si dhe e ka rritur edhe më tutje shkallën e disiplinës së huamarrësve për ripagimin e kredive.

 Telegrafi: Normat e interesit të kredive mbetën ende të larta edhe pse tashmë janë njëshifrore, a mund të presim ende ulje gjatë vitit 2017?

Hamza: Normat e interesit në kredi kanë shënuar rënie të theksuar në vitet e fundit, duke paraqitur kështu një faktor shumë të rëndësishëm lehtësues për qasje në financim bankar si për individët ashtu edhe për bizneset. Krahasuar me pesë vite më parë, normat e interesit në kredi janë përgjysmuar, duke zbritur kështu në nivelin e mesatares së vendeve të rajonit. Në nëntor të vitit 2016, norma mesatare e interesit për kredi bankare në Kosovë ishte 7.3 për qind. Zhvillimet në normat e interesit varen nga faktorë të shumtë, të cilët mund të jenë të lidhur me zhvillimet specifike brenda bankave si dhe me ambientin e përgjithshëm ku sistemi bankar e zhvillon aktivitetin e tij. Në këtë kontekst, rritja e mëtejme e efikasitetit operacional të bankave së bashku me përmirësimin e mëtejmë të ambientit të përgjithshëm afarist në Kosovë sigurisht se mund të çojnë drejtë rënies së normave të interesit edhe në të ardhmen.

Telegrafi: A ka aplikacione për hyrjen bankave të reja në tregun bankarë kosovarë?

Hamza: Aktualisht nuk kemi ndonjë aplikacion për licencë nga ndonjë bankë e re, por BQK-ja mbetet e hapur për të trajtuar çdo aplikacion të ri dhe për t’i dhënë licencë bankave që i plotësojnë kërkesat e parapara për procesin e licencimit. BQK-ja mbetet e përkushtuar të mbështesë zhvillimin e sistemit bankar dhe rritjen e konkurrencës, ndërmjet bankave dhe parakusht themelor për arritjen e këtyre qëllimeve është zbatimi i përpiktë i kritereve të licencimit të shëndoshë të bankave të reja. Kjo na mundëson që në sistemin tonë bankar të lejojmë hyrjen e vetëm atyre bankave që mund t’i kontribuojnë zhvillimit të mëtejmë dhe ruajtjes së stabilitetit të sistemit financiar të Kosovës.

Telegrafi: Pse nuk po mund tu bëjnë konkurrencë bankat që janë futur së fundi në treg, bankave më të vjetra?

 Hamza: Konkurrenca në tregun bankar të Kosovës ka shënuar rritje të vazhdueshme. Efektet e rritjes së konkurrencës vërehen në shumë aspekte të operimit të bankave, ku mund të veçojmë përshpejtimin e rritjes së kreditimit, zvogëlimin e normave të interesit në kredi dhe lehtësimin e kushteve tjera kreditore, zhvillimin e produkteve të reja bankare, si dhe zgjerimin e rrjetit të infrastrukturës bankare.

Telegrafi: Sa do të jetë rritja ekonomike sipas parashikimeve të BQK-së?

Hamza: Sipas parashikimeve të BQK-së, norma reale e rritjes ekonomike në vitin 2016 pritet të jetë rreth 3.6 për qind, ndërsa për vitin 2017 norma reale e rritjes parashihet të jetë rreth intervalit 3.8 deri 4 për qind.

Telegrafi: Borxhi i Kosovës ka shkuar në 840 milionë euro, a e rrezikon kjo stabilitetin financiar të vendit?

 Hamza: Kosova ka një nivel mjaft të ulët të borxhit publik, i cili në raport me BPV-në qëndron në 14 për qind. Si i tillë, borxhi publik aktualisht nuk paraqet ndonjë rrezik për stabilitetin financiar dhe reflekton qëndrueshmëri të financave publike në vend. Sidoqoftë, duhet pasur kujdes me ritmin me të cilin do të rritet borxhi publik në të ardhmen dhe të sigurohemi se borxhi publik të përdoret vetëm për financimin e investimeve kapitale që kanë arsyeshmëri të lartë, benefitet e të cilave për zhvillimin ekonomik të vendit tejkalojnë kostot që duhet paguar për shfrytëzimin e atij borxhi.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img