2.9 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Buy now

spot_img

Kosova qe 2 vjet s’paguan për lobim në SHBA, a ndikoi kjo në agjendën e Kryeministrit Kurti?

Ka dy vjet që Kosova s’e ka angazhuar ndonjë kompani amerikane për lobim. Ndërsa akuzohet nga kundërshtarët se po i cenon marrëdhëniet me SHBA-në, kryeministri Albin Kurti është i bindur se ato nuk mirëmbahen me gypa dhe në format siç i përshkruajnë të tjerët. Së fundmi, ai shkoi të lbonte vetë në Amerikë, ku qëndroi gati 20 ditë.

Kanë kaluar dy vjet prej kur ka skaduar kontrata e fundit që Kosova e ka pasur me ndonjë kompani amerikane të konsulencës për lobim. Kjo kontatë që u lidh më 11 korrik 2019, ka skaduar më 31 maj të vitit 2020.

Behgjet Pacolli ishte ministër i Punëve të Jashtme kur Kosova për herë të fundit angazhoi një kompani amerikane për lobim, sipas të dhënave të publikuara nga Akti i Regjistrimit të Agjentëve të Jashtëm (FARA). Siç përshkruhet në këtë organ të Departamentit amerikan të Drejtësisë, në kontratë parashiheshin “kontakte me zyrtarë të qeverisë amerikane në degë Ekzekutive dhe Legjislative në emër të Republikës së Kosovës”. Po ashtu, kontrata parashihte që kompania e kontraktuar të vinte kontakte me subjekte afariste në SHBA për të komunikuar në emër të tyre me Qeverinë e Kosovës.

Për këtë lobim ishin paguar 90,000 dollarë.

Që prej para luftës, Kosova ka angazhuar kompani ndërkombëtare të konsulencës për të lobuar te shtetet e fuqishme. Në bazë të dokumenteve zyrtare, rezulton se Kosova paguan me miliona euro kompani lobuese që nga viti 1992. Atë kohë përgjegjëse për lobim ishte kompania “Ruder Finn”. Ajo kishte për detyrë të angazhohej në zbatimin e strategjisë dhe taktikave për komunikim me Qeverinë amerikane, mediat, me Kombet e Bashkuara si dhe diplomatët ndërkombëtarë. Vlera e kontratës atë kohë ishte 5 mijë dollarë në muaj.

Jo shumë vjet më parë, ish-presidenti Hashim Thaçi e kishte angazhuar një nga lobuesit më të njohur në Washington, Brian Ballard, i cili u pagua rreth 1.2 milion dollarë për shërbimin.

Kjo kompani, sipas Presidencës, do të mbështesë nismat e Kosovës në lidhje me ballafaqimin me të kaluarën, do të ndihmonin në krijimin e një dinamike të re në procesin e pajtimit, por edhe në proceset tjera siç është modernizimi dhe transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Për Kosovën ishte angazhuar të lobojë edhe Tony Podesta, vëllai i John Podestas, ish-shef i stafit në administratën e presidentit amerikan Bill Clinton, e më vonë shef i kompanisë së Hilary Clintonit. Kosova e kishte paguar “Podesta Group” rreth 50 mijë euro në muaj për lobim.

Para Pacollit, kur Enver Hoxhaj ishte ministër i Jashtëm në vitin 2017, Kosova e kishte angazhuar një kompani për këshillime strategjike në lidhje me raportet e Kosovës me Administratën Amerikane dhe Kongresin. Bëhej fjalë për kompaninë e avokaturës “Alston & Bird LLP” . Për këto shërbime, Kosova kishte paguar 780 mijë dollarë.

Në emër të kësaj kompanie, marrëveshjen që kishte zgjatur një vit, e kishte nënshkruar miku i Kosovës, Bob Dole, senatori i cili shërbeu për dekada të tëra në Kongresin amerikan dhe vdiq në dhjetor të vitit të kaluar.

Të njëjtën kompani e kishte kontraktuar në vitin 2013 ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova. Ajo marrëveshje vlente 360 mijë dollarë.

Në disa raste, për Kosovën në SHBA ka lobuar edhe kompania “Patton Boggs”.

Kurti kritikohet për qasjen ndaj SHBA-së

Që kur erdhi në pushtet për herë të parë, kryeministri Albin Kurti është akuzuar se po i cenon marrëdhëniet me SHBA-në. Kundërshtarët politikë madje nuk hezituan ta quanin anti-amerikan, kur ai kundërshtonte qëndrimet e administratës amerikane dhe të dërguarit të SHBA-së.

Kurti targetohet për refuzimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, bllokimin me automatizëm të ideve dhe projekteve me peshë gjeostrategjike si dhe për refuzimin jo të rrallë të kërkesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Qeverinë.

Zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, zbatimi i Marrëveshjes së Washingtonit për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, projekti për Gazsjellësin Trans-Adriatik, si dhe mundësimi i organizimit të votimit për qytetarët serbë të Kosovës në referendumin dhe zgjedhjet e Serbisë, janë në mesin e marrëveshjeve, sugjerimeve dhe ideve, që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë rekomanduar Qeverisë së Kosovës që t’i zbatojë, dhe për të cilat ka pasur refuzim.

Në tetor të vitit 2021, kur ish-kryeministri Ramush Haradinaj e quante gabim strategjik mospërfshirjen në ndërtimin e gazsjellësit të propozuar nga amerikanët, kryeministri Albin Kurti i përgjigjej kështu:.

“Nuk ndreqet aleanca me Amerikën me do gypa. Kjo është cektësia dhe shkurtpamësia e juaj”.

Së fundmi, Kurti qëndroi 18 ditë në SHBA, ku tha se u takua me senatorë e kongresistë. Takimi më i rëndësishëm ishte me Jake Sullivan, këshilltarin për Siguri Kombëtare të presidentit amerikan, Joe Biden.

Në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje të dielën, Kurti tha para bashkëpartiakëve se ka pasur takime përmbajtësore e të frytshme në SHBA, ndërsa paralajmëroi investime në Kosovë.

“Në Kosovë do të shtohen edhe investimet, edhe siguria”, tha kryeministri.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img