ZRRE, më datë 18 maj 2022, nga Gjykata e Apelit, ka pranuar Aktvendimin me të cilin, Gjykata ka refuzuar ankesën e ZRRE-së dhe ka vërtetuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për tarifat me pakicë të energjisë elektrike, të aprovuar nga ZRRE, derisa Gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor, përkitazi me padinë e paditëses.
Bordi i ZRRE-së, në një mbledhje te jashtëzakonshme, të premten më datë 20 maj 2022, mori vendim që të zbatojë Aktvendimin e Gjykatës, duke shtyrë ekzekutimin e vendimit për tarifat me pakicë të energjisë elektrike. Vendimi është publikuar në faqen zyrtare të ZRRE-së, si dhe i njëjti i është dërguar operatorëve të rregulluar në sektorin e energjisë.
Pas pranimit të Vendimit, Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU) me energji elektrike ka kërkuar udhëzime nga ZRRE lidhur me mënyrën e zbatimit të vendimit të ZRRE-së, i cili ka rrjedh nga Aktvendimi i Gjykatës së Apelit. KOSTT, po ashtu përmes një reagimi publik, është shprehur se situata e krijuar pas Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, rrezikon sigurinë e furnizimit me energji elektrike si dhe marrëveshjen e kyçjes me ENTSO-E.
Duke qenë se Aktvendimet nuk përmbajnë sqarime se si të zbatohen ato, duke krijuar paqartësi të mëdha të zbatimit, ZRRE i është drejtuar Gjykatave kompetente për udhëzime se si të zbatohet Aktvendimi për Shtyrjen e ekzekutimit të Vendimit për tarifat me pakicë të energjisë elektrike. Njëkohësisht, ZRRE i është drejtuar Gjykatës Supreme përmes ushtrimit të mjeteve të jashtëzakonshme juridike.
ZRRE është duke u konsultuar me të gjitha institucionet relevante të Republikës së Kosovës si dhe palët tjera të interesit, që sa më shpejtë të gjejë zgjidhje për mënyrën e implementimit të vendimit.