LDK ka mbajtur konferencë për media për vizitën e kryeministrit Kurti në SHBA.
Nënkryetarja e kësaj partie, Shqipe Mjekiqi, ka thënë në konferencë se LDK e sheh si një vizitë që zgjati dy javë e gjysmë, por që nuk pati takime me zyrtarë të lartë në SHBA.
“Kryeministri Kurti përfundoi vizitën gati tre javëshe në SHBA pa asnjë takim me zyrtarë të lartë, e pa pritje institucionale shtetërore. Mungesa e takimeve e nivelit të lartë në Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Shtetit, shpërfaq pafuqinë e kryeministrit Kurtit për t’i hapur dyert në nivelet më të larta të politikë bërjes”, tha nënkryetarja e LDK-së.
“Shëtitjet 18 ditore të Kurtit në SHBA në kohë krize në vend, zbehin peshën e vizitave që ka pasur Kosova çdoherë”, shtoi ajo.
“Kjo vizitë ishte e papërgatiur mirë”, tha anëtari i kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, duke shtuar se nga ajo që pamë ishin takime pa ndonjë strategji të mirëfilltë.
“Nga ajo që pamë ishin takime at-hoc pa një strategji të mirëfilltë. Dinamika e zhvillimeve nuk lejon që kryeministri të shkojë pa u dakorduar mirë. Nëse qëllimi kryesor i shëtitjes së Kurtit në SHBA ka qenë diplomacia ekonomike, kjo nuk është bërë në mënyrën e duhur dhe është bërë pa program. Kurti tregon që është i vetëmjaftueshëm dhe nuk ka strategji kur i qaset kompanive të huaja”, tha Hamiti.