Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është takuar sot me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.
Pas takimit, Haradinaj ka thënë se Kosova dhe Mali i Zi do ta përmbyllin me sukses demarkimin e kufirit, me korrigjim në sektorë të caktuar.
Këtë deklarim ai e ka bërë në rrjetin social Facebook, ku ka njoftuar se presidentin Gjukanoviq e ka falënderuar për mbështetjen ndaj Kosovës dhe gatishmërinë e Malit të Zi për të përkrahur anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, me theks të veçantë në NATO dhe Këshillin e Evropës.
“Kosova dhe Mali i Zi kanë traditë të bashkëpunimit korrekt ndërshtetëror. Në frymën e marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve tona, kaloi dhe takimi me Presidentin Milo Gjukanoviq”, ka shkruar Haradinaj.
“Bashkë do të qëndrojmë përballë çdo rreziku që ka për qëllim destabilizimin e Ballkanit, bashkë në rrugën euroatlantike, bashkë në agjendat e tjera me rëndësi për të dyja shtetet, e po ashtu bashkë do të bëjmë realitet edhe obligimet që kemi marrë, për të përmbyllur me sukses demarkimin e kufirit, me korrigjim në sektorët e caktuar”.
Presidenti Gjukanoviq gjatë ditës së djeshme është takuar edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilën pastaj kanë mbajtur konferencë për media ku kanë folur edhe për çështjen e demarkacionit Kosovë-Mali i Zi.
Gjukanoviq e ka lënë të hapur mundësinë e korrigjimit të kufirit me Kosovën, duke thënë se “do të krijojmë kushte të domosdoshme për korrigjime e për të cilat do të pajtohemi”