Ekspertja e Institutit të Psikiatrisë Forenzike, Valbona Blakaj-Ramadani, në gjykimin në rastin ku Albert Ramadani po akuzohet për vrasjen e B.H më 2018, thotë se veprimet e të akuzuarit ishin realizuar me vetëdije.
“Mënyra se si e ka marrë armën dhe ka gjuajtur në cak, ka targetuar dhe veprimet e mëtutjeshme të tij, mund të themi që janë realizuar me vetëdije, pra nuk kemi pas element që e ka dëmtuar aftësinë mendore të tij” ka thënë Valbona Blakaj-Ramadani.
Në këtë çështje, për pjesëmarrje në rrahjen, e cila i kishte paraprirë vrasjes po akuzohen Artan Ramadani, Fadil Ramadani, Argjend Ramadani dhe Driton Krasniqi. Ky i fundit po akuzohet edhe për veprën penale të mashtrimit, lidhur me shitblerjen e një veture të markës “BMW X5”, e cila sipas prokurorisë, kishte qenë edhe shkak i vrasjes.
Mbrojtësi i të akuzuarit Albert Ramadani, avokati Ymer Huruglica, ka pyetur eksperten që sipas mendimi të saj të përpiluar me shkrim dhe të konstatimit, cilat janë reagimet emocionale të akuzuarit Albert në momentin kur i njëjti ka kuptuar se i kanë mbytur babain, ekspertja tha se të dhënat të cilat i jep klienti shënohen ashtu siç i thotë klienti dhe nuk janë konstatime të ekspertëve.
“Në mënyrën se si e ka thënë i akuzuari Albert, në këtë rast nuk kemi të bëjmë me gjendje afektive patologjike e cila ka rëndësi në aspektin forenzik”, ka thënë ekspertja Blakaj-Ramadani
Ndërsa, prokurori Rasim Maloku tha se nuk ka pyetje për eksperten pasi që raporti ka qenë mjaft i qartë dhe profesional.
EkspertjaValbona Blakaj-Ramadani ka treguar se që nga viti 2007 punon me raste psikiatrike, ndërsa që nga viti 2013 punon në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, me më shumë se 2000 ekspertiza të punuara penale.
E njëjta sqaroi se afekti patologjik dhe humbja apo ngushtimi i vetëdijes në momente të tilla tek individi nuk është një gjendje që individi mund të zgjedh mjete, pra mjete të përshtatshme për të reaguar në momente të caktuara e që në momente të tilla mund të paraqesin probleme edhe për atë edhe për familjarët e tij.
“Aftësia mendore e të akuzuarit Albert Ramadani nuk ka të bëjë me afekt patologjik që do të dëmtonte aftësitë mendore për ta kontrolluar dhe vepruar, nuk kemi gjetur diqka që ka mund të ndikonte në zvogëlimin mendorë të tij, bazuar në kronologji dhe në veprimet e tij para, gjatë dhe pas vrasjes për të cilën akuzohet”, ka thënë dr. Valbona Blakaj-Ramadani.
Shqyrtimi gjyqësorë ka vazhduar me mbrojtjen e të akuzuarve sipas radhës.
Fillimisht, ka dhënë mbrojtjen e tij i akuzuari Albert Ramadani i cili tha se nuk ka asgjë për të shtuar dhe se mbetet në tërësi pranë deklarimeve të tij të dhëna më parë në prokurori dhe në gjykimin e kaluar.
Pasi që palët në procedurë nuk patën pyetje shtesë për të akuzuarin, mbetën pranë pyetjeve të parashtruara në gjykimin e kaluar.
Pas të akuzuarit Albert, kanë dhënë mbrojtjen edhe të akuzuarit e tjerë Artan Ramadani, Fadil Ramadani, dhe Driton Krasniqi ndërsa Argjend Ramadani u mbrojt në heshtje.
Kështu, palët në procedurë kanë mbetur pranë pyetjeve të parashtruara nga shqyrtimi i kaluar dhe nuk patën tjetër çfarë të shtonin.
Ndërsa, kryetari i trupit gjykues, Mustaf Tahiri për të akuzuarin Driton Krasniqi ka pasur pyetje, të njëjtin e ka pyetur a ka pasur ndonjë veprim nga ana e tij në lidhje me rastin e shit-blerjes së veturës për të cilën kishin kontratë me Artan Ramadani.
“Edhe tani pas kalimit të kësaj kohe sa i përket shit-blerjes së veturës BMW X5 për çka unë kam pas kontratë me Artanin, përveç asaj që është paguar vetëm 43.000 euro në formë të kaparit, për të tjerat më nuk kemi pas kontakt me asnjërin nga familja Ramadani për përmbushjen e këtij borxhi”, tha i akuzuari Driton Krasniqi.
I njëjti, i pyetur se pse nuk e ka përmbushur këtë detyrim, tha se nuk e ka përmbushur për shkak se tani i ndjeri B.H. ka pasur t’ia jepte paratë të njëjtit për të paguar borxhin.
“I ndjeri ka pas me m’i dhanë parat më 1 mars 2018 dhe i njëjti u vra një ditë para, andaj më ka mbet pa u përmbushur ky obligim”, tha i akuzuari Krasniqi.
Në këtë fazë të procedurës, prokurori Rasim Maloku ka propozuar që të administrohet si provë kontrata e datës 28 shkurt 2018, ky propozim është aprovuar nga trupi gjykues.
Pasi që, trupi gjykues mori vendim që të aprovohet propozimi i prokurorit Maloku, të akuzuarve u është dhënë mundësia sërish të paraqesin mbrojtjen e tyre.
Të akuzuarit Albert Ramadani, Fadil Ramadani, Argjend Ramadani dhe Driton Krasniqi nuk patën asgjë për të shtuar në lidhje me provën e re që u administrua në këtë shqyrtim gjyqësor.
Ndryshe, i akuzuari Artan Ramadani shtoi se kjo kontratë nuk ka të bëjë asgjë me atë dhe të akuzuarin Driton.
“Mua paret borxh m’i ka pas Dritoni, ndërsa tani i ndjeri nuk më ka pas borxh asnjëherë”, ka thënë i akuzuari Artan Ramadani.
Seanca e radhës për këtë rast u caktua më 9 qershor 2022, ku pritet të jepet fjala përfundimtare e palëve.
Ndryshe, gjykimi i të akuzuarve ka filluar pasi Gjykata e Apelit më 14 korrik 2021 e kishte kthyer në rigjykim rastin ku Albert Ramadani, ishte dënuar nga shkalla e parë, me 16 vjet burgim për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Mustafë Tahiri, i akuzuari Albert Ramadani ishte dënuar me 15 vjet burgim për vrasje të rëndë, kurse me 1 vit e gjashtë muaj burgim për armëmbajtje pa leje. Ndaj të njëjtit ishte shqiptuar dënimi unik në kohëzgjatje prej 16 vjet burgim.
Sipas aktgjykimit, të akuzuarit Fadil dhe Artan Ramadani ishin dënuar me dy vite burgim, ndërsa Argjend Ramadani me 1 vit e tetë muaj burgim, për veprën penale “Pjesëmarrje në rrahje” nga neni 190, par.2 të KPRK-së.
Kurse, i akuzuari Driton Krasniqi për pikën I të aktakuzës u dënua tre vite e gjashtë muaj burgim dhe 2 mijë e 500 euro, ndërsa për pikën II të aktakuzës me një vit e gjashtë muaj burgim. Ndaj të njëjtit ishte shqiptuar dënimi unik në kohëzgjatje prej katër vite e gjashtë muaj burgim dhe 2 mijë e 500 euro gjobë.
Sipas këtij aktgjykimi, kontrata e shitblerjes së veturës ishte anuluar, ndërsa i akuzuari Artan Ramadani ishte obliguar t’i paguajë shumën prej 4 mijë euro Driton Krasniqit, ndërsa vetura BMW X5 do i kthehej Artan Ramadanit.
Sipas aktakuzës së ngritur më 24 tetor 2018 nga ana e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Albert Ramadani akuzohet se më 28 shkurt 2018, në rrugën magjistrale Ferizaj –Prishtinë, përballë kafenesë “Aniki” në Ferizaj, me dashje dhe në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta tani të ndjerin Besart Hasani, pas një mosmarrëveshje lidhur me një borxh në shumën prej 60 mijë euro, lidhur me një veturë të markës “BMW X5”.
Në aktakuzë thuhet se atë veturë Artan Ramadani ia kishte shitur Driton Krasniqit, me ndërmjetësimin e tani të ndjerit Hasani, e të cilin borxh Dritoni sipas marrëveshjes është dashur ta paguajë deri më 28 shkurt 2018, mirëpo i akuzuari Artan Ramadani së bashku me axhën e tij dhe dajën Gafurr kishin shkuar në Prishtinë për t’ia kërkuar borxhin, ndërsa Dritoni iu kishte thënë se do të vinte në Ferizaj dhe se e paguan borxhin.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Dritoni dhe tani i ndjeri H. kishin ardhur rreth orës 18:00, me ç’rast Dritoni u kishte thënë “ju ma keni shqetësuar familjen që keni ardhur tek shtëpia ime dhe këtë punë nuk e lan as hoxha e as prifti”, kështu që të pandehurit ishin revoltuar dhe kishte filluar fyerja reciproke mes tyre.
Tutje, sipas aktakuzës, i akuzuari Fadil e kishte nxjerrë jashtë tani të ndjerin B. për ta qetësuar situatën, mirëpo B. e kishte goditur me kokë atë në pjesën e hundës dhe e kishte rrëzuar për tokë.
Pas kësaj, sipas prokurorisë kishin dalë edhe të pandehurit Albert, Artan dhe Argjend Ramadani dhe kishte filluar rrahja para lokalit, ndërsa i ndjeri Hasani kishte filluar të ikë në anën e kundërt të magjistrales, kurse të pandehurit kishin vrapuar pas tij.
Me këtë rast, thuhet se i akuzuari Albert kishte nxjerrë pistoletën dhe kishte shtënë dy herë në drejtim të të ndjerit, kurse i ndjeri ishte rrëzuar dhe në gjendje të shtrirë, të akuzuarit e kishin goditur me shqelma në të gjithë pjesët e trupit, ku si pasojë e gjakderdhjes kishte ndërruar jetë në vend të ngjarjes.
Me këtë, Albert Ramadani akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 179, par.1 nënpar.1.4 të KPRKS-së si dhe për veprën mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par.1 të KPRK-së.
Kurse, Driton Krasniqi, Artan, Fadil dhe Argjend Ramadani, akuzohen se më 28 shkurt 2018 orës 18:25 minuta në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë, përballë kafenesë “Aniki” në Ferizaj, kanë marrë pjesë në rrahjen në të cilën ishte privuar nga jeta i ndjeri B.H.
Me këtë, secili veç e veç akuzohen se kanë kryer veprën penale pjesëmarrje në rrahje nga neni 190, par.2 të KPRK-së.
Driton Krasniqi, akuzohet edhe për veprën penale “Mashtrimi” nga neni 335, par.5 të KPRK-së, sepse sipas aktakuzës, më 13 janar 2018, në Ferizaj, me paraqitje të rreme të fakteve, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, e kishte mashtruar pronarin e autosallonit “Aldioni”, Artan Ramadanin, në atë mënyrë që sipas aktakuzës, kishte lidhur kontratë për blerjen e automjetit “BMW X5 30 xDrive”, për çmimin 64 mijë euro, me ç’rast kishte paguar 4 mijë euro, kurse shumën tjetër ishte dashur ta paguajë më 28 shkurt 2018, mirëpo i pandehuri Krasniqi veturën e kishte shitur, kurse paratë nuk ia kishte paguar në afatin e caktuar, raporton betimiperdrejtesi.