Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamentit për Çështje Administrative, me të cilin kjo e fundit kishte pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për tarifat e reja të energjisë elektrike.
Apeli ka refuzuar si të pabazuar ankesën e ZRRE-së.
“Është refuzuar si e pabazuar ankesa e të paditurës – kundër propozueses Zyra e Rregullatorit për Energji, me arsyetimin se janë të drejta dhe të ligjshme qëndrimet e gjykatës së shkallës së parë dhe se në rastin konkret janë plotësuar kushtet për shtyrjen e ekzekutimit të aktit administrativ të paraparë me nenin 22 paragrafi 2 dhe 6 të Ligjit për Konfliktet Administrative”, thuhet në vendimin e Apelit.
“Gjykata e Apelit ka gjetur se gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë ka vërtetuar gjendjen faktike dhe drejtë ka zbatuar dispozitat procedurale dhe materiale me rastin e aprovimit të kërkesës së paditësit, me të cilën ka kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të paditurës ZRRE-së”, vijon vendimi, shkruan Telegrafi.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 8 prill 2022 kishte aprovuar si të bazuar propozimin e paditëses/propozueses Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe kishte pezulluar vendimin e ZRRE-së për tarifat e reja për energji elektrike.
ZRRE-ja më 9 shkurt 2022 kishte miratuar tarifat e reja për energji elektrike.
ZRRE-ja, duke u thirrur në Ligjin për Konfliktet Administrative, pati deklaruar se “aktvendimi i shkallës së parë nuk bëhet i formës së prerë dhe praktikisht nuk është i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm”.
ZRRE-ja, në vazhdën e krizës botërore energjetike, ka miratuar faturat me rritje më 8 shkurt, të cilat ka thënë se do të jenë të vlefshme deri më 31 mars 2023.
Me këto tarifa, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800kWh rrymë në muaj, paguajnë më shtrenjtë. Sipas llogaritjeve të ZRRE-së, rreth 20 për qind e konsumatorëve shpenzojnë më shumë se 800kWh në muaj.
Nga data 1 tetor deri më 31 mars, në Kosovë aplikohet tarifa e ulët e rrymës, prej orës 22:00 deri në 07:00. Ndërsa, nga data 1 prill deri më 30 shtator, tarifa e ulët vlen nga ora 23:00 deri në 08:00.