Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, thotë se në Kosovë nuk ka pasur skandal më të madh sesa rasti i Martin Berishajt. Ambasadori i Kosovës në Zagreb, Martin Berishaj dyshohet se ka transferuar rreth 600 mijë euro nga xhirollogaria e tij bankare në Mal të Zi për tek politikani slloven, Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë. Paraprakisht, mjetet financiare, kompania MB Consulting, në pronësi të Berishajt, i kishte pranuar nga një kompani energjetike serbe, GEN.
Krasniqi thotë se Berishaj është sekser i kompanisë serbe.
“Nuk besoj se ka pasur skandal më të madh ose të këtyre përmasave, për rajon flas me kompetencë, por për në Kosovë, asnjëherë sesa rasti i ambasadorit”, tha Krasniqi.
“Vetëm fshehja e pasurisë së tij është e mjaftueshme për shkarkimin e tij. Ka shumë ka shumë pikëpyetje si është marrë nënshtetësia, a është bërë verifikimi tij nga agjencioni për inteligjencë.”, tha Krasniqi në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova.
“Sekser nënkupton ndërmjetësues, ai ndërmjetësues i GEN’it të Serbisë po del se është por me kë pastaj po mbetet me u verifiku tutje”, tha ai.
“Është e pabesueshme t’i dilet në mbrojtje, se me çfarë sigurie dalin dhe bëhen avokatë ambasadorit, presidentja, kryeministri, ministrja. 600 mijë euro për çfarë shërbime, edhe të jetë ambasador edhe i angazhuar në profesione tjera”, tha Krasniqi.
“Kurrë në jetë nuk e kam ditur që ai merret me ndërmjetësim të blerjes së energjisë”, shtoi deputeti.
Berishaj, një ditë pas raportimeve në media për përfshirjen e tij në skandalin financiar, nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, kishte mohuar akuzat.
Institucionet në Prishtinë nuk ndërmorën veprime të tjera ndaj tij. Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, kishte thënë se “nuk shkarkohet ambasadori në bazë të një raportimi të një mediumi”.