2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Malush Halil Ahmeti (16.11.1951 – 15.5.1999)

Kështjellat e pamposhtura të Drenicës heroike si: Prekazi, Rezalla, Marina, Likoci, Llausha, Abria, në kohën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u kthyen në termopile të epokës sonë çlirimtare. Trimat dhe trimëreshat e Rezallës, të edukuar në frymën më të pastër të atdhedashurisë, të frymëzuar nga trimëritë e Azem Galicës e Shota Galicës, Ahmet Delisë e Sylë Rezallës, Kurt Rezallës e Jetullah Zabelit vazhdimësuan me vepër heroizmin dhe qëndresën titanike të të parëve. Rezalla historike dhe heroike, luftës për çlirimin e trojeve të robëruara të Shqipërisë, në kohën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i dha 104 martirë e dëshmorë. Mbi Rezallë lubia serbe derdhi qindra tonelata predha e barot. Lufta nuk ndaloi as për një ditë dhe rezallasit e trimërisë tradicionale shqiptare asnjëherë nuk u degdisën, nuk i lëshuan malet dhe bjeshkët e djegura të Drenicës, por qëndruan, ranë dhe fituan pavdekësinë.
Malush Ahmeti lindi më 16 nëntor të vitit 1951 në fshatin Rezallë të Drenicës, në një familje atdhetare dhe bujare. Babë Halili dhe nënë Dinorja me mund e sakrificë lindën e rritën fëmijët e tyre, duke i edukuar me virtyte të pastra të njerëzisë dhe të atdhetarisë
Malushi shkollën fillore e kreu në vendlindje. Nuk vazhdoi shkollimin për shkak të kushteve të rënda sociale të familjes.
Qysh i ri shquhet për punë të mjeshtërisë precize sidomos në trajtimin e metalit dhe në punët precize të ndërtimtarisë. Kishte një dashuri të veçantë dhe të lindur për armët por dhe prirje për t`i përdorur ato dhe për t`i evituar defektet e ndryshme. Në kohën kur ishte afirmuar si mjeshtër i mirëfilltë, për trajtimin e disa punëve të ndrëtimtarisë e fton në kullën e tij edhe kryetrimi i Drenicës, Adem Shaban Jashari. Malushi ishte mahnitur kur në odën e Jasharëve sheh një dyzinë armësh, nga të cilat nuk e ndalte shikimin.
-Sapo të krijohen kushte do ta kesh armën, i kishte thënë komandant Ademi dhe kishte shtuar. -Tani na duhesh për punë të tjera, të cilat askush më mirë se ti nuk i trajton. Gjithmonë i mbante dhe i sillte ndërmend fjalët e legjendarit Ademi Jashari, thonë bashkëçluftëtarët e Malushit, Ahmet Zabeli dhe Abedin Gashi. Prirja dhe talenti i Malushit për mjeshtërinë precize e bënë të njohur në tërë Drenicën. Kryente edhe punët e ndryshme të automekanikut. Jo vetëm njëherë ia kishte rregulluar edhe motoçikletën komandant Ademit.
Duke qenë se i kishte dalë zëri si mjeshtër i armëve, meqë ai kishte edhe një punëtori ilegale, ku trajtonte punime të ndërlikuara precize, Malushi qysh heret bie në sy të policisë okupatore. Në pranverë të vitit 1997 një ekspeditë policore serbe ia rrethon shtëpinë në Rezallë dhe ia konfiskon disa armë, që i kishte punuar vet, por edhe të gjitha mjetet dhe pajisjet teknike që i posedonte. Në mesin e armëve të konfiskuara ishte edhe një armë që e kishte punuar vet, tip karabine speciale me gjashtë fishekë. Përveç kësaj regjimi okupator e kishte dënuar gjashtë muaj burg në mungesë.
Djalëria liridashëse e Prekazit, Rezallës, Llaushës, Aqarevës, Brojës dhe e fshatrave të tjera të Drenicës me kohë ishte orientuar në drejtim të krijimit të kushteve për rezistencë aktive çlirimtare. Në hapësirën e këtyre fshatrave vepronte luftëtari i lirisë, Adem Shaban Jashari me të vëllanë Hamzën dhe me disa bashkëluftëtarë të tjerë të lirisë. Një bazë e sigurt dhe e fortë e rezistencës do të krijohet edhe në Rezallë. Atje, Adem Jashari kishte krijuar një bërthamë militante të armatosur, e cila përbëhej nga Ilaz Dërguti, Malush Ahmeti, Ahmet Zabeli, Abedin Gashi, Shaqir Aruçi, Haki Aruçi, Avni Zabeli e të tjerë.
Në kohën e daljes publike të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shtëpia e Malush Ahmetit bëhet bazë e përhershme e luftëtarëve të lirisë. Ai me krejt familjen ishte vënë në shërbim të luftës çlirimtare. Rezalla, së bashku me Prekazin asokohe qenë bërë bastione të pathyeshme të luftës çlirimtare e cila kishte marrë hov sidomos në Drenicë dhe në Dukagjin. Shkëndijat e kësaj lufte ishin përhapur kudo në të territorin e Drenicës dhe pas një kohe edhe në tërë Kosovën.
Malush Ahmeti, së bashku me dy bijtë e tij, Bedriun dhe Bahriun qysh në fillim iu bashkua radhëve të UÇK-së. Bahriu me disa bashkëluftëtarë kishte sjellë armë dhe municion nga Shqipëria. Asokohe me rastin e bombardimit të fshatit Rezallë forcat serbe djegin shtëpi e katandi. Ishte shkatërruar tërësisht edhe shtëpia e Malushit.
Gjatë ofensivës së verës, në orën 8 të mëngjesit më 11 shtator të vitit 1998, forcat ushtarake e policore serbe kishin bërë përpjekje për të depërtuar në Rezallë nga ana e Marinës dhe Llaushës. Atë ditë nga arma vrastare armike martirizohet djali i Malushit, Leotrimi, shtatëvjeçar, ndërsa plagë merr edhe bija e tij, Fatmirja, 18-vjeçare. Nga familja e ngushtë dhe e gjerë e Ahmetajve atë ditë janë martirizuar: Ramë Islam Ahmeti, bija e tij Xufa si dhe djali i Ramës, ndërsa morën plagë disa të tjerë. U martirizua nga predha armike edhe vajza e Fazli Miftar Ahmetajt, Vjollca 5 vjeçare, ndërsa Brahim Ahmetaj u plagos rëndë. Po atë ditë morën plagë edhe edhe Fatmirja, Skënder Ahmeti, Jahir Dërguti e të tjerë, Ndihmën e parë Skënder Ahmetit ia dha Zaim Ahmeti, teknik medicinal nga fshati Izbicë, tani dëshmor i kombit.
Atë ditë tragjike Rezalla ishte bombarduar me predha të dhjetëra minahedhës të kalibrit 122 milimetra, nga pozicioni i forcave serbe te Kisha e Deviqit.
As pas martirizimit të djalit shtatëvjeçar dhe vrasjes së dhjetëra banorëve të lagjes dhe të Rezallës në përgjithsësi, Malushi nuk jepet. Ai ishte nisur në rrugë për çlirimin e vendit dhe dëbimin nga Kosova të bandave barbare serbe. Së bashku me bijtë dhe djalërinë trime e heroike të Rezallës, Malush Ahmeti ishte kurdoherë në ballë të luftës çlirimtare. Pozicioni i tij i patundur ishte sidomos në Brigjet e Rezallës, përballë Kishës së Deviqit.
Përveç luftës ballë për ballë kundër forcave policore dhe ushtarake serbe, Malushi kishte edhe detyra të tjera. Për çdo defekt që ndodhte në armët e ndryshme, luftëtarët i drejtoheshin atij. Asokohe në Rezallë punonte edhe uzina e armëve të cilën e kishin ngritur Hajrë Gashi, Abedi Gashi, Sejdiu, Sami dhe Avdi Gashi. Në këtë punëtori e cila kishte prodhuar edhe topa të vegjël dhe armë të ndryshme, kthente kohë pas kohe edhe Malush Ahmeti, i cili ishte mjeshtër i njohur i mekanikës precize.
Malushi ka qenë pjesëtar i kompanisë së tretë e Batalionit të Parë të Brigadës 113, “Mujë Krasniqi”. Zona e përgjegjësisë e kësaj brigade shtrihej në territorin e fshtrave, Rezallë, Marinë, Makërmal, Polluzhë, Kryshec.Kjo zonë e përgjegjësisë komandohej nga Ilaz Dërgutin Ahmet Zabeli e të tjerë. Caktohet në detyrë të eprorit në Zonën Operative të Drenicës në nëntor të vitit 1998. Malushi ishte komandant i Njësisë punuese në nivel të Shtabit Operativ të Drenicës në Likoc. Në kohë luftimesh është kthyer në Rezallë.
Jashtë Rezallës mori pjesë në luftimet që janë zhvilluar në fshatin Jashanicë kundër forcave kriminale serbe. Në atë betejë kanë marrë pjesë Abedin Gashi, Ramadan Hoti, Hysni Shabani, Avni Haxha, Miftar Qerimi, e të tjerë.
Malush Ahmeti ka marrë pjesë në vijen e fronit në përforcime të Zonës Operative të Shalës, së bashku me njësitin luftarak të Latif Smakiqit.
Muajt e dimrit të vitit 1999, Malush Ahmeti ka qendruar në Rezallë dhe rrethinë.
Në kohën e ofensivës së përgjithshme serbe, që filloi në mars të vitit 1999, Malush Ahmeti ishte në ballin e luftës së bashku me Ilaz Dërgutin i cili asokohe ishte komandant operative i zonës së Drenicës, ku komandant zone ishte Sami Lushtaku. Rezalla ishte rrethuar nga të gjitha anët. Popullata civile ishte evakuar nga fshati në drejtim të maleve të Rezallës, në Tushillë dhe në Kopiliq të Ulët. Forcat serbe po bënin përpjekje ta thyenin rezistencën në Drenicë, por luftëtarët e lirisë nuk jepeshin. Ata, në të shumtën e rasteve ishin vënë në mbrojtje të popullatës civile, e cila ishte e rrezikuar nga zjarri i luftës.
Në maj të vitit 1999, forcat serbe kishin vënë rrethin e hekurt përreth Rezallës. Malush Ahmeti me bashkëluftëtarët e tij luftonin kundër bandave kriminele, të cilat bënin përpjekje për të depërtuar te popullata civile.
Shtatë javë, në prill maj, Rezalla ishte bërë bastion i pathyeshëm në të cilin nuk depërtoi dot ushtria okupatore e cila taktizoi në të gjitha metodat taktike ushtarake por nuk hyri dot.
Më 15 maj të vitit 1999, Malush Ahmeti ndodhet në malin e Paluhit në Brigje të Rezallës, së bashku me Mehdi Hoxhën.
Djali dhe bashkëluftëtari i Malushit Bahri Ahmeti rrëfen: Rreth orës 8 të mëngjesit, nga roja në vëzhgim, baba mori lajm për pozicionimin e forcave serbe në Deviq. Unë, së bashku me një luftëtar u pozicionova te Kodra e Llazeve. Baba u nis për të kontaktuar me Ahmet Zabelin, Ilaz Dërgutin dhe Avni Zabelin. Në ato momente kritike kur kishte filluar breshëria e minhedhësve nga pozicioni i armikut, afër vendit ku ishte pozicionuar Malushi kanë rënë tri predha të minahedhësit, rreth 400 metra. Ahmet Zabeli thërret me zë Malushin por nuk u përgjigj. Ndërkohë shpërthen një predhë tjetër e minahedhësit 122 milimetra pikërisht në pozicionin luftarak të Malush Ahmetit. Bie heroikisht në altarin e atdheut, në vendin ku kishte luftuar dhe kishte korrë fitore sa e sa herë.
Në mbrëmje kufoma e Malushit u tërhoq, nga Ahmeti Zabeli, Ilaz Dërguti, Abedin Gashi, Bahriu djali i tij dhe disa luftëtarë të tjerë. Në të njëjtin vend, të nesërmen në mbrëmje u varrës me nderime nga bashkëluftëtarët. Varri u hap me kohë por nuk u arrit të bëhet varrimi për shkak se serbët idenifikuan vendin, të cilin filluan ta granatonin. Ndërkohë djali i Malushit Bahriu, edhe pse serbët ishin pozicionuar te shkolla e fshatit, depërton në shtëpi merr najlon dhe batanije për ta mbështjellur trupin e babait dëshmor para se ta lëshonin në varr.
Pas mbarimit të luftës, bashkëluftëtarët, me nderime ushtarake trupin e dëshmorit e varrosin në varrezat e dëshmorëve të fshatit Rezallë. Në shenjë nderimi, respekti dhe mos harrimi shkolla e fshatit në Rezallë, në përvjetorin e parë e mori emrin e dëshmorit të kombit, Malush Ahmeti.
Ka lënë pas bashkëshorten, Shukrien, bijtë: Bahriun, Bedriun, Avniun dhe Besnikun dhe bijat: Merveten, Dinoren dhe Fatmiren (e plagosur).
Fragmente kënge kushtuar dëshmorit Malush Ahmeti, shkruar nga bashkëluftëtari, Abedin Gashi.

Ushtojnë Brigjet e Deviqit,
-Vallë, mos është tërmet i madh?
-S’ është stuhia as termeti,
-Luftë po bën Malush Ahmeti.

Ushtrojnë brigjet nuk ndalojnë,
Çlirimtarët po luftojnë,
Dridhet Rezalla në mal e n’ breg
Lufton Malushi me shokë të vet

Gjëmon topi e minahedhësi
Nga Marina në Rezallë
Po lufton Malush Ahmeti
Luftën serbit s`po ja ndalë

( A. Q.)

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img