Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar heroin Luan Haradinaj në 25 vjetorin e rënies së tij.
Ai ka shkruar në Facebook, duke i dhënë epitetet më të larta Haradinajt.
“Luan me emër dhe luan me vepra, Luan Haradinaj ishte një zemërluan, zemra e të cilit pushoi së rrahuri si sot më 6 maj 1997, i qëlluar nga forcat okupatore serbe në Qafëmullar. Luani ra dëshmor teksa po kalonte kufirin e vendosur nga Serbia mes Shqipërisë dhe Kosovës, atë kufi që e kishte kaluar me dhjetëra herë, duke bartur edhe armë bashkë me shokët, disa prej të cilëve po ashtu do të binin dëshmorë. Student në Shqipëri dhe luftëtar në Kosovë, Luan Haradinaj realizoi edhe i vetëm shumë aksione guerile kundër policisë serbe”, ka shkruar Kurti.
Kurti ka shkruar se Haradinaj ndonëse 23-vjeçar kur kishte rënë dëshmor, ai ishte një nga themeluesit e UÇK-së dhe rrjeteve të saj logjistike.
“Ai kishte vullnet për të studiuar siç kishte edhe vullnet për të luftuar, derisa ra dëshmor për lirinë e Kosovës, këtu e 25 vjet më parë. Ndonëse ishte vetëm 23 vjeçar kur ra dëshmor, Luan Haradinaj ishte një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe rrjeteve logjistike të saj. Lavdi veprës së tij dhe të gjithë dëshmorëve që me jetën e tyre paguan lirinë e të gjithë neve!”, ka shkruar Kurti.