Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, thotë se Presidenca dhe Qeveria e Kosovës duke mos ndërmarrë asnjë veprim në rastin e dyshimit të përfshirjes së ambasadorit Martin Berishaj në një skandal financiar, po mbrojnë veten dhe jo diplomatin e Kosovës në Zagreb.
Haradinaj thotë se kur flitet për ata që janë në Vetëvendosje, gjithçka është e lejuar. Ai tha se presidentja Vjosa Osmani duhet të tregojë për motivacionin që i dha shtetësi të përshpejtuar Berishajt. Gjithashtu sipas Haradinajt, Osmani do të duhej të sqarohej se pse Berishaj në formularin e pasurisë nuk e ka deklaruar kompaninë e tij në Mal të Zi, kompani e cila sipas Kurtit është e nipit të Stanishiqit.
“Më pak se 24 orë është kjo situatë. Brenda 24 orëve një epilog i presidentes. AKI’ja mundet të verifikojë mund të verifikojë shpejt se a ekziston një kompani në pronësi të personit, përgjigja Po ose Jo. Transaksionet a janë të vërteta, Po ose Jo”, tha Haradinaj.
“Unë nuk besoj se këtu është në pyetje personi Martin Berishaj. Nuk besoj se është duke e bërë presidentja e as kryeministri me e ruajt një person. Ata janë duke ruajtur sistemin e vlerave të tyre. Ky rast tregon për sistemin e vlerave të atyre që janë në pushtet. Mundesh me punu edhe me nipin e Rankoviqit edhe të Stanishiqit kur je Vetëvendosje, nëse s’je Vetëvendosje nuk bën. Kur është Vetëvendosje gjithçka është e lejuar”, shtoi Haradinaj në emisionin “Politico” në Kanal10.
Haradinaj thotë se ka disa përgjigje që presin nga e para e shtetit.
“Ne personin Martin Berishaj nuk e gjykojmë. Ne po gjykojmë të gjitha ato që kanë ndodhur. Unë sot kam listuar disa pyetje për presidenten dhe kryeministrin. Ekziston një informatë mjaft relevante se presidentja me urgjencë, me procedurë të përshpejtuar ia ka dhënë shtetësinë me dekret ambasadorit Berishaj Kur e jep me procedurë të përshpejtuar cili është motivacioni, çka ka qenë për ngut ajo? Zakonisht si presidente e ke në diskrecion dekretin për shtetësi por duhet të kesh një motivacion të qëndrueshëm kushtetues e moral në këtë rast, se pse ngutesh. Pse ja jep me procedurë të përshpejtuar”, shtoi ai.
“Kur e bën këtë procedurën e përshpejtuar a i ke respektuar procedurat e që është me verifikuar personin. Kjo është një pyetje mjaft serioze. Presidentja a do të japë llogari ligjore nëse nuk i ka respektuar procedurat e verifikimit ose pse është dhënë me urgjencë shtetësia”, tha Haradinaj.