Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka dënuar fuqishëm sulmin e sotëm ndaj Policisë së Kosovës në afërsi të Zubin Potok-ut. Hovenier ka shkruar se ambasada amerikane është thellësisht e shqetësuar për sulmin me armë zjarri ndaj autoriteteve sovrane të Kosovës.
“Ambasada e SHBA-së është thellësisht e shqetësuar nga raportimet për të shtëna me armë zjarri dhe hedhje gurë ndaj zyrtarëve policorë të Kosovës afër Zubin Potokut. Këto sulme ndodhën kur autoritetet sovrane përgjegjëse për ruajtjen e paqes dhe sigurisë po kryenin detyrat e tyre zyrtare”, ka shkruar ai.
Hovenier ka thënë se e dënojnë fuqishëm dhunën ndaj policisë së Kosovës dhe tërheqin vërejtjen kundër spekulimeve që do të ngrisnin tensione.
“Ne e dënojmë fuqishëm këtë dhunë të papranueshme, të pajustifikueshme. Zyrtarët e zbatimit të ligjit janë përgjegjës për hetimin e situatës. Ne tërheqim vërejtjen kundër spekulimeve që do të rrisin tensionet dhe do të dënojmë çdo përpjekje për të penguar këtë punë thelbësore”, ka shkruar Hovenier.
Sulmin ndaj policisë së Kosovës në Zubin Potok në orët e hershme të mëngjesit të sotëm e kanë dënuar kryeministri Kurti, Presidenca, Zyra e BE-së në Kosovë dhe KFOR-i.
Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se sot, është sulmuar Policia e Kosovës në veri të vendit, teksa ishte nisur për të marrë detyrën në pikat kufitare me Serbinë.
“Sot rreth orës 7:40 ka ndodhur një sulm ndaj Policisë së Kosovës, e cila ka qenë duke shkuar për të marrë ndërrimin në pikat kufitare. Ky sulm, tashmë i faktuar, me granatë dore dhe AK-47, si një akt terrorist, është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë, por edhe të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Sveçla në një konferencë të jashtëzakonshme bashkë me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.
Ministri Sveçla ka thënë se “grupe të ndryshme në tri ditët e fundit kanë realizuar katër sulme në atë zonë”.
Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, afërsia e sulmeve lë të kuptohet se, “kemi të bëjmë me një grup të organizuar, i cili ka për qëllim të sulmojë dhe të pengojë punën e Policisë së Kosovës, me theks të veçantë luftën kundër kontrabandës dhe tregtive të ndryshme”. Në automjetin e Policisë së Kosovës që u sulmua të premten në veri të vendit, po udhëtonin pjesëtarë të PK-së shqiptarë dhe serbë.
Në konferencë nuk është bërë e ditur nëse ka pasur të lënduar në këtë sulm ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit, ndërsa ministri i Brendshëm, Sveçla, ka thënë se me këto raste do të merret Prokuroria Speciale.