-1.2 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Dëshmitari thotë se Salih Mustafën e ka takuar në javët e para të prillit në fshatin Butovc

Gani Sopi është dëshmitari i pestë i mbrojtjes së Salih Mustafës, i cili po dëgjohet nga trupi gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Aty, Sopi ka folur për periudhën e parë të vitit 1999 dhe takimet me Salih Mustafën, çka sipas tij, ata janë takuar në fshatin Butovc në javët e para të muajit prill. Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka thënë se Salih Mustafa kishte qenë i interesuar për strehimin dhe sigurimin e ndihmave të nevojshme për civilët.

Sopi ka thënë se në fund të marsit të vitit 1999, pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, bashkë me civilët janë larguar nga Prishtina për në fshatin Butovc, ku ka theksuar se është edhe vendlindja e tij.

Sopi: Në fund të marsit 1999 u larguam nga Prishtina, për shkak të represionit nuk kishim rrugë tjetër

“Kujtimet janë të vështira, koha dhe rrethanat kanë qenë shumë të vështira, ishte një represale shumë e madhe në qytet, por jo vetëm në pjesën e qytetit tim por edhe në pjesë të tjera të qytetit, policia dhe paramilitarët serb bënin një dhunë të paparë dhe nuk kishte rrugë tjetër përveç të organizojmë në ndonjë mënyrë popullin dhe atë pjesën që ishte faktikisht kah jetonim edhe ne, me të gjithë shokët dhe bashkëveprimtarët e mi dhe t’i orientojmë nga Butovci për shkak se atje edhe ishte vendlindja ime dhe mënonim që ndoshta do të ishte një siguri pak më e madhe”, ka thënë ai.

Tutje, ai ka thënë se në strehimin e civilëve në fshatin Butovc ka kontribuar edhe Salih Mustafa.

Sopi: Për strehimin e popullatës civile ka kontribuar edhe Salih Mustafa

“Gjatë asaj kohe që kemi pasur strehimin, vendosjen, shumë ka kontribuar edhe Salih Mustafa, me të cilin shpeshherë jam takuar dhe kemi biseduar dhe më ka thënë që vërtetë të ndihmohet popullata, të u bëhet strehimi, të u sigurohet ushqimi, të u sigurohen barnat”, ka thënë Sopi.

Me Salih Mustafën ai ka thënë se është njohur që prej daljes së Mustafës nga burgu dhe sipas tij kjo ka ndodhur përmes vëllait të tij, Mustafë Sopit i cili kishte qenë profesor i Salih Mustafës.

Gani Sopi ka thënë se ka qëndruar në Butovc deri më 13 qershor të atij viti ndërsa ka theksuar se ai i ka raportuar vëllait të tij, Mustafë Sopit.

Sopi: Me Salih Mustafën jam takuar në dy javët e para të muajit prill 1999 në fshatin Butovc

“Muaji prill është bukur i rëndë për mua personalisht, por edhe për të gjithë shqiptarët dhe gjithë atë zonë që ka qenë e Gollakut. Është e vërtetë që e kam takuar në fillim të prillit në javët e para të prillit Salih Mustafën në Butovc. Arsyeja ka qenë se ka qenë Bajram, e para, e dyta, ka qenë ky shumë i lidhur me vëllain, profesorin e vet, dhe ka ardhur me vizitu në Butovc por gjithashtu ka ardhur me pa edhe popullatën e cila ishte e shumtë në Butovc dhe për me pa se si janë vendosur, si janë organizuar, si janë strehuar, si po grumbullohet ushqimi e shumë çështje të tjera”, ka thënë dëshmitari.

Ai ka thënë se me Mustafë Sopin e Salih Mustafën kanë dalë disa herë në pika vëzhguese meqë sipas tij ushtria e policia serbe ishin të pozicionuar jo larg vendndodhjes së tyre në fshatin Butovc.

Sopi: Me Salih Mustafën kemi biseduar për popullatën civile

“Datat mund të jenë lëvizëse për shkak të rrethanave dhe kohës shumë të largët, 23 vjet, e di që ka qenë java e parë dhe java e dytë e muajit prill. Ne jemi takuar, kemi biseduar por ky ka qenë kryesisht kontakt edhe me profën për shkak se në ato rrethana e në atë kohë e kishim më përgjegjës, dhe koordinimin e punëve më shumë e ka pasur profesor Mustafë Sopi, vëllai im tash i ndjerë, i cili i ka koordinuar dhe i ka pasur ato detyrat e specifikat, por kam qëndruar edhe unë dhe kemi biseduar rreth situatës e cila ka qenë edhe brenda me popullatën civile”, ka thënë ai.

Sopi ka thënë se Salih Mustafa kishte qenë në Butovc me rroba civile duke theksuar një xhaketë ngjyrë të gjelbër.

Ai ka thënë se Salih Mustafa kishte qëndruar në shtëpinë e Mustafë Sopit.

Sopi i ka thënë trupit gjykues se Salih Mustafa është mik e bashkëluftëtar i tij dhe ka shtuar se me të ka edhe lidhje familjare meqë mbesa e tij është bashkëshortja e Mustafës.

Sopi ka bërë të ditur se aktivitetin politik e ka filluar në vitet e ’90-a si një prej themeluesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ai ka thënë se në LDK ka qenë anëtar kryesie ndërsa në periudhën e luftës e ka udhëhequr edhe komisionin e informimit ku ka pasur struktura, të cilat i kanë dhënë informata.

Ndërsa ka bërë të ditur se ishte kyçur në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në janar të vitit 1998.

Gjatë dëshmisë së tij Gani Sopi ndër të tjera ka thënë se më 24 mars të vitit 1999 është plagosur në Prishtinë por nuk ka dashur të flas më shumë për këtë ngjarje.

Salih Mustafa është arrestuar më 24 shtator të vitit 2020 me pretendimin për krime lufte.

Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.

Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë ndërsa në paraqitjen e tij para trupit gjykues ai është deklaruar i pafajshëm.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img