1.5 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Janjiq: Veprimet e Vuçiqit shkelin Marrëveshjen e Brukselit

Deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 24 mars, se “Marrëveshja e Brukselit nuk ekziston më”, është formë e kërcënimit, që po përcillet me veprime konkrete nga përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Prishtinë dhe Beograd, Agon Maliqi dhe Dushan Janjiq.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, më 24 mars, ka suspenduar kryetaren e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Lilana Stevanoviq.

Suspendimi i Stevanoviqit erdhi pas pranisë së saj dhe të disa komandantëve serbë të Policisë së Kosovës në mbledhjen e Këshillit për Siguri Kombëtare të Serbisë, që u mbajt në Beograd më 22 mars. Kjo mbledhje ishte mbajtur për shkak të moslejimit të mbajtjes më 3 prill të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë, nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Por, presidenti serb Vuçiq ka thënë se suspendimi i Stevanoviqit është bërë me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të cilin e ka akuzuar se e ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se sistemi gjyqësor i Kosovës është i pavarur nga Qeveria.

“Unë nuk jam as kryetar e as anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Gjyqësori është i pavarur nga Qeveria. Ndoshta në Serbi, presidenti suspendon apo largon gjykatës dhe prokurorë. Ky nuk është rasti i Kosovës apo në rastin e gjykatëses Stevanoviq”, ka shkruar Kurti në Twitter më 25 mars.

Ndërkaq, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha më 25 mars se Lista Serbe dhe stafi serb në Gjyqësorin e Kosovës e kanë pezulluar punën në institucionet e Kosovës derisa të kthehet në postin e saj Lilana Stevanoviq.

Maliqi: Një pjesë e marrëveshjeve të Brukselit nuk mund të zhbëhen

Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Agon Maliqi, njëherësh bashkëthemelues i blogut “Sbunker”, thotë se deklarata e presidenti serb, Vuçiq është kërcënim retorik i drejtuar, para së gjithash, kah bashkësia ndërkombëtare. Hapi i parë i materializimit të këtij kërcënimi, sipas tij është “vetsuspendimi” i pjesëtarëve serbë në institucionet e Kosovës në veri të vendit.

“Një pjesë e marrëveshjeve të Brukselit nuk mund të zhbëhen e që deri më tash janë zbatuar, për shembull: kodi telefonik dhe të tjera. Por, ajo që mund të kërcënohet është shkrirja, që kanë formale, e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë. Por, kjo do të hapte për Vuçiqin një konflikt jo vetëm me Kosovën, por edhe me bashkësinë ndërkombëtare”, vlerëson Maliqi.

REL ka kërkuar një koment nga Qeveria e Kosovës lidhur me deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se Marrëveshja e Brukselit nuk ekziston më. Por, deri në publikimin e këtij teksti, zyrtarët e ekzekutivit nuk kanë kthyer përgjigje.

Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, vlerëson se Marrëveshja gjithëpërfshirëse e parë e Brukselit, e vitit 2013 dhe, siç thotë ai, 38 marrëveshjet tjera të arritura në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ekzistojnë dhe do të ekzistojnë si akte ndërkombëtare. Marrëveshja e Brukselit, siç thotë ai, është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës dhe ajo ka fuqinë, madje edhe më të madhe se Kushtetuta.

Janjiq thotë se Serbia nuk e ka ratifikuar këtë marrëveshje në Parlamentin e saj, por sipas tij, të gjitha marrëveshjet e obligojnë atë.

Por, shkaku konkret i reagimit të Beogradit zyrtar dhe kërcënimet e Vuçiqit, sipas Janjiqit, nuk kanë bazë logjike, sepse organizimi në Kosovë i zgjedhjeve për institucionet e Serbisë, nuk ekziston në Marrëveshjen e Brukselit.

“Nëse dikush e ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit, është Vuçiqi që i ka ftuar ose i ka pranuar në mbledhje kryetarët e gjykatave, përfaqësuesit e policisë, sepse ata njerëz, sipas Marrëveshjes së Brukselit, janë pjesë e institucioneve të Kosovës. Kjo është shkelje e Marrëveshjes së Brukselit në nivel të parë dhe kjo nuk mund të kontestohet”, thotë Janjiq.

Suspendimi i gjyqtares Stevanoviq, “veprim logjik”

Agon Maliqi vlerëson se reagimi i institucioneve gjyqësore në Kosovë ndaj pranisë së kryetares së Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Lilana Stevanoviq, në Këshillit për Siguri Kombëtare të Serbisë, ka qenë i logjikshëm. Sipas tij, Vuçiq rregullisht i fton në takim përfaqësuesit politikë serbë të Kosovës dhe deri më tash nga Kosova nuk ka pasur ndonjë masë ose shqetësim për ta.

“Por, kjo është pjesëmarrja e një zyrtareje të gjykatës, që është institucion i pavarur nga politika, në një takim politik në shtetin fqinj. Padyshim që Këshilli Gjyqësor i Kosovës – i cili formalisht nuk ka kurrfarë lidhje me institucionet politike – është brenda mandatit dhe funksioneve të tij që të marrë masa ndaj zyrtarëve që marrin pjesë në aktivitete të karakterit të tillë politik. Për aq sa i kuptoj zhvillimet, kjo më duket si një masë administrative e Këshillit Gjyqësor të Kosovës”, thekson Maliqi.

Përgjegjësia e BE-së?

Mendim të ngjashëm ka edhe Dushan Janjiq. Sipas tij, reagimi i Kosovës është logjik. Por, në këtë pikë, siç thotë ai, nuk është terreni i përshtatshëm për debat me Beogradin sepse në këtë mënyrë, qoftë mediat, qoftë kryeministri Albin Kurti, mund të përfshihen në lojën e propagandës së Vuçiqit, para zgjedhjeve.

Megjithatë, sipas Janjiqit, zbatimi i Marrëveshjeve të arritura në Bruksel ose cenimi i tyre, do të duhej të ishte përgjegjësi edhe e Bashkimit Evropian.

“Kjo tashmë është temë edhe për [të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav] Lajçakun ose për Komisionin Evropian, në qoftë se fare brengosen për Marrëveshjen e Brukselit. Pra, deri më tash, kjo është goditja publike më e madh dhe manifestimi se ekziston paralelizmi i institucioneve, sepse i keni edhe të ashtuquajturit kryetarë të komunave nga sistemi serb, të cilët funksionojnë. Po ashtu, keni politikanët që në zgjedhjet në Kosovë, sipas ligjeve të Kosovës dhe me dokumente të Kosovës, janë zgjedhur dhe e kanë përbërë koalicionin në pushtet, janë zëvendëskryeministra dhe ministra të Qeverisë [së Kosovës], e të cilët, përnjëherë e manifestojnë publikisht se i takojnë Beogradit”, thekson Janjiq.

Të gjitha këto situata mund të ndikojnë në zhvillimin e mëtejmë të dialogut Kosovë-Serbi. Sipas tij, fokusi i diplomacisë së Brukselit është përqendruar në zhvillimet në Ukrainë pas pushtimit të saj nga Rusia, ndërkaq që diplomacia e BE-së ka shmangur vëmendjen nga Ballkani Perëndimor.

“Ky është gabim strategjik”, përfundon Janjiq.

Ndërkaq, Maliqi thekson se zhvillimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë mesazh për Bashkimin Evropian për paqëndrueshmërinë e sigurisë aktuale. Në këtë kontekst, sipas tij, dialogu mund të futet në krizë të thellë ose mund të sjellë një moment të ri drejt zgjidhjes përfundimtare, të cilin mund ta shkaktojë një përshkallëzim i situatës së sigurisë.

Më 25 mars, qytetarët lokalë serbë në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë, kanë protestuar për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë.

Ndaj këtij vendimi, zhgënjimin e kanë shprehur vendet Quint-it (Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Franca dhe Gjermania). /rel/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img