3.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Biden: Putin llogariti gabim vendosmërinë e Perëndimit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se presidenti rus, Vladimir Putin, e ka llogaritur gabim vendosmërinë perëndimore para se të niste pushtimin e paprovokuar të Ukrainës. Sipas tij, presidenti rus nuk e ka menduar se shtetet perëndimore do të ishin të unifikuara në vendosjen e sanksioneve dhe mbështetjen me armë për forcat ukrainase.

Biden u tha gazetarëve gjatë një konference në Bruksel se pushtimi rus i Ukrainës ka ndërtuar unitet më të madh brenda NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Grupit të shtatë vendeve më të industrializuara, G7.

“NATO kurrë, kurrë nuk ka qenë më e unifikuar se sa sot. Putini po merr pikërisht të kundërtën e asaj që synonte të merrte si pasojë e hyrjes në Ukrainë”, tha Biden pas një takimi me udhëheqësit e NATO-s.

Putin “nuk mendoj se ne do të mund të mbanim këtë kohezion”, tha Biden.

Shtetet e NATO-s dhe aleatët e tjerë kanë vendosur sanksione të ashpra ekonomike ndaj Rusisë. Deri më tani, megjithatë, BE-ja nuk ka shkuar aq larg sa SHBA-ja, e cila ka ndaluar importet e gazit dhe naftës ruse.

Biden po ashtu tha se NATO do të përgjigjej nëse Rusia do të përdorte armë kimike në Ukrainë dhe shtoi se ai mendon se Rusia do të duhej të përjashtohej nga grupi G20. Ai tha se kjo çështje është ngritur gjatë takimit me liderët botërorë në Bruksel.

“Përgjigja ime është po, por varet nga G20”, tha ai kur u pyet nëse Rusia do të duhej të përjashtohej nga ky grup.

Sipas presidentit Biden, NATO do të përgjigjej kundrejt çdo përdorimi të armëve kimike dhe natyra e përgjigjes do të varej “shumë nga natyra e përdorimit”.

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Deri më tani, SHBA-ja dhe BE-ja, por edhe shtetet e tjera, kanë vendosur një sërë pakosh të sanksioneve ndaj Moskës.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img