Presidentja Vjosa Osmani ka shfaqur pikëllimin e saj me rastin e ndarjes nga jeta të mikes së madhe të shqiptarëve të Kosovës, Madeleine Albright.
Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se modeli i saj i një heroine të pamposhtur do të mbetet përherë modeli që do ta ndjekim.
“E tronditur thellësisht nga humbja e mikes së madhe të Kosovës, Madeleine Albright, ish- sekretare e Shtetit të SHBA-ve. Ajo na dha shpresë, kur nuk e kishim atë, u bë zëri ynë e krahu ynë kur nuk kishim as zë e as krah. E njohu dhimbjen e popullin tonë sepse edhe vet e kishte përjetuar persekutimin qysh në fëmijëri, prandaj qëndroi e vendosur kundër Millosheviq-it deri në ndaljen e gjenocidit të tij në Kosovë. E përkrahi pareshtur Kosovën deri në frymën e fundit, prandaj populli i Kosovës do ta kujtojë përjetësisht. Modeli i saj i një heroine të pamposhtur, guximtare e të vendosur për të mbjellë vlerat demokratike në çdo vend, do të mbetet përherë modeli që do e ndjekim ne që patëm fatin ta njohim si dhe shumë breza pas nesh”, ka shkruar Osmani.