Presidenti i Ukrainës, Volodimyr Zelensky, në një intervistë për “Suspilne”, këmbënguli se qytete si Kievi, Mariupoli apo Kharkivi nuk do ta pranojnë kurrë pushtimin rus.
“Ne kemi përpara një ultimatum me disa pika. Rusia na thotë që t’i pranojmë ato pika dhe lufta përfundon. Ukraina nuk pranon ultimatum”, tha Zelensky.
Rusia i kishte vendosur ultimatum mëngjesin e sotëm Ukrainës për të dorëzuar Mariupolin, duke premtuar se civilëve dhe ushtarëve do t’u ofrohej largim i sigurt nga qyteti nëse dorëzonin armët.
Ndërkohë, negociatori ukrainas Mykhaylo Podolyak tha se qëndrimi i Ukrainës e ka detyruar Rusinë që ta shikojë më qartë realitetin dhe gjithashtu e ka detyruar që të dialogojë.
Duke folur për BBC, Podolyak siguroi se Kievi nuk do të bëjë kompromise sa i përket integritetit territorial.