-2.1 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Supremja ua ndërpret paraburgimin disa të akuzuarve për rastin “Subvencionet 1”

Sadat Shkodra, Luan Statovci, Berat Nika, Salih Statovci, Hasan Maxharaj, Kushtrim Zogaj dhe Pajtim Krasniqi, nuk do të jenë nën masën e paraburgimit gjatë gjykimit për korrupsion ndaj tyre dhe 14 të përfshirëve të tjerë në rastin e njohur si “Subvencionet 1”.

Kjo pasi që masa e caktuar nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, më 24 janar 2022 dhe e lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit më 3 shkurt 2022, është ndryshuar nga Gjykata Supreme e Kosovës më 15 mars 2022, me atë të paraqitjes në stacionin policor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kjo gjykatë, masën e paraburgimit e ka zëvendësuar me masën e paraqitjes në stacionin policor, pasi që ka vlerësuar se nuk është i arsyeshëm vazhdimi i paraburgimit dhe se masa e paraqitjes në stacionin policor është masë e mjaftueshme për të siguruar praninë e të pandehurve në procedurë.

Një vendim i tillë, është marrë nga kolegji i Gjykatës Supreme i përbërë nga gjykatësit Valdete Daka, Rsim Rasimi dhe Agim Maliqi.

Gjykata Supreme ka konstatuar se në rastin konkret, nuk është i arsyeshëm vazhdimi i paraburgimit ndaj të pandehurit sipas detyrës zyrtare edhe për të pandehurit tjerë si masë më e rëndë për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë penale, edhe pse ekzistojnë kushtet e parapara me nenin 187, par. 1, nënpar. 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.1, të Kodit të Procedurës Penale.

“Nga shkresat e lëndës rezulton se nuk ka ndonjë rrethanë konkrete apo të posaçme që e tregon se të njëjtit do të arratisen, do të pengojnë rrjedhën e procedurës penale apo do të përsërisin veprën penale, andaj kjo gjykatë vlerëson se edhe me masën e paraqitjes në Stacionin Policor mund të sigurohet prania e të pandehurve në procedurë, ndërsa masa e paraburgimi caktohet/vazhdohet vetëm nëse asnjë nga masat alternative nuk mund të jenë efektive në aspektin e parandalimit të arratisjes apo përsëritjes së veprës penale dhe zhvillimit të papenguar të procesit penal, e që një situatë e tillë në rastin konkret, sipas vlerësimit të kësaj Gjykate, nuk ekziston”, thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme.

Supremja ka aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të ushtruar nga mbrojtësi i të akuzuarit Sadat Shkodra, avokati Isa Salihu derisa për pesë të akuzuarit tjerë sipas detyrës zyrtare ka vendosur që t’ua ndërpres masën e paraburgimit.

“Përkundër faktit se të pandehurit Luan Statovci, Berat Nika, Salih Statovci, Hasan Maxharaj, Kushtrim Zogaj dhe Pajtim Krasniqi nuk kanë ushtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, kjo gjykatë vlerësoi se arsyet për të cilat ka marrë vendim në dobi të pandehurit Sadat Shkodra, e që nuk janë të natyrës personale, shkojnë në dobi edhe të pandehurve tjerë, të cilët nuk kanë parashtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, konform nenit 397 të KPPK-së (beneficium cohaesionis) vendosi edhe për këta të pandehur si në dispozitiv të këtij aktgjykimi”, thuhet në vendimin e Supremes.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 15 janar të vitit 2021 kishte nisur veprimet e para hetimore në drejtim të hetimit të disa zyrtarëve të Agjencisë për Zhvillim Bujqësorë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, pas dyshimeve për dallavere me subvencione.

Dyshimet e para ishin se në kohë dhe në vende të ndryshme kanë pranuar ryshfet në forma të ndryshme, kanë dhënë ryshfet dhe të njëjtin e kanë ndarë mes vete me qëllim që në mënyrë të kundërligjshme të përfitonin dobi pasurore.

Mjetet i kishin përfituar duke aplikuar për subvencione, apo duke mundësuar aplikimin dhe në mënyrë të kundërligjshme më pas kanë ndërruar kulturën nga gruri në bujqësi organike me qëllim të përfitimit të subvencioneve.

Pas zhvillimit të hetimeve për pak më shumë se një vit, prokurori Rafet Halimi më 22 shkurt 2022 ka ngritur aktakuzë ndaj 21 personave të cilët i ngarkon me veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrja e ryshfetit” dhe ndihmë në “Marrje ryshfeti”, “Mashtrim në detyrë”, “Dhënia e ryshfetit”, “Mashtrim me subvencione” dhe “Falsifikim i dokumenteve”.

Me këtë aktakuzë do të përballen, Luan Statovci, Sadat Shkodra, Salih Statovci, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj, Habibe Dauti, Alban Bushati, Jeton Sylaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Almir Abdurrahmani, Salih Kelmendi, Bekim Shala, Fuat Morina, Dukagjin Mavraj,  Flamur Zeqiri, Daut Kabashi, Kastriot Berisha, Afrim Abazaj dhe Florim Nimanaj.

Seanca fillestare ishte caktuar të mbahet më 9 mars 2022 nga gjykatësi i Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Kujtim Krasniqi.

Mirëpo, sipas njoftimit nga zyra e gjykatësit, e njëjta ishte anuluar dhe se aktakuza pritet të kthehet në plotësim.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Luan Statovci, Sadat Shkodra, Berat Nika dhe Alban Bushati akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “marrje ryshfeti” nga neni 421, par 3 lidhur me par 2 lidhur neni 31 të KPRK. Ndërsa, Salih Kelmendi po akuzohet për ndihmë në kryen e veprës penale “marrje ryshfeti”.

Në aktakuzë  thuhet se nga 1 korriku 2020 e deri më 24 shkurt 2021, në Prishtinë dhe në Pejë, të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtarë dhe atë Luan Statovci- Drejtor për Pagesa Direkte, Sadat Shkodra -Zyrtar për Pagesë Direkte, Berat Nika – Zyrtar për Pagesa Direkte nga AZHB, Alban Bushati- Zyrtar Administrativ në Drejtorinë për Bujqësi në Komunën e Pejës dhe me ndihmën e të akuzuarit Salih Kelmendi – Inspektor i Tregut në Drejtorin e Inspekcionit në Komunën e Pejës, duke vepruar në bashkëkryerje kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim që të veprojnë në kundërshtim me detyrat e tyre zyrtare, dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë kanë kërkuar ryshfet nga Bekim Shala në vlerë prej 126,000.00€, dhe kanë arritur të pranojnë vlerën prej 92,500.00 €.

Siç thuhet në aktakuzë, fillimisht Shala më 26 gusht 2020 në emër të tij dhe të bashkëshortes Arlinda Seferi ka aplikuar në Komunën e Pejës për të përfituar subvencione për kulturë, grurë dhe misër dhe për kulturë Bimë Mjekësore aromatike, mirëpo Bekim Shala takohet me të akuzuarit Bushati dhe Kelmendi në zyrat e Komunës në Pejë dhe janë pajtuar se si ta ndryshojnë aplikimin për subvencione, pastaj edhe të akuzuarit Nika dhe Shkodra janë takuar në Istog me Shalën ku kanë vizituar pronat e të njëjtit dhe më pas të njëjtit i kanë kërkuar dhe kanë arritur marrëveshje që nga parat e marra në emër të subvencioneve shtesë 70% do t’i marrin të pandehurit në emër të ryshfetit dhe 30% Shala, duke i premtuar se i njëjti do ta fitojë një grant në vlerë rreth 100,000.00€.

Tutje në aktakuzë thuhet se të akuzuarit Kelmendi dhe Bushati vijnë në Prishtinë në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë me qëllim që ta ndryshojnë kulturën dhe në këtë drejtim kundërligjshëm vepron i akuzuari Luan Statovci ia ka dërguar të gjitha të dhënat vëllait të tij Salih Statovci për fermerët e lartcekur,  pastaj i njëjti i dërgon të dhënat tek Almir Abdurramani për t’i pajisur të njëjtit me certifikata dhe në bazë të këtyre të dhënave të rrejshme, nxjerret certifikata nga kompania “Bio-Q-Check” në emër të Bekim Shalës dhe Arlinda Seferit në mënyrë të kundërligjshme pa pasur të mbjellë bujqësi organike.

Tutje në aktakuzë thuhet se i akuzuari Luan Statovci më 23 tetor 2020 i ka dërguar një njoftim elektronik zyrtarëve që për fermerët të cilët kishin sjellë certifikata për prodhim organik të procedohen për pagesë pa raport të kontrollit në terren, e kjo duke vepruar në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ 03/2020 me të cilin është paraparë që kontrolli në terren për këtë lloj është i obligueshëm 100%.

Sipas aktakuzës pasi që Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë ka ekzekutua pagesat e subvencioneve, Shala i kishte tërhequr të njëjtat dhe më pas i ka dorëzuar të akuzuarve Kelmendi dhe Bushati shumën prej 92,500.00 €, të cilat para këta të fundit i kanë ndarë në mes vete shumën prej 37,064.00 €, ndërsa të akuzuarve Shkodra dhe Nika i kanë dorëzuar shumën prej 54,000.00 €, dhe këta të fundit i ndajnë me të akuzuarin Luan Statovci në Prishtinë.

Ndërsa sipas aktit akuzues, Shala paratë në vlerë prej 33,800.00€, të cilat i kishte marrë në këstin e fundit nuk ka arritur t’ua dorëzonte të akuzuarve, meqenëse të njëjtit janë arrestuar më 24 shkurt 2021, por të njëjtat i ka mbajtur për vete dhe më 13 dhjetor 2021 i ka dorëzuar në polici, kurse shumën tjetër 54,000.00€ e ka ndalur për vete në emër të subvencioneve reale që kishte mbjellë.

Prokuroria pretendon se me këto veprime, të akuzuarit në bashkëkryerje i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerën prej 180,000.00 euro.

Pika e dytë e aktakuzës i ngarkon  të akuzuarit Salih dhe Luan Statovci se nga 1 korriku 2020 e deri më 24 shkurt 2021 në Prishtinë dhe në Pejë nga 1 korrik 2020 deri më 24 shkurt 2021, në Prishtinë dhe në Pejë, i kanë kërkuar ryshfet Kastriot Berishës në shumë prej 90,000.00€ lidhur me aplikimin e të njëjtit për subvencione.

Siç thuhet në aktakuzë, fillimisht Kastriot Berisha më 28 gusht 2020 ka aplikuar në Komunën e Pejës për përfitimin e subvencioneve në AZHB, dhe gjatë këtij muaji së bashku me Fuat Morinën takohen me të akuzuarin Statovci me të cilin janë marrë vesh se si të paraqesin kërkesë për ndërrimin e kulturës bujqësore, kinse ka të mbjellë bujqësi organike me qëllim që lënda të përfshihet në listën e pagesave. Prokuroria pretendon se nga përfitimet e këtij subvencioni 50 % të fondit do t’i takonin të akuzuarit Salih me zyrtarët e AZHB kurse 50% aplikuesit.

Për këto veprime, prokuroria pretendon se të akuzuarit Statovci në bashkëkryerje i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës, në vlerën prej 245,000.00 €.

Prokuroria e ngarkon Luan Statovcin me veprën penale “marrje ryshfetit” nga neni 421, par.3 lidhur me par.2 të KPRK-së. Ndërsa, Salih Statovcin e ngarkon për ndihmë në kryerjen e veprës penale “marrje ryshfeti”.

Edhe pika e tretë e aktakuzës i ngarkon dy të akuzuarit Statovci me veprat penale si në pikën 2 të aktakuzës.

Në pikën e tretë të aktakuzës thuhet se të akuzuarit e lartcekur gjatë datave si më lartë nga Fuat Morina i cili ka aplikuar në Komunën e Pejës për të përfituar subvencion nga AZHB-ja për kulturën grurë, kanë kërkuar ryshfet me qëllim të ndërrimit të kulturës nga gruri në bujqësi organike edhe pse i njëjti nuk kishte të mbjellë asgjë organike. Prokuroria pretendon se nga përfitimet e këtij subvencioni 50 % të fondit do t’i takonin të akuzuarit Salih me zyrtarët e AZHB kurse 50% aplikuesit.

Sipas prokurorisë, të akuzuarit me këto veprime, kanë dëmtuar në shkallë të madhe buxhetin e Republikës së Kosovës, në vlerë prej 109,520.00euro.

Edhe pika e katërt i ngarkon dy të akuzuarit Statovci për të njëjtat vepra penale. Ata në këtë pikë akuzohen nga prokuroria se kanë përfituar ryshfet nga Flamur Zeqiri me qëllim që të njëjtit t’ia rregullojnë dokumentacionin për përfitimin e subvencionit për bujqësi organike.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon ata se i kanë shkaktuar dëm buxhetit të vendit, në vlerë prej 54,750.00 euro.

Tutje pika e pestë e aktakuzës e ngarkon Hasan Maxharraj me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar nga neni 414 par.2 lidhur me par.1 të KPRKS-së dhe pika e 20 e ngarkon atë me veprën penale “mashtrim me subvencione”, nga neni 324, par.3 lidhur me par.1 të KPRKS-së.

Në këto pika thuhet se Maxharraj si zyrtar për Zhvillimin e Bujqësisë në Drejtorinë për Bujqësi, Pylltari dhe Hidroekonomi në Komunën e Istogut duke përdorur të dhënat personale të motrës së tij Kumrije Maxharraj  ka aplikuar në këtë komunë për përfitimin e subvencioneve duke përdorur kontrata të falsifikuara kinse ka marrë prona me qira dhe ka nënshkruar në emrin e motrës së tij si qiramarrëse dhe si qiradhënës në emrin e personave Radislav Pantiq, Milan Popovic, Miljan Xholiq, Vugko Lacmanovie, Ostajiq Nedeljko, Dobrosav Memarovic, Radoje Popovic, Miroslav Popovic, Spasoje Romanoviq, Ljishiq Koeusha, Bojiq Verica, Qedomir Spasiq, Radosav Xhokiq, Besnike Avdijaj dhe Nedeliko Ostojiq.

Më pas në aktakuzë thuhet se i akuzuari Maxharraj është qasur në kompjuter me të dhënat e zyrtarit Granit Lubeniqi pa dijeninë e tij dhe ka vendosur në sistem lëndën në emër të motrës së tij. Pastaj ABZH duke u bazuar në të dhënat e falsifikuara ka ekzekutuar pagesat në emrin e Kumrije Maxharraj në shumën prej 42,184.50 euro, pastaj këto para i dorëzon të akuzuarit Maxharraj.

Pika e gjashtë e aktakuzës e ngarkon të akuzuarin Luan  Statovci me keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.2 lidhur me par.1 të KPRKS-së, ndërsa dhe Salih Statovcin dheAlmir Abdurrahmanin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390, par.3 lidhur par.1 dhe nenin 31 të KPRKS-së.

Sipas kësaj pike, të akuzuarit për vete apo për personin tjetër pasi që të njëjtit kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme duke lëshuar certifikata dhe falsifikuar dokumente lidhur me aplikimin për subvencioneve në atë mënyrë fillimisht i akuzuari Luan është qasur në lëndët e aplikuesve Zeqiri, Seferi, Shala dhe Maxharraj, i ka fotografuar ato dhe i ka dërguar tek vëllai i tij Salih në rrjetin social “Whatsapp”, ku i njëjti pas pranimit dhe të dokumentacionit të Berishës dhe Morinës i dërgon tek i akuzuari Abdurrahmani , dhe ky i fundit në cilësi të përfaqësuesit lëshon certifikata për bujqësi organike bimë mjekësore aromatike në mënyrë të kundërligjshme.

Në aktin akuzues thuhet se këto certifikata aplikuesit më pas i kanë dorëzuar në AZHB  dhe në bazë të tyre kanë përfituar subvencione në mënyrë të kundërligjshme. Me këto veprime, prokuroria pretendon se të akuzuarit i kanë shkaktuar buxhetit të RKS-së dëm në shumë prej 590,000.00 euro.

Sipas pikës 7 të aktit akuzues, Jeton Sylaj në cilësinë e zyrtarit për aplikim për subvencione në Komunën e Istogut,  më 28 gusht 2020 në zyrën e tij ka pranuar aplikacionin e Dukagjin Mavraj, i cili ka aplikuar për subvencione për vitin 2020 duke përdorur në mënyrë të kundërligjshme pronën e Komunës së Istogut.

Në aktin akuzues thuhet se Sylaj më pas ka vendosur këtë aplikacion në sistem edhe pse ka pasur mospërputhje në mes të digjitalizimit të parcelave, i cili është bërë në lokacion tjetër dhe fletave poseduese të tokës të marrë kinse me qira në një lokacion tjetër. Prokuroria pretendon se i akuzuari Sylaj me këto veprime i ka mundësuar Mavrajt të përfitojë subvencione në mënyrë të kundërligjshme, duke i shkaktuar dëm buxhetit të RKS-së në vlerë prej 15,039.00 €.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon Sylajn se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par 2 lidhur me par.1 të KPRKS-së.

Pika e 8 e aktit akuzues e ngarkon Kushtrim Zogaj se nga 1 dhjetori 2020 si zyrtar i lartë për Politika Bujqësore në Komunën e Istogut në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar ryshfet në vlerë prej 15,000.00 euro nga Mavraj për mënyrën e aplikimit dhe udhëzimit për subvencionin e lartcekur.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Zogaj me veprën penale “marrje ryshfeti”, nga neni 421 par.3 lidhur me par.2 të KPRKS-së.

Tutje, sipas pikës 9 të aktakuzës, Sadat Shkodra dhe Luan Statovci po ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “marrje ryshfeti”, nga neni 421, par.2 e lidhur me nenin 31 të KPRKS-së.

Siç thuhet në këtë pikë, më 19 shkurt 2021, në AZHB , të akuzuarit Statovci dhe Shkodra kanë pranuar ryshfet nga Dukagjin Mavraj përmes të akuzuarit Zogaj, ashtu që të njëjtit me të kuptuar se lënda ka parregullsi në dokumentacion kanë kontaktuar Mavraj, e pastaj i njëjti ka kontaktuar të akuzuarin Zogaj, ku ky i fundit me të marrë shumën prej 15 mijë euro si ryshfet, 11,500.00 euro i ndalë për vete ndërsa 3,500 euro ia dorëzon të akuzuarit Shkodra me qëllim që të futet lënda në listën e pagesave, e që më pas i akuzuari Shkodra 1,800.00 euro i ndalë për vete dhe 1,700.00 euro ia dorëzon të akuzuarit Statovci.

Në pikën 15 të aktakuzës Alban Bushati dhe Salih Kelmendi akuzohen për falsifikim të dokumentit zyrtarë, me çka  dyshohet se i kanë shkaktuar dëm buxhetit në vlerë prej 180,000.00.

Sipas aktakuzës nga 1 korrik 2020 deri më 24 shkurt 2021, në Pejë dhe në Prishtinë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe personat tjerë kanë përpiluar dokumente të falsifikuara dhe kane dorëzuar në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë në emër të Bekim Shala dhe Arlinda Seferi, në atë mënyrë që sipas marrëveshjes paraprake që kishin pasur të pandehurit me të akuzuarin Shala të ndryshojnë kulturën të pandehurit Salih Kelmendi dhe Alban Bushati vijnë në Prishtinë në AZHB paraqesin kërkesat në emër të Bekim Shala për ndryshimin e kulturës bujqësore nga kultura grurë dhe misër në kulturë në bazë të ndryshimeve të kundërligjshme.

Në mënyrë të kundërligjshme më pas Shala thuhet se ka përfituar subvencion në vlerë 83,860.00€ dhe Arlind Seferi vlerën 96,540.00€, pastaj kur Bekim Shala i tërheq paratë nga banka, atëherë iu jep ryshfet të pandehurit Alban Bushati dhe Salih Kelmendi vlerën prej 92,500.00 €, ndërsa pjesën tjetër i ndalë për veti.

Në dispozitivin e 16 të aktakuzës, Bekim Shala po akuzohet për mashtrim me subvencione, me të cilën vepër dyshohet se i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit dëm prej 180, 000.00 euro.

Në aktakuzë thuhet se nga 1 korrik 2020 e deri më 24 shkurt 2021 në Prishtinë dhe Pejë ka ofuar të dhëna të pasakta në AZHB duke paraqitur kërkesa në emër të vetin dhe gruas së tij për subvencion për kulturë bujqësore grurë, por pas një kohë me marrëveshje me personat Alban Bushati,  e ndryshon aplikimin e tij për grurë dhe misër në bimë mjekësore organike dhe pajiset me certifikatë ku më pas AZHB ekzekuton pagesat e subvencioneve për të dhe bashkëshorten e tij në shumë prej 180,000.00 €,.

Në dispozitivin e 17, Kastriot Berisha po akuzohet për veprën penale mashtrim me subvencione, me veprimet e tij ai dyshohet se i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit 245,500.00€.

Sipas aktakuzës nga 1 korrik 2020 deri më 24 shkurt 2021, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme ka bërë mashtrim me subvencione duke paraqitur të dhëna të pasakta në AZHB, ashtu që më 28 gusht 2020 aplikon për përfitimin e subvencioneve nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë.

Në aktakuzë thuhet se më 30 shtator 2020 shkon në Komunën e Pejës dhe paraqet kërkesë për ndërrimin e kulturës ku më vonë pranon nga Salih Statovci një certifikatë të lëshuar nga trupa kontrolluese “Bio-Q-Check” nga Almir Abdurramani në mënyrë të kundërligjshme e për të cilën e paguan Salih Statovcit shumën 3,500.00€ dhe më pas në bazë të kësaj ekzekuton pagesat subvencion në vlerë 105,000.00€ dhe 140,500.00€.

Në dispozitivin 18 të aktakuzës Fuat Morina akuzohet për mashtrim me subvencione, me çka dyshohet se i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit 109,502.00€.

Sipas aktakuzës nga 1 korrik 2020 deri më 24 shkurt 2021 në Pejë i akuzuari ka paraqitur të dhëna të pasakta në AZHB, ashtu që fillimisht më 28 gusht 2020, aplikon për përfitimin e subvencionit për kulturë grurë e që më pas paraqet kërkesë për ndërrim të kulturës  e që më pas i akuzuari Salih Statovci lëshon një certifikatë nga “Bio-Q-Check” në mënyrë të kundërligjshme për çka e paguan Statovcin  3,500.00€, pastaj në bazë të këtyre të dhënave të rrejshme ekzekuton pagesat  në dy këste, 54,760.00€, pastaj edhe 54,760.00€.

Në dispozitivin 19 të aktakuzës, Flamur Zeqiri akuzohet për mashtrim me subvencione, me çka dyshohet se i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit 54,760.00€.

Sipas aktakuzës nga 1 korrik 2020 deri më 24 shkurt 2021, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror ka bërë mashtrim me subvencione duke paraqitur të dhëna të pasakta  në AZHB ashtu që më 4 gusht 2020 aplikon për përfitimin e subvencionit për kulturë grurë e që më pas paraqet kërkesë për ndërrim të kulturës  e që më pas i akuzuari Salih Statovci lëshon një certifikatë nga “Bio-Q-Check” në mënyrë të kundërligjshme për çka e paguan Statovin  3,500.00€, pastaj në bazë të këtyre të dhënave të rrejshme ekzekuton pagesat  në dy këste, 54,760.00€, pastaj edhe 54,760.00€./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img