Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka reaguar kryeministri Kurti i cili së bashku me kryediplomaten gjermane Annalena Baerbock sot ka inauguruar Parkun e Erës në Mitrovicë nga i cili do të gjenerohen 10% të kapacitetit energjetik të vendit. Por për këtë projekt Haradinaj tha se qeveria Kurti ka zero merita.
Ai ka thënë se sikur Kurti të mos refuzonte edhe projektin e termocentralit Countur Global dhe gazsjellësit sot s’do të kishte probleme me energjinë elektrike.
“Kryetari i Qeverisë sot paska marrë pjesë në inaugurimin e Parkut të Erës në Mitrovicë, një investim i jashtëzakonshëm i Kosovës me vendet mike, që është një lajm fantastik, sado që meritat e kësaj qeverie për këtë projekt janë zero. Sikur ky kryeministër e kjo qeveri të mos e kishin kundërshtuar projektin e termocentralit të ri me Countur Global, apo projektin e gazsjellësit amerikan Shkup-Prishtinë, sot do të mund t’u gëzoheshim edhe dy sukseseve të jashtëzakonshme në fushën e energjisë, e nuk do t’i vuanim pasojat e mungesës së energjisë e çmimeve stratosferike”, tha Haradinaj.
Ai tutje u shpreh se Kurti duhet të marrë shembull sipas tij se si kryhen punët për vendin e pse jo t’i thoshte disa fjalë të mira edhe për Qeverinë Haradinaj.
“Qeveria duhet të marrë shembull nga Parku i Erës në Mitrovicë, se si nisen e kryhen punët e interesit strategjik për vendin, e pse jo t’i thoshte disa fjalë të mira edhe për Qeverinë Haradinaj, që kishte vizion të qartë se si zgjidhej situata elektro-energjetike në vend. Sidoqoftë ky është sukses i Kosovës, e cila ka nevojë urgjente që t’i shtyjë edhe projektet tjera në fushën e energjisë, që sot janë ndalur nga Kryeministri Kurti”, ka shkruar Haradinaj.