1 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

KPM-së i kërkohet të identifikojë kanalet serbe që shfaqin lajme propaganduese për luftën në Ukrainë

Derisa Kosova nuk është në gjendje ta ndal piraterinë, nuk do të mund t’i ndal as lajmet propaganduese, as lajmet e rreme, e aq më pak ato që infiltrohen nga Federata Ruse. Kështu u konstatua sot në tryezën e organizuar nga Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Medie dhe Zhvillim Rajonal gjatë diskutimit për piraterinë, portalet dhe IPTV-të që shpërndajnë lajme të rreme dhe propagandë.

Kryetarja e Komisionit Doarsa Kica Xhelili ka kërkuar nga Komisioni i Pavarur për Media të identifikohen edhe kanalet televizive serbe që janë të licencuara nga operatori mobil serb “MTS” në Mitrovicë, që sipas saj shpërndajnë lajme të rreme lidhur me luftën në Ukrainë.

“Në qoftë se nuk jemi në gjendje ta ndalim piraterinë, nuk do të mund të jemi në gjendje t’i ndalim as lajmet propaganduese, as lajmet e rreme, e aq më pak ato që infiltrohen nga Federata Ruse…Ne e dimë që për shkak të marrëveshjeve të caktuara sot në Kosovë e kemi të licencuar MTS-në, e cila vepron kryesisht në Mitrovicë, dhe në qoftë se analizojmë kanalet që i ka kjo platformë, vërejmë që kanalet janë kryesisht ato të Serbisë. Dhe duke njohur politikën momentale, kuptojmë që shumica e kanaleve serbe për momentin shfaqin lajme propaganduese dhe ‘fake neës’ në Kosovë lidhur me situatën në Ukrainë. Prandaj, përveç bllokimeve të kanaleve që vijnë nga Federata Ruse, të identifikoni kanalet në kuadër të ‘MTS’ të cilat propagandojnë në këtë drejtim”, theksoi ajo.

Ndërkaq, Xhevat Latifi, kryetar i Komisionit të Pavarur për Media (KPM), deklaroi se vetëm gjatë vitit 2021 kanë identifikuar 13 operatorë ilegalë IPTV, teksa theksoi se këtë çështje nuk mund ta adresojë KPM-ja si e vetme.

“Sa i përket vendimit për ndërprerjen e kanaleve ruse, është ngritur si shqetësim nga shoqëria jonë dhe vendimi është bazuar në bazën ligjore. Problematika e piraterisë, edhe pa problemin e luftës në Ukrainë dhe pa vërshimin e lajmeve dhe zhvillimeve me të cilat po kanë impakt në shoqërinë tonë, kjo është përcjellë nga KPM. KPM gjatë vitit 2021 ka identifikuar operatorë ilegalë shpërndarës në Kosovë, 13 operatorë… Sfidë mbetet pirateria online përmes IPTV adresave dhe me keqardhje mund të themi se KPM identifikimin e kësaj dukurie nuk mund ta bëjë e vetme si KPM”, theksoi ai.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, tha se dezinformimi është brengë dhe ka marrë edhe vëmendjen e kryeministrit, Kurti.

Kryeziu tha se Bashkimi Evropian po e konsideron dezinformimin si kërcënim mbi demokracinë dhe sigurinë.

“Kjo temë ndonëse po zhvillohet së fundmi tek ne, tash e një kohë është temë kryesore në Bashkimin Evropian dhe në shoqëritë perëndimore të cilat po ballafaqohen me dezinformimin si ndërhyrje e jashtme, duke e konsideruar atë si kërcenim të demokracisë, por edhe të sigurisë së tyre të brendshme… Për një kohë të gjatë ne jemi ballafaquar me ato që i quajmë lajme të rrejshme, e që shumë shpesh e kanë ka pasur karakterin e zhvillimeve të brendshme politike, por duket se tashmë nuk është koha që t’i trajtojmë vetëm si të tilla. Kështu që ta kemi parasysh që dezinformimi po përdoret edhe si formë e ndërhyrjes së jashtme në vendin tonë”, theksoi ai.

Ndërsa, pronarja e kompanisë “Koha”, Flaka Surroi, ka evidentuar 145 portale të cilat sipas saj vjedhin lajmet e prodhuara nga mediumi i tyre, “Koha”.

Surroi ngriti edhe problemin me IPTV dhe televizioneve.

“Ne piraterinë e kemi shumë prezente edhe tek portalet, të cilat nuk janë të rregulluara në këtë shtet. E kemi një zbrazësi juridike, e cila na ka lënë në ajër dhe pezull duke mos ditur se kujt i përgjigjen, a duhet të marrin licencë dhe të funksionojnë si mediume. Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, e ka marrë mbi vete njëfarë përgjegjësie për t’i mbikëqyrur portalet, por se ajo i ka diku 30 portale të regjistruara si anëtarë të KMSHK-së, e unë para vetes e kam një listë prej 145 portaleve të cilat vjedhin informatat të cilat ‘Koha’ i boton ditë për ditë. Përderisa unë kam qenë në gjendje t’i identifikoj 145 portale, kush e di edhe sa të tjera janë, të cilat i marrin lajmet pa kurrfarë ‘pardoni’, vjedhin informatën e cila prodhohet prej një mediumi, i cili harxhon para në mbajtjen e gjithë atij stafi për me prodhuar një lajm të besueshëm, dikush me një ‘klik’ vjen ta vjedh, e qet edhe ta mbyt komplet funksionimin e një sistemi të parapagimit. Tek televizionet, kemi probleme të IPTV, IPTV janë prezent kudo, edhe nëse donë me gjet një IPTV të mirë ku mundesh të shikosh futboll pa pare”, tha ajo.

Kurse, avokati Florin Lata nga Shoqata për Menaxhimin kolektiv të të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta në fushën audio-vizuele (VAPIK) tha se mos përcaktimi i tarifave është vërejtje e raportit të progresit. Ai përmendi me emra operatorët e mëdhenj kabllorë që nuk kanë paguar në VAPIK siç është paraparë me ligjin për të drejtat e autorit dhe nuk i kanë regjistruar marrëveshjet e tyre. /kp

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img