Ushtarët rusë që po marrin pjesë në pushtimin e Ukrainës janë në në kaos total, sipas një audiopërgjimi të siguruar nga një kompani britanike të shërbimeve inteligjente, raporton A2CNN
Mesazhi radiofonik i regjistruar prej tyre tregon se një pjesë e mirë e trupave refuzojnë t’u binden urdhrave të komandës qendrore për të bombarduar qytetet ukrainase dhe po ankohen sepse po u mbaron karburanti dhe furnizimet me ushqime.
Në një prej bisedave, të dëgjuar nga “The Telegraph”, një prej ushtarëve qan ndërsa një tjetër humbet toruan teksa kërkon furnizime me ushqim dhe karburant. Samuel Cardillo, themeluesi “ShadowBreak”, kompania që ka siguruar mesazhet, tha se mesazhet i janë dërguar nga persona të pasionuar pas radioamatorizmit, që kanë kapur mesazhet me antena.
“Zbuluam që trupat ruse janë në kaos total. Nuk e kanë idenë se ku po shkojnë dhe si të komunikojnë me njëri-tjetrin. Kemi dëgjuar edhe momente që ata janë duke qarë gjatë luftimeve, ose që shahen me njëri-tjetrin. Është e qartë që morali i tyre është përtokë”. Cardillo tha se disa prej mesazheve janë edhe provë për kryerjen e krimeve të luftës, sepse zbulojnë se ushtarët kanë marrë urdhra për të lëshuar predha në zonat urbane.
Në të njëjtën kohë, një zyrtar i lartë i Departamentit të Mbrojtjes, tha për “New York Times” se ushtarët rusë kanë filluar të shpojnë me dashje serbatorët e mjeteve të tyre, që të mos kenë karburant për të vijuar pushtimin.
Ushtarë të shumtë rusë janë zënë rob nga ukrainasit gjatë ditëve të fundit. Në disa video të publikuara online, Ukraina ka treguar fytyrat e tyre, ndërsa ambasadori ukrainas në OKB lexoi mesazhin e një ushtari të vrarë në luftime me nënën e tij, ku i tregonte se nuk e dinte që e kishin dërguar në luftë.
Sipas Ukrainës, mbi 5800 ushtarë rusë kanë humbur jetën gjatë pushtimit që nisi gati një javë më parë. Rusia nga ana e saj, ka pranuar se ka pësuar humbje në njerëz, por nuk ka deklaruar asnjë shifër zyrtare të viktimave./A2CNN