-2.1 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Kosovës i duhen edhe 10 vjet për t’iu afruar BE-së

Me gjithë vështirësitë e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, Ministria e Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës qe disa muaj ka mbetur pa “zot shtëpie”, pasi që ish-ministri Bekim Çollaku ka lënë këtë dikaster qeveritar për të shkuar në kabinetin e presidentit Hashim Thaçi. Partnerët e koalicionit qeverisës ende nuk kanë arritur ta emërojnë ministrin e ri.

Integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian nuk do të jetë një proces i lehtë dhe i shpejtë. Përkundrazi, ky rrugëtim mund të zgjasë me vite të tëra. Me gjithë vështirësitë e këtij procesi, Ministria e Integrimeve Evropiane qe disa muaj ka mbetur pa “zot shtëpie”, pasi që ish-ministri Bekim Çollaku ka lënë këtë dikaster qeveritar për të shkuar në kabinetin e presidentit Hashim Thaçi, shkruan ZERI.
Të gjithë drejtuesit e institucioneve vendore kanë premtuar vazhdimisht se këtë vit BE-ja do t’ia heqë vizat Kosovës, por për shkak të mosratifikimit të Marrëveshjes së Kufirit me Malin e Zi , si dhe mosluftimin e korrupsionit një gjë e tillë nuk ka ndodhur as sivjet. Shpresat janë se liberalizimi i vizave me BE-në mund të ndodhë gjatë vitit 2017.
Artan Murati, njohës i proceseve integruese dhe hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, ka vlerësuar se lënia e Ministrisë së Integrimeve pa ministër paraqet një “anomali”.
“Në aspektin e funksionimit normal të institucioneve të vendit mungesa e ministrit për Ministrinë e Integrimit Evropian paraqet një anomali, pasi që një ministri me detyra e përgjegjësi shumë të rëndësishme në procesin e integrimit të vendit në BE assesi nuk guxon të mbetet pa zot shtëpie”, ka deklaruar ai për “Zërin”.
Murati më tej ka thënë se Ministria në fjalë përpos MSA-së nuk ka sjellë ndonjë rezultat tjetër për t’u mburrur.
“Ministria e Integrimeve në përgjithësi ka tentuar ta trasojë rrugën e vendit drejt këtij procesi, mirëpo deri më tani përveç nënshkrimit të MSA-së nuk mund të mburremi me procesin e arritur”, ka vazhduar ai.
Kurse ka vlerësuar se Qeveria duhet t’i kushtojë vëmendje më të madhe një procesi të tillë dhe në mënyrë urgjente ta emërojë ministrin e Integrimeve.
“Qeveria e Kosovës duhet të merret seriozisht me procesin e integrimit në BE. Mendoj që koalicioni qeverisës duhet urgjentisht t’i emërojë udhëheqësit e kësaj Ministrie, pasi që ky proces nuk guxon të ndalet”, ka shtuar ai.
Ndërkohë ka konsideruar se Kosova edhe 10 vjet së paku nuk do të arrijë të bëhet pjesë e BE-së.
“Sa i përket procesit të integrimit në përgjithësi, Kosova vazhdon të mbetet larg objektivave. Kosovës do t’i duhen së paku edhe 10 vjet për t’u afruar drejt BE-së”, ka përfunduar Murati
Abazi: Lënia e MIE-së pa ministër, papërgjegjësi e lartë
Nga ana tjetër Haki Abazi, nga “Rockfeller Brothers Fund”, ka vlerësuar se lënia e Ministrisë së Integrimit pa ministër i përket tërësisht joseriozitetit.
“Rasti i Ministrisë së Integrimeve tregon joseriozitetin dhe papërgjegjësinë e njerëzve që zënë pozita të larta. Atëherë kur u duk se po bëhet liberalizimi ngriheshin sikur kanë bërë punë të madhe me mëngët e këmishëve të përvjela, kur u kuptua që nuk ka liberalizim e lanë vendin dhe Ministrinë të boshatisur”, është shprehur ai.
Sipas Abazit, një veprim i tillë paraqet një papërgjegjësi totale.
“Kjo është papërgjegjësi e lartë. Ministria pa udhëheqje lë një boshllëk të madh në përafrimin e legjislacionit e procedurave dhe gjithashtu krijon hapësirë për ndikim jo të domosdoshëm pozitiv në zhvillimin progresiv drejt integrimeve evropiane”, ka shtuar tutje ai.
Abazi më tej ka thënë se e tërë kjo papërgjegjësi tregon joseriozitetin për procesin e integrimeve, përderisa retorika për integrime, siç është shprehur ai, është gjithmonë kryefjala e liderëve politikë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img