1.9 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Zyrtari i MI-së flet për presionin që iu bë nga kabineti i Pal Lekajt

Katër ish-ministra të Qeverisë Haradinaj janë intervistuar nga hetuesia për aferën e pagesës së 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel Enka” për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”. Krahas dëshmisë së ish-ministrave, një zyrtar i Ministrisë së Infrastrukturës, sipas aktakuzës të cilën e siguroi KOHA, del të jetë një nga dëshmitarët më të fortë kundër të akuzuarve në këtë rast.

Avdi Kamerolli në vitin 2018 ishte drejtor i përkohshëm i Departamentit ligjor në Ministrinë e Infrastrukturës. Ai në hetuesi ka thënë se kabineti i Lekajt i kanë bërë presion për rastin e pagesës së 53 milionë eurove. Përgjegjësinë e ka hedhur tek ish-këshilltari i Lekajt, Eset Berisha. Para hetuesisë ka deklaruar që Berisha në zyrë e kishte “mësuar” se si ta përpilonte një opinion ligjor në lidhje me këtë çështje.

“Me datë 31.052018 me sa i kujtohet, të njëjtin e ka ftuar në zyrën e tij Eset Berisha, këshilltari ligjor i ministrit Pal Lekaj. Tutje shton se pas ftesës kishte shkuar në zyrën e Eset Berishës dhe gjatë bisedës Eseti ia kishte paraqitur rreth 3-4 fleta dhe kishte kërkuar nga ai që shënimet që ishin në ato letra t’i inkorporonte në një opinion ligjor, sepse kjo ishte kërkesë e kabinetit të ministrit dhe opinioni ligjor duhet të bëhej brenda ditës pasi që ishte urgjent”, ka thënë ai në hetuesi.

Kamerolli ka thënë se Berishës nuk ia kishte plotësuar këtë kërkesë, por fillimisht i kishte kërkuar që një gjë të tillë t’ia shkruante përmes emailit.

“Sipas dëshmitarit Eset Berisha kishte kërkuar opinion ligjor, ku konkretisht përmes këtij opinioni të konfirmojmë se MI ka obligim për ekzekutim të borxhit ndaj kompanisë Bechtel Enka shumën prej 63 milionë euro”, thuhet në aktakuzë.

Megjithatë Berisha s’i ka dërguar atë ditë kërkesë zyrtare në email për një gjë të tillë, por ia kishte dërguar një dokument ku thuhej që borxhi ishte në këtë vlerë. Kamerolli në hetuesi ka thënë se i është përgjigjur Berishës në email se nuk ka njohuri për këtë rast, sepse nuk ishte në asnjë fazë i ngarkuar me projektin.

Por të nesërmen ishte ftuar sërish nga kabineti. Kësaj radhe Berisha sipas dëshmisë së Kamerollit ia kishte shkruar opinionin ligjor, i cili duhej të nënshkruhej nga vetë Kamerolli. Madje kishte ultimatum kohor për ta vënë nënshkrimin në një dokument që në fakt nuk ishte hartuar nga ai.

“Dëshmitari tutje deklaron se në momentin që e kishte lexuar opinionin e shkruar nga Eseti nuk kishte pranuar ta nënshkruajë, sepse nuk ishte opinioni i tij, ndërsa Eseti i kishte thënë dëshmitarit se ti brenda ditës duhet ta nënshkruash këtë opinion, për këtë je i obliguar…”, citohet dëshmia e tij në aktakuzë.

Prapë thotë që nuk e ka nënshkruar, por ka kërkuar që i njëjti t’i dërgohet në email.

Në hetuesi Kamerolli ka deklaruar se në orën 09:14 të ditës së njëjtë e ka pranuar këtë email.

Por sërish thotë që nuk ka pranuar ta dërgojë opinionin që e donte këshilltari Berisha, por e ka bërë një version të tijin, bazuar në bindjen që kishte. Ai në këtë opinion ka folur vetëm për mundësinë e zgjatjes së afatit që sipas tij ishte e ligjshme, por nuk është marrë fare me shumën e pagesës. Ai kishte shkruar se një çështje e tillë duhej të adresohej nga “Hill International”, personat përgjegjës që menaxhonin me kontratën, si dhe departamenti i prokurimit.

Opinioni i ishte dërguar kabinetit, por edhe ishte protokolluar.

Aktakuza thotë që ai ishte ftuar sërish në kabinet dhe i ishte kërkuar të ndryshohej ky opinion, konkretisht të hiqej pjesa ku thuhej që “Hill International” ishte përgjegjës për përcaktimin e pagesës.

Thotë që për shkak se situata ishte e tensionuar, nën presion ka pranuar ta ndryshojë deklaratën.

Por sërish ishte ftuar nga Berisha, i cili sipas aktakuzës i kishte kërkuar që të bënte edhe një ndryshim të cilin Kamerolli nuk ka pranuar ta bëjë.

“Tutje deklaron se ai nuk kishte pranuar që të bëhej më asnjë ndryshim për këtë çështje dhe menjëherë kishte dalë nga zyra e Esetit në mënyrë demonstrative, ka shkuar në shtëpi dhe e kishte fikur telefonin celular, ndërsa të nesërmen kishte hyrë në pushim vjetor, ku kishte qëndruar përafërsisht një muaj”, thuhet në aktakuzë.

Disa muaj pas kësaj ngjarjeje, atë e kishin larguar nga puna.

“Më 21 nëntor 2018 i njëjti ishte larguar nga puna nga ish-sekretari Betim Reçica, pa ndonjë arsye, mirëpo siç dyshon ai arsyeja e vërtetë ka qenë se nuk kishte dhënë opinion siç kishin kërkuar ata”, thuhet në fund të pjesës ku citohet dëshmia e Kamerollit.

Në aktakuzë përshkruhen edhe qëndrimet e të akuzuarve gjatë intervistimit, në fazat e hetimit.

“Pal Lekaj deklaron se të gjitha pagesat për kompaninë ndërtuese janë bërë në harmoni me rregullat dhe kontratat e nënshkruara në mes të qeverisë dhe kompanisë ndërtuese”, citohet në aktakuzë deklarata e Lekajt.

E i akuzuari tjetër, ish-sekretari Nebih Shatri në mënyrë direkte përgjegjësinë se pse e ka nënshkruar një marrëveshje pa kosto financiare që i kishte hapur rrugë pagesës se 53 milionë eurove e ka hedhur tek ish-ministri Lekaj.

“Po ashtu pohon faktin se marrëveshja nuk e ka përmbajtur koston financiare ashtu siç parashihet në kontratën bazë dhe rregullat kontraktuale. Mirëpo i njëjti mbrohet me faktin se këtë marrëveshje e ka nënshkruar duke pasur besim të plotë në ministrin e MI, të pandehurin Pal Lekaj”, thuhet aty.

E, i akuzuari i tretë, ish-këshilltari Eset Berisha para hetuesve ka thënë se ai nuk ka pasur ndonjë kompetencë në këtë çështje.

“Ai mohon të ketë kryer ndonjë veprim të kundërligjshëm në kohën sa ka ushtruar detyrën e këshilltarit, dhe se detyrat e tij kanë qenë këshilluese dhe nuk ka pasur as detyrë dhe as përgjegjësi lidhur me këtë projekt”, ka deklarua ai, sipas aktakuzës.

Prokuroria Speciale në këtë aktakuzë, përveç Lekajt, ka përfshirë edhe ish-këshilltarin e tij, Eset Berisha e ish-sekretarin e Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatri. Të tre akuzohen për vepra penale, të listuara në kapitullin për korrupsion.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img