-4.6 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

ASHAK me deklaratë: Serbia po ofron perspektiva të errëta për rajonin, situata mund të përshkallëzohet

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës e ka lëshuar një deklaratë për ta tërhequr vëmendjen e vendorëve dhe ndërkombëtarëve se politikat e Serbisë ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor po reciklohen. ASHAK konsideron se Serbia po ofron perspektiva të errëta për rajonin dhe se situata mund të përshkallëzohet në ditët dhe muajt e ardhshëm.

ASHAK sheh se politikat destabilizuese të Serbisë në Ballkanin Perëndimor së fundi kanë njohur përshkallëzim më të madh dhe janë bërë më agresive.

Sipas Akademisë, Serbia vazhdon ta zbatojë strategjinë e mbështetjes te Rusia dhe Kina për nitjen e konflikteve ndëretnike. Në këtë sens, ASHAK sjell në vëmendje deklaratën e të dërguarit të posaçëm amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, i cili kishte thënë se “bota serbe” në të vërtetë është “bota ruse”.

“Duke shfrytëzuar situatat e paqarta dhe ndonjëherë kontradiktore në Bashkimin Europian, përfshirë hezitimet e këtij blloku rreth zgjerimit të mëtejshëm dhe të një qëndrimi më të prerë ndaj Rusisë, pas shfaqjes së krizës së Ukrainës; duke shfrytëzuar edhe ambientin e pavolitshëm politik të shteteve të rajonit, politikat destabilizuese të Serbisë në Ballkanin Perëndimor së fundi kanë njohur përshkallëzim më të madh dhe janë bërë më agresive. Ngecjet në reforma dhe në demokratizim, krizat e njëpasnjëshme politike, korrupsioni dhe krimi i organizuar, në të cilat janë përfshirë shoqëritë ballkanike, kanë krijuar ambient të përshtatshëm për depërtim të papenguar të ndikimeve politike të financuara nga fuqitë me ndikim në rajon, siç janë Rusia dhe Kina”, thuhet në deklaratën e ASHAK.

Rrezikun e ndikimeve politike të financuara nga Rusia dhe Kina, Akademia e sheh edhe në projektin e përbashkët të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, të quajtur “Ballkani i Hapur”.

“Në këtë kontekst duhet parë edhe nismat e Serbisë për “mini-Shengenin” dhe projektin “Ballkani i hapur”, si obstruksion i hapur ndaj BE-së dhe si hapësirë për depërtime të reja politike dhe ekonomike të Rusisë dhe Kinës në Ballkan, duke fuqizuar rolin e Serbisë në rajon dhe duke anashkaluar Kosovën në të gjitha proceset rajonale”, thuhet në deklaratën e ASHAK.

Gjykata Speciale është formuar për ta vendosur shenjën e barazimin midis agresorit dhe viktimës, thotë ASHAK.

“Një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare me Gjykatën Speciale synon të japë mesazhin se lufta në Kosovë ka qenë konflikt ndëretnik dhe se palët ndërluftuese kishin bërë krime mbi njëra-tjetrën, perceptim ky eurocentrist dhe arrogant.”

ASHAK vlerëson se Perëndimi ka pasur sjellje të gabuar ndaj Serbisë që prej rënies së Sllobodan Millosheviqit.

“Akademia konstaton se situata e tanishme në Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën, do të duhej ta nxiste Perëndimin të formulonte një strategji më të qartë kundrejt Serbisë, ndaj synimeve të saj destabilizuese dhe të aleancave të saj me Rusinë dhe Kinën. Akademia gjithashtu konsideron se një zgjidhje e përshtatshme për rajonin e Ballkanit Perëndimor mund të jetë afrimi i shteteve të veçanta me BE-në dhe NATO-n”, thuhet në deklaratën e ASHAK.

Deklarata e plotë e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës:

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës e sheh të arsyeshme që përmes kësaj deklarate t’ia tërheqë vëmendjen opinionit të brendshëm dhe faktorit ndërkombëtar se politikat e Serbisë ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor kanë njohur së fundi një trend riciklimi, duke krijuar një vazhdimësi të politikave të hershme të Serbisë ndaj Kosovës. Perspektivat e errëta që ofron Serbia për rajonin mund të njohin përshkallëzim në ditët dhe muajt e ardhshëm, sepse shoqëria serbe, shteti dhe institucionet e tij, edhe përkundër mbështetjes së vazhdueshme të Perëndimit, nuk janë reformuar e demokratizuar dhe nuk janë dekontaminuar nga idetë nacionaliste serbomëdha.

Duke shfrytëzuar situatat e paqarta dhe ndonjëherë kontradiktore në Bashkimin Europian, përfshirë hezitimet e këtij blloku rreth zgjerimit të mëtejshëm dhe të një qëndrimi më të prerë ndaj Rusisë, pas shfaqjes së krizës së Ukrainës; duke shfrytëzuar edhe ambientin e pavolitshëm politik të shteteve të rajonit, politikat destabilizuese të Serbisë në Ballkanin Perëndimor së fundi kanë njohur përshkallëzim më të madh dhe janë bërë më agresive. Ngecjet në reforma dhe në demokratizim, krizat e njëpasnjëshme politike, korrupsioni dhe krimi i organizuar, në të cilat janë përfshirë shoqëritë ballkanike, kanë krijuar ambient të përshtatshëm për depërtim të papenguar të ndikimeve politike të financuara nga fuqitë me ndikim në rajon, siç janë Rusia dhe Kina.

Eskalimi i situatës para disa muajve në veriun e Kosovës e ka bërë të domosdoshme edhe për bashkësinë ndërkombëtare një rikthim të vëmendjes tek sinjalet e qarta që jep Serbia, për të rindezur një konflikt të ri me Kosovën. Gjendja edhe më tej vazhdon të jetë e ngarkuar me retorikën luftënxitëse të Beogradit, me agjenda dhe premtime nacionaliste të liderëve serbë, me shqetësime rajonale në Republika Srspka në Bosnjë dhe në Mal të Zi, madje edhe në Maqedoninë e Veriut, si dhe me një trysni të fortë të Rusisë për shkak të pranisë së NATO-s në Ukrainë dhe të një mori faktorësh të tjerë ndërkombëtarë.

Kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë, qoftë me retorikë nacionaliste apo me vringëllimë armësh, kanë synime krejtësisht të qarta: i) t’i sigurojnë pushtet një klase politike nacionalistësh të korruptuar; ii) të krijojnë pasiguri në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në favor Rusisë dhe Kinës, në politikat e tyre kundër NATO-s dhe BE-së; iii) të nxisin elementin nacionalist serb në Bosnje, Mal të Zi dhe Kosovë për destabilizim të shteteve përkatëse; iv) të shtrijnë ndikimin e Serbisë në vendet që kanë qenë dikur sferë e saj e interesit; v) të faktorizojnë Serbinë në të gjitha agjendat ndërkombëtare, duke i siguruar asaj primatin e dhunshëm në krye të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Historikisht, Serbia është njëri nga shkaktarët kryesorë i gjithë prapambetjes ekonomike, shoqërore, infrastrukturore, arsimore dhe kulturore të shteteve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa aktualisht ajo është pengesa kryesore e avancimit të këtyre shteteve në reforma dhe në integrimet evropiane. Në Kosovë, Serbia është katalizator i të gjitha krizave politike, madje kuadri politik i brendshëm dhe i jashtëm, që aktualisht dikton profilizimet e spektrit politik të vendit.

Pas një përpjekjeje të gjatë dhe këmbëngulëse, e papenguar nga bashkësia ndërkombëtare, Serbia ka arritur ta instrumentalizojë komunitetin serb në Bosnje dhe pakicën e kësaj popullsie në Mal të Zi dhe Kosovë. Ajo tashmë e ka fituar “të drejtën” për ta manipuluar politikisht këtë komunitet, për ta përdorur atë sipas interesave politike të Beogradit dhe Moskës. Faktorët politikë rajonalë dhe europianë e kanë kuptuar se Serbisë i bëhen koncesione nga ana e BE-së dhe NATO-s për shkak të interesave të tyre strategjike, por gjithashtu është e qartë se këto koncesione kanë filluar të rrezikojnë seriozisht sigurinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përreth tij.

*

Ndërkohë, elitat politike në Serbi, përfshirë Akademinë Serbe të Shkencave dhe të Arteve, vazhdojnë me projeksionet e tyre nacionaliste. Pas “Memorandumit” të vitit 1986, i cili shkaktoi tragjedi të mëdha në hapësirat e ish-Jugosllavisë, Akademia Serbe, e paqortuar as nga ALLEA (Asociacioni i Akademive Europiane), më 2011 hartoi “Memorandumin 2”, përmes të cilit angazhohet për “mbështetje strategjike” të Serbisë te Rusia dhe Kina, si dhe për nxitjen e konflikteve ndëretnike në shtetet e rajonit, në mënyrë që përmes destabilizimit të tyre të arrijë t’i realizojë interesat serbomëdha. Ndërkohë, më 2017 është hartuar “Memorandumi 3” i Akademisë Serbe, i cili ka promovuar togfjalëshin hiperbolik “bota serbe”. Në esencë ky togfjalësh përmbledh atë që thotë diplomati amerikan Eskobar, se “bota serbe” në të vërtetë është “bota ruse”.

Në këtë kontekst duhet parë edhe nismat e Serbisë për “mini-Shengenin” dhe projektin “Ballkani i hapur”, si obstruksion i hapur ndaj BE-së dhe si hapësirë për depërtime të reja politike dhe ekonomike të Rusisë dhe Kinës në Ballkan, duke fuqizuar rolin e Serbisë në rajon dhe duke anashkaluar Kosovën në të gjitha proceset rajonale.

Akademia konsideron se nisma “Ballkani i hapur” është minim i “Procesit të Berlinit”, se bën izolimin politik të Kosovës dhe se do të ketë pasoja largvajtës për raportet e ardhshme mes shteteve të Ballkanit Perëndimor. Retorika nacionaliste e kreut politik të Shqipërisë për bashkim kombëtar, për heqje kufiri me Kosovën etj., që gjoja përfshihen në projektin “Ballkani i hapur”, njësoj si diskutimi politikisht diletant në Kosovë për bashkim kombëtar, i shkojnë në favor politikës së Serbisë, duke e konsideruar “Serbinë e madhe” si pasojë logjike dhe kundërpeshë politike kundrejt “Shqipërisë së madhe” dhe duke vendosur shenjën e barazimit mes Kosovës dhe Republika Serpska, pavarësisht se bëhet fjalë për dy realitete krejtësisht të ndara politike dhe historike.

Akademia gjithashtu konsideron se nisma “Ballkani i hapur” dhe boshti asimetrik Beograd-Shkup-Tiranë do të ndikojë që shqiptarët e Maqedonisë së Veriut të mos jenë faktor relevant në politikat e brendshme dhe të e jashtme të këtij shteti, sepse peshën e tyre qeveria e Shkupit po përpiqet ta zëvendësojë me një afrim të drejtpërdrejtë me Tiranën. Pranimi në NATO i Maqedonisë së Veriut nuk u lexua në Shkup vetëm si forcim i sigurisë dhe i pozitës ndërkombëtare të këtij shtetit, por edhe si mundësi për të bërë ndryshime strukturore në politikat e brendshme dhe të jashtme, siç është afrimi me Serbinë dhe anashkalimi i faktorit të brendshëm shqiptar, si përcaktues i konfigurimit politik të vendit.

Më anë tjetër, pavarësisht se çështja e Kosovës në të drejtën ndërkombëtare mori statusin e një çështjeje “sui generis”, pesë shtete të BE-së (Greqia, Spanja, Rumania, Qipro dhe Sllovakia) ende mbeten këmbëngulëse në mosnjohje. Shtetet që përbënin “Grupin e Kontaktit” për Kosovën, nuk bënë trysni të mjaftueshme mbi këto shtete evropiane, sikundër që nuk ushtruan trysni mbi Serbinë, e cila vazhdon t’ua kërkojë hapur të gjitha shteteve të mos e njohin Kosovën, ose ta ç’njohin atë. Një sjellje e këtillë e Serbisë, agresive dhe bllokuese ndaj Kosovës, nuk mori përgjigje më eksplicite nga këto shtete, apo nga ato që u shprehen në mbështetje të pavarësisë. Për shkak të këtyre pesë shteteve dhe të vendimmarrjes koncensuale në forumet e BE-së, Kosova mbeti pa liberalizim të vizave dhe me negociata të prapambetura për integrim.

Gjatë kësaj periudhe, ndërkohë, BE-ja i bëri Serbisë favore të mëdha, duke hapur vazhdimisht kapituj të rinj të bisedimeve për integrim, duke e ndihmuar financiarisht, duke nxitur investimet dhe duke mos e ndëshkuar në asnjë formë për politikat e saj destabilizuese në Ballkanin Perëndimor. Kushtëzimi i BE-së se Serbia nuk mund të integrohet në BE pa njohjen e Kosovës, pak nga pak u zhvlerësua në fjalorin politik të diplomatëve europainë.

*

Akademia konsideron se në Bruksel, që më shumë se dhjetë vjet, zhvillohet një dialog jofrutdhënës mes Kosovës dhe Serbisë, i sponsorizuar nga BE-ja dhe i mbështetur nga SHBA-ja, i cili deri tani ka dhënë rezultate minimale. Kjo ka ndodhur për arsye se Serbia nuk bën asnjë koncesion për Kosovën, duke mos pranuar të shkojë një hap më tej se Rezoluta 1244 e OKB-së. Përkundrazi, ajo punon pareshtur që ta minojë shtetin e Kosovës, si në planin rajonal, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Për këtë arsye, një numër marrëveshjesh që janë arritur në Bruksel nuk kanë gjetur zbatim dhe shpesh kanë mbetur pa domethënie. Nga fundi i vitit 2012 janë arritur shtatë marrëveshje: lëvizja e lirë, menaxhimi i integruar i kufirit, regjistrat kadastralë, regjistrat civilë, përfaqësimi rajonal dhe njohja e diplomave, por në të gjitha këto raste Kosova i bën koncesione Serbisë: lëvizja e lirë me dokumente të UNMIK-ut, përfaqësimi rajonal bëhet me fusnotë Kosova-UNMIK, në vulat doganore nuk shkruhet Republika e Kosovës, ndërsa Kosova ka marrë nga Serbia vetëm kopjet e regjistrave civilë dhe atyre kadastralë.

Ndërkohë, në pranverën e vitit 2013 Kuvendi i Kosovës me një rezolutë “shprehu pëlqimin” që të nënshkruhet një marrëveshje të parimeve që rregullojnë marrëdhëniet me Serbinë. Më 27 qershor 2013 marrëveshja pesëmbëdhjetë pikëshe u ratifikua nga Kuvendi i Kosovës me 2/3 e votave të deputetëve, duke shkaktuar krizë të brendshme politike, ndërkaq Kuvendi i Serbisë e trajtoi atë si “informatë” dhe nuk e miratoi me votë parlamentare. Marrëveshja në tërësinë e saj trajton integrimin e komunitetit serb në Kosovë në këmbim të krijimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili, i tillë siç u miratua në Kuvendin e Kosovës, ka kompetenca në ekonomi, arsim, shëndetësi dhe planifikim hapësinor.

Për të tejkaluar situatën e krizës së brendshme që shkaktoi miratimi në Kuvendin e Kosovës i marrëveshjes për asociacionin e komunave serbe, më 30 tetor 2015 ajo u dërgua në Gjykatën Kushtetuese, me kërkesë për interpretim të përputhshmërisë së parimeve të asociacionit më Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila konstatoi se “parimet e përgjithshme” të kësaj marrëveshjeje nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, sepse asociacioni i komunave serbe do të merrte kompetenca ekzekutive, gjë që nuk e lejonte Kushtetuta. Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese bllokoi të gjitha përpjekjet e BE-së për të çuar përpara procesin e dialogut. Së fundi, duke e parë se kjo çështje nuk mund të marrë një zgjidhje të përshtatshme, përfaqësuesit e BE-së filluan të bëjnë trysni mbi Kosovën, për të ndryshuar Kushtetutën e saj. Kjo është një qasje joadekuate e strukturave të BE-së, meqë është e ditur se një asociacion i tillë do ta bënte Kosovën shtet jofunksional dhe do të krijonte “hapësirë kushtetuese” për autonomi territoriale të komunave serbe në Kosovë, përfshirë edhe ndarjen e saj.

Diplomacia e BE-së, ndërkaq, zhvilloi dialogun Kosovë-Serbi në dy paralele pothuajse të ndara: dialogun politik dhe dialogun teknik. Deri së fundi janë arritur mbi 30 marrëveshje, të cilat synojnë të zgjidhin disa çështje praktike të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Në shumicën e rasteve tekstet e marrëveshjeve janë konfuze, me ambiguitet kuptimor, me mundësi të ndryshme interpretimi, pa nënshkrime, pa numër protokolli, pa përmendur mes kujt arrihen, vetëm e vetëm që me këtë mënyrë të dialogut të pajtohet Serbia, e cila nuk pranon ta trajtojë Kosovën si subjekt të ndonjë marrëveshjeje, por vetëm si pjesë të shtetit, e ndarë “përkohësisht” me kufi administrativ, sipas Rezolutës 1244 të OKB-së. Edhe marrëveshja e fundit “për targat”, e bërë nën trysninë e Brukselit, ishte kompromis që bëri Kosova ndaj Serbisë, duke lejuar sërish shkeljen e sovranitetit dhe ndërhyrjen e Serbisë në një pjesë të territorit të Kosovës.

Përveç kësaj, edhe Rusia vazhdon trysninë e saj të pandërprerë mbi Brukselin. Siç e pohoi së fundi ministri i Jashtëm rus, Lavrov, Rusia ia përkujton BE-së “në mënyrë periodike”, se cilat janë detyrat e saj si ndërmjetësuese e dialogut Kosovë-Serbi, në mënyrë që Serbia të jetë palë e favorizuar në këto bisedime. Ai theksoi se asociacioni i komunave serbe në Kosovë “parashikoi dhënien e të drejtave autonome serbëve”, duke tërhequr me këtë rast një paralele ndërmjet kësaj marrëveshjeje dhe asaj të Minskut, e arritur me ndërmjetësimin e BE-së për republikat Donjecit dhe Luhanskut në Ukrainën lindore. Të dyja këto marrëveshje, thekson ai, kanë të bëjnë me të “drejtat e sllavëve, veçanërisht të ortodoksëve”.

Akademia gjithashtu ka konstatuar se Kosova është gjendur nën një presion të madh ndërkombëtar për të themeluar Gjykatën Speciale, e cila ka shumë kontradikta brenda saj dhe vendos shenjën e barazimit midis agresorit dhe viktimës. Kosovarët nuk mund ta perceptojnë Gjykatën Speciale “si funksionim adekuat i drejtësisë ndërkombëtare”, që i barazon krimet serbe (13 mijë të vrarë, rreth njëmijë fëmijë; mbi një mijë të zhdukur, kryesisht kufoma të bartura nëpër Serbi; numër i paditur i grave të dhunuara; spastrimi etnik me dëbimin e gjysmës së popullsisë së Kosovës; një pasuri e paçmuar e shkatërruar në sektorin publik dhe privat etj.) me dëmet kolaterale të palës tjetër. Një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare me Gjykatën Speciale synon të japë mesazhin se lufta në Kosovë ka qenë konflikt ndëretnik dhe se palët ndërluftuese kishin bërë krime mbi njëra-tjetrën, perceptim ky eurocentrist dhe arrogant.

*

Akademia konstaton se situata e tanishme në Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën, do të duhej ta nxiste Perëndimin të formulonte një strategji më të qartë kundrejt Serbisë, ndaj synimeve të saj destabilizuese dhe të aleancave të saj me Rusinë dhe Kinën. Akademia gjithashtu konsideron se një zgjidhje e përshtatshme për rajonin e Ballkanit Perëndimor mund të jetë afrimi i shteteve të veçanta me BE-në dhe NATO-n.

Që nga rënia e Millosheviqit në vitin 2000, aleatët tanë perëndimorë (veçmas BE-ja), kanë bërë vlerësime të gabuara për hapat e Serbisë drejt Perëndimit, duke e ndihmuar atë në të gjitha fazat e procesit të integrimeve. Edhe përkundër faktit që bllokon Kosovën në të gjitha nismat rajonale, Serbia është mbështetur fuqimisht si në planin politik, ashtu edhe në atë ekonomik. Aleatët perëndimorë i kanë mbështetur pothuajse haptas të gjitha nismat rajonale të Serbisë, përfshirë edhe “mini-Shengenin” dhe “Ballkanin e hapur”, ndonëse qëllimet e Serbisë janë destabilizimi i Ballkanit Perëndimor dhe goditja e BE-së dhe e Aleancës Veriatlantike.

Është joproduktive dhe politikisht e gabuar që Kosovës t’i bëhet trysni ndërkombëtare për të arritur marrëveshje të dëmshme me Serbinë, duke kërkuar nga Kosova të relativizojë sovranitetin dhe integritetin e saj territorial dhe të defaktorizohet politikisht në planin e jashtëm, si dhe të bëhet shtet jofunksional në planin e brendshëm.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës mbështet fuqishme përfshirjen e SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi, veçanërisht qëndrimin e shprehur së fundi nga i dërguari të posaçëm, Gabriel Eskobar, i cili rikonfirmoi se SHBA-ja i jep mbështetje të palëkundur sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Akademia gjithashtu mbështet fuqishëm perspektivën më të qartë të Kosovës drejt NATO-s, si strukturë themelore e sigurisë edhe në Ballkanit Perëndimor, e cila do ta zmbrapste Serbinë nga synimet e saj të vazhdueshme për ta destabilizuar Kosovën dhe do të reflektonte pozitivisht në stabilitetin politik të mbarë rajonit.

Shqiptarët janë populli me properëndimor në Ballkan dhe ata, duke qenë përkrahës të pakontestueshëm të vlerave perëndimore, përbëjnë boshtin kryesor të mbrojtjes së këtyre vlerave në këtë rajon.

Klasa politike e Kosovës, veçanërisht drejtuesit e institucioneve kryesore të shtetit e kanë obligim të marrin përsipër përgjegjësi të drejtpërdrejta lidhur me avancimin e proceseve politike, të cilat çojnë përpara aleancat tradicionale të Kosovës me shtetet që qëndrojnë në mbështetje të pavarësisë dhe të sovranitetin e saj dhe, përmes një diplomacie proaktive, të krijojnë aleanca të reja, veçmas me shtetet e rajonit që kanë avancuar në integrimet euroatlantike. Klasa politike e Kosovës duhet të mbajë përgjegjësi më të mëdha për zhvillimet e brendshme dhe të jashtme në Kosovë, duke tejkaluar konfliktet dhe interesat e ndara dhe duke marrë vendime përbashkëta për çështje me rëndësi për vendin dhe të ardhmen e tij.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img