5.2 C
Pristina
Sunday, December 29, 2024

Buy now

spot_img

Gjykatës Speciale i kërkohet të evitojë sa më shumë redaktimet dhe seancat private

Shumë nga seancat gjyqësore ndaj Salih Mustafës në Hagë po zhvillohen të mbyllura dhe me redaktime. Lidhur me këtë, monitorues të këtyre seancave theksojnë parimin e publicitetit dhe bëjnë thirrje që, sa më shumë që është e mundur, seancat të zhvillohen të hapura për publikun. Ndërsa në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë thonë se seancat private urdhërohen nga gjyqtarët për të mbrojtur dëshmitarët ose personat e tjerë të përfshirë në procedurë.

Në procesin gjyqësor ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, i cili ka filluar në mesin e shtatorit të vitit 2021 deri tani janë dëgjuar 13 dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Prej tyre, dhjetë kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse të sigurisë, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun dhe këto seanca kanë qenë kryesisht private dhe me redaktime.

Amer Alija koordinator në Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë, thotë për KosovaPress se redaktimi dhe mbyllja e shpeshtë e seancave e vështiron punën e monitoruesve për të kuptuar në fund nëse ka pasur mjaftueshëm prova për një vendim meritor.

“Ne e kuptojmë që mbyllja e seancave dhe redaktimi i seancave është për shkak të anonimitetit dhe sigurisë së dëshmitarëve që mos t’i zbulohet identiteti por në anën tjetër edhe publiku, edhe monitoruesit, edhe media e kanë pak vështirë për ta kuptuar çka në të vërtetë është duke ndodhur në gjykim, për shkak se nëse 70% e seancave redaktohen atëherë ka me qenë pak vështirë për monitoruesit, sidomos për monitoruesit laik për ta kuptuar se nëse ka pasur mjaftueshëm prova për një vendim meritor”, thotë Alija.

E në Institutin e Kosovës për Drejtësi vlerësojnë se duhet të respektohet parimi i publicitetit në mënyrë që gjykimet të jenë transparente.

Medina Kadriu nga ky institut shton se gjithashtu e konsiderojnë tejet të rëndësishme mbrojtjen e dëshmitarëve, viktimave dhe mbrojtjen e informacionit konfidencial.

“Përderisa Instituti i Kosovës për Drejtësi e konsideron tejet të rëndësishme mbrojtjen e identitetit të dëshmitarëve, viktimave si dhe mbrojtjen e informacionit konfidencial, ne po ashtu vlerësojmë se duhet të zbatohet parimi i publicitetit në mënyrë që gjykimet të jenë sa më transparentë për shkak se kur gjykimi është transparent atëherë kjo mund të jetë edhe garancë për zhvillimin e një procedure të rregullt gjyqësore. Andaj ne bëjmë thirrje që sa më shumë të evitohen mbylljet e shpeshta të seancave në mënyrë që publiku të jetë i informuar tërësisht se çfarë po ndodh në këto procese gjyqësore”, thotë Kadriu.

Në anën tjetër, udhëheqësja e njësisë së informimit dhe komunikimit publik në Dhomat e Specializuara të Kosovës, Angela Griep në një përgjigje për KosovaPress, thotë se gjatë seancave private të cilat nuk mund t’i ndjek publiku, i akuzuari dhe mbrojtja mund të marrin pjesë në procedurë.

“Seancat private në seancat gjyqësore dhe redaktimet në dokumentet publike të gjykatës urdhërohen nga gjyqtarët, në shumicën e rasteve për të mbrojtur dëshmitarët ose personat e tjerë të përfshirë në procedurë. Është e rëndësishme të kihet parasysh se gjatë seancave private, edhe pse publiku nuk mund t’i ndjekë ato, i akuzuari dhe mbrojtja mund t’i ndjekin dhe të marrin pjesë në procedurë si zakonisht. Është gjithashtu e rëndësishme të kihet parasysh se shumë gjëra që janë konfidenciale në një fazë, bëhen publike më vonë. Në dritën e parimit të publicitetit, dosjet konfidenciale shqyrtohen rregullisht dhe sa herë që arsyeja që justifikon klasifikimin e tyre si konfidenciale nuk ekziston më, ato riklasifikohen si versione publike ose publikohen si versione të redaktuara publike”, thuhet në përgjigjen e dhënë nga Griep.

Pas mbylljes së çështjes së ZPS-së, seancat gjyqësore ndaj Mustafës pritet të vazhdojnë me dëgjimin e dëshmitarëve të mbrojtjes.

Trupi gjykues pritet të caktojë datën për mbajtjen e konferencës përgatitore për mbrojtjen dhe të vendosë për procedurat dhe numrin e personave që do të japin dëshmi.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Gjykimi ndaj Salih Mustafës ka filluar më 15 shtator të vitit 2021 dhe është procesi i parë gjyqësor në Gjykatën Speciale.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm./kp/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img