-0.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Tregu i pakontrolluar i naftës në Kosovë dhe dyshimet për fiksim të çmimeve

Rritja e çmimeve të naftës dhe benzinës në Kosovë ka shënuar nivelin më të lartë në 20 vjetët e fundit, thonë zyrtarë nga Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës. Sipas tyre, çmimet e naftës në Kosovë sillen nga 1.25 euro deri në 1.35 euro, ndërsa çmimet e benzinës nga 1.27 euro deri në 1.36 euro.

Brenda 3-4 muajve, këto çmime janë rritur për 20 deri në 25 centë.

Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, thotë se niveli i këtyre çmimeve varet nga përcaktimi i çmimeve të naftës dhe derivateve të saj nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), si dhe nga bursa ndërkombëtare.

Sipas tij, kur ka reduktim të prodhimit të naftës dhe derivateve të saj në tregjet botërore, atëherë edhe çmimet rriten.

Megjithatë, ai e vlerëson të çuditshëm hovin e fundit.

“Çdo ditë, gjatë tërë muajit janar dhe këtij muaji [shkurt], po ashtu në muajt dhjetor dhe nëntor [të vitit të kaluar] ka pasur vetëm rritje. S’ka pasur asnjëherë zbritje. Kjo është e çuditshme dhe kjo nuk ka ndodhur asnjëherë. Por, kjo është duke ndodhur për momentin. Çdo ditë kemi rritje 25 dollarë për tonë. Zbritje të çmimit ka pasur vetëm mbrëmë [më 7 shkurt] për një dollar më pak. Kjo nuk çon peshë fare”, thotë Berjani.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, në rritjen e çmimeve kanë ndikuar tensionet gjeopolitike dhe pabarazia në rritje midis ofertës dhe kërkesës.

Berjani thotë se kompanitë, që furnizojnë me naftë në Kosovë, këtë derivat me shumicë e blejnë me çmim prej 1.21 eurosh për litër. Ky çmim, sipas tij, është i lartë dhe reflekton edhe në çmimin e lartë të shitjes me pakicë te konsumatorët.

Berjani, pa dhënë shumë detaje, thotë se ka indikacione se çmimet e naftës dhe benzinës mund të shënojnë rënie në ditët në vijim, për shkak se këto çmime mund të shënojnë rënie edhe në tregjet botërore.

Naftëtarët “vonohen” për t’i liruar çmimet

Por, Zahir Latifi, ngasës i taksisë në Prishtinë, është skeptik. Ai thotë se përvojat e deritashme kanë treguar se edhe kur bien çmimet në bursë, naftëtarët e Kosovës vonojnë zbritjen e çmimeve. Për më tepër, shton ai, çmimet nuk kthehen në nivelin paraprak.

“Këta [naftëtarët e Kosovës] jo që e vonojnë, por nuk e lirojnë fare. Vetëm nëse çmimi në bursë bie skajshëm, këtu e lirojnë për 5 ose 10 centë. Këta tanët përtojnë t’i lirojnë. Për t’i shtrenjtuar janë të parët, ndërkaq për t’i liruar, jo”, thotë Latifi.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Berjani, nuk e mohon se rënia çmimeve në Kosovë vonon pas rënies së çmimeve në bursë.

“Është e vërtetë që kur ka ngritje çmimesh, kjo ndodh më shpejt. Kur zbresin, kjo shkon më ngadalë. Bizneset thirren në atë se kanë stoqe. Në qoftë se, ta zëmë, unë sot kam marrë derivate me një çmim të lartë dhe nesër çmimet bien dhe duhet shitur me çmim të ulët… kjo është ajo kontradikta që bizneset gjithmonë arsyetohen se kanë stoqe me çmime të larta”, thotë Berjani.

Dyshimet për fiksim të çmimeve

Pas rritjes së fundit të çmimeve të naftës dhe benzinës, disa shprehin dyshimet se naftëtarët po i kurdisin çmimet.

Një qytetar në Prishtinë, i cili u prezantua për REL-in me emrin Afrim, thotë se çmimet e naftës dhe benzinës të kompanive të ndryshme në periferi apo jashtë qytetit të Prishtinës, dallojnë me çmimet që ofrojnë pikat e karburanteve brenda qytetit.

Madje, sipas tij, çmimet e furnizimit dallojnë edhe në pika të ndryshme të së njëjtës kompani. Por, siç thotë ai, brenda qytetit, ose në zonat ku në më pak se dhjetë kilometra gjenden disa pika furnizimi të kompanive të ndryshme, çmimet e karburanteve janë të njëjta te të gjitha.

“Këto që janë në rreth, po i bllokojnë çmimet. I kanë të njëjta. Po merren vesh, sapo të shtrenjtohet te njëra [pompë e karburanteve] – i bëjnë të gjitha njëjtë. Pikërisht tash që është shtrenjtuar, menjëherë të gjitha të njëjtin çmim”, thotë Afrimi.

Berjani thotë se nuk ka njohuri apo informacione që kompanitë e naftës i kurdisin çmimet në zona të caktuara.

Autoriteti i Konkurrencës, jofunksional

Kurdisja e çmimeve ose marrëveshja, qoftë edhe e heshtur, për nivelizimin e çmimeve, është e ndaluar me Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës në Kosovë.

Për mbikëqyrjen e fenomeneve të tilla, institucion kompetent është Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, i cili i përgjigjet drejtpërdrejt Kuvendit të Kosovës, ndërkohë që komisioni i këtij autoriteti propozohet nga Qeveria e Kosovës.

Që nga 9 qershori i vitit të kaluar, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës është jofunksional për shkak se kryetarit, nënkryetarit dhe tre anëtarëve të këtij komisioni u ka skaduar mandati pesëvjeçar.

Qeveria ende nuk ia ka propozuar Kuvendit të Kosovës përbërjen e re të këtij komisioni dhe, për pasojë, tregu ka mbetur pa mbikëqyrjen e këtij autoriteti.

Ish-kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë periudhës 2016-2021, praktikat kanë treguar se naftëtarët i kanë fiksuar çmimet.

Ai thotë se në atë kohë, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka hetuar 14 kompani të naftëtarëve në Kosovë, me pretendimin se ato kanë pasur marrëveshje të bashkërenduar dhe të heshtur për t’i fiksuar çmimet dhe për t’i mbajtur ato lart, përkundër faktit se ka pasur zbritje në bursën ndërkombëtare.

Pas hetimeve, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, me vendim përfundimtar, i ka ndëshkuar këto kompani me gjobë prej 4 milionë eurosh.

“Për aktualitetin, Autoriteti është jofunksional, sepse nuk ka një komision, i cili do ta ushtronte detyrën e tij për mbikëqyrjen e tregjeve të caktuara. Sipas mendimit tim, si ish-kryetar i këtij autoriteti, shumica e tregjeve të caktuara mund të koordinohen në aspektin e ngritjes dhe fiksimit të çmimit”, thotë Prestreshi.

“Çmimet uniformë, metodë e punës”

Selatin Kaçaniku, drejtor i organizatës joqeveritare “Konsumatori”, thotë se shpeshtësia e pikave të furnizimit me derivate në Kosovë nxit dyshime për mundësitë e mbijetesës së tyre si biznese.

Sipas tij, ato detyrohen t’i fiksojnë çmimet, madje pa një marrëveshje verbale, por të heshtur. E njëjta situatë, siç thotë Kaçaniku, është edhe në tregjet tjera të furnizimit me artikuj tjerë të konsumit.

“Uniforma tashmë është bërë edhe metodë e punës ndërmjet prodhuesve, tregtarëve dhe shërbyesve të ndryshëm. Do të thotë, ata tashmë e kanë një shabllon dhe nuk kanë nevojë të ulen dhe të merren vesh. Pra, është formula dhe ata e ndjekin formulën. Sinjali [për ngritjen e çmimeve], zakonisht kohëve të fundit, vjen ose përmes tregut global ose përmes ndikimit të pandemisë”, thotë Kaçaniku.

Heshtja e Qeverisë për funksionalizimin e Autoritetit të Konkurrencës

Deputeti kosovar, Ferat Shala, kryetar i Komisionit parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, thotë se në Kuvendin e Kosovës ende nuk ka arritur propozimi i Qeverisë së Kosovës për përbërjen e re të komisionit udhëheqës të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, ndonëse shqetësimet për një gjë të tillë, siç thotë ai, tashmë janë ngritur disa herë.

“Si Komision i kemi shprehur, së paku dy herë, këto shqetësime dhe i kemi kërkuar edhe publikisht [Qeverisë] që të plotësohen bordet dhe zyrat e rregullatorëve të ndryshëm, por, fatkeqësisht, deri më sot nuk kemi asnjë lëvizje”, thotë Shala.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës me pyetjet se cilat janë arsyet që deri më tash nuk i ka dërguar në Kuvendin e Kosovës propozimet për përbërjen e komisionit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, si dhe a ka gjasa që së shpejti të adresohet ky problem. Deri në publikimin e këtij teksti, Qeveria e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje. /rel/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img