Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se partitë opozitare kanë refuzuar të takohen për të diskutuar për çështjen e Vettingut. Ajo është zotuar se janë në komunikim me Komisionin e Venecias për të ndjekur rekomandimet për këtë proces.
Organi më i lartë legjislativ po debaton në lidhje me Raportin e Progresit për vitin 2021. Ministrja e Drejtësisë ka folur për vettingun në sistemin e drejtësisë dhe e ka quajtur Vettingun “vaksinë” për sistemin e drejtësisë dhe për shoqërinë.
“Jo për vaksina po për Vetting, ndonëse është një vaksinë goxha e mirë. Vaksinë për sistemin e drejtësisë sigurisht dhe për shoqërinë”, ka deklaruar ajo.
Ministrja Albulena Haxhiu deklaroi se kanë nisur punën për vettingun në drejtësi. Sipas saj, kjo është reformë e thellë dhe e domosdoshme për vendin.
“Jemi në komunikim të vazhdueshëm me Komisionin e Venecias dhe do t’i ndjekim rekomandimet në raport me këtë proces shumë të rëndësishëm për qytetarët e Republikës së Kosovës, që qëllimi final është që ta kthejmë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Tri herë radhazi kam ftuar partitë politike në takim për t’i njoftuar në detaje për çështjen e vettingut dhe përgjigja ka qenë refuzuese, deri tani përveç grupit parlamentar Lëvizja Vetëvendosje dhe grupit parlamentar që përfaqësojnë komunitetet jo shumicë në Kosovë, partitë tjera nuk kanë shprehur interes për të na takuar”, ka thënë Haxhiu, raporton KP.
Ajo ka kundërshtuar deputetin e AAK-së, Besnik Tahiri, i cili tha se ka përplasje mes Qeverisë dhe Bashkimit Evropian në këtë drejtim. Më tej ka nënvizuar edhe disa nga konstatimet e raportit për vendin.
“Në raportin për vendin sa i përket të sundimit të ligjit thuhet se Kosova është në një fazë të hershme të zhvillimit të një sistemi gjyqësor funksional. Thuhet që administrimi i drejtësisë vazhdon të jetë i ngadalshëm, jo efikas dhe lehtësisht i ndikuar nga politika. Po ashtu adresohet që shumica e procedurave disiplinore kanë rezultuar me vendim se nuk ka pasur shkelje të rregullave apo nën masën disiplinore shkelje të vërejtjes jo publike dhe ulje të përkohshme të pagës ”, tha Haxhiu.
Kuvendi i Kosovës në pikë të rendit të ditës ka edhe zëvendësimin e anëtarit të grupit parlamentar të Listës Serbe në Komisionin për të Drejtat dhe Interesat e komuniteteve dhe Kthim.