10.1 C
Pristina
Thursday, October 31, 2024

Buy now

spot_img

Çeku: Restaurimi i shtëpisë së Xhafer Devës duhet të përfundojë, ia kam sqaruar ambasadorit gjerman

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka deklaruar se nuk janë zbrapsur nga plani për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës. Politikani nga Mitrovica gati 44 vjet pas vdekjes mori vëmendjen, pasi ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde shprehu shqetësimin se Kosova kësisoj e shtrembëron të vërtetën mbi Holokaustin, gjenocidit të Gjermanisë naziste mbi hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Çeku tha në një konferencë për media se është në kontakt të përditshëm me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë ambsadorin gjerman, ndërsa tha se ky projekt duhet të kryhet. Ai tha se ambasadorit dhe të tjerëve ua ka dhënë sqarimet e nevojshme.

“Ne kemi nevojë ta përfundojmë këtë punë të nisur qysh vite më parë. Po restaurohet monumenti, nuk po rehabilitohet historia e Xhafer Devës. Pra, nuk po bëjmë asgjë, përveçse po e restaurojmë një monument, po e mbrojmë trashëgiminë tonë kulturore”, tha ai.

Bashkimi Evropian dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) thanë dje se është pezulluar projekti për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë. Por ministri Çeku thotë se “pezullimi nuk nënkupton që është analuar programi”.

Çeku e cilëson të panevojshme situatën e krijuar, duke thënë se kjo duhet të tejkalohet shpejt. Ai përsëriti se debati për këtë çështje e ka origjinën në Serbi.

“Fillimisht, në lidhje me një dimension të këtij debati, duhet ta themi qartë dhe ta përsërisim që populli shqiptar ka dhënë dëshmi të panumërta historike të angazhimit antifashist dhe angazhimit në mbrojtje dhe në shpëtim të popullësisë hebreje. Debati i ditëve të fundit e ka origjinën në Serbi dhe kjo shumë e qartë. Paradoksalisht, një shtet që mohimin e gjenocidit dhe rehabilitimin e kriminelëve e ka politikë shtetërore, tenton ta fabrikojë një narracion duke e portretizuar Kosovën si mohuese të Holokaustit. Ky është një narracion i gënjeshtërt, sepse faktet historike janë kokëforta dhe nuk janë në anën e Serbisë, qartësisht nuk janë në anën e historisë”, tha ai.

Objekti që mban emrin “shtëpia e Xhafer Devës”, Çeku tha se është objekt shumë i rëndësishëm edhe estetikisht.

Pas restaurimit, Çeku tha se aty do të vendoset qendra rajonale e trashëgimisë kulturore në Mitrovicë. Një pjesë e objektit, ministri tha se do të shërbejë për aktivitete muzeale, galeri arti e qendër dokumentimi.

“Dhuna kundër monumentit, kundër arkitekturës dhe artefaktit është në kundërshtim me konventat ndërkombëtare dhe me praktikat e mira evropiane për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”, tha Çeku.

Ministri tha se një nga këto praktikat e mira evropiane për mbrojtjen e trashëgimisë është edhe ajo e Gjermanisë.

“Pas restaurimit monumenti mund të shërbejë si hapësirë shtesë për debatin historik, por njëherë duhet ta mbrojmë monumentin”, theksoi ai.

“Ne nuk i frikësohemi as fakteve historike… Në çdo moment jemi të gatshëm ta trajtojmë edhe anën e errët të historisë sonë”, shtoi Çeku.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img