Sllovakia është duke e paguar një çmim shumë të lartë diplomatik që nuk po e njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës. Kështu ka thënë në një intervistë për Radio Evropën e Lirë edicionin në gjuhën serbe, Jan Cingel, drejtor i organizatës për Analiza Strategjike në Brastisllavë.
Cingel thotë se Sllovakia është nën një persion të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta njohur Kosovën.
“Është nën presion nga BE-ja dhe SHBA. Edhe pse e ka mbështetjen e Greqisë, Spanjës dhe Rumanisë, për Sllovakinë vazhdon të ketë një çmim shumë të lartë kudo që çështja e Kosovës diskutohet në agjendat e forumeve ndërkombëtare”, ka thënë Cingel.
Ai thekson se në anën tjetër ekziston edhe pyetja se çfarë Sllovakia do të marrë në këmbim, derisa përmend faktin se nga falendërimet e Serbisë s’ka kurrfarë përfitimi.
“Është e vërtetë që marrim lavde dhe mirënjohje nga Serbia, por një gjë e tillë nuk është materializuar në raportet ekonomike në mes të dy shteteve”, ka thënë eksperti nga Bratisllava.
Tutje ai thotë se Sllovakia po i bën dëm vetes, sepse kur vjen puna për pozicionin karshi Kosovës, është në të njëjtën linjë me Rusinë dhe Kinën.
Cingel është një nga autorët e raportit të Johns Hopkins University, që sugjeronte njohjen e Kosovës nga pesë shtetet e BE-së, anëtarësimin në NATO, transformimin e dialogut Prishtinë-Beograd dhe reduktimin e influencës ruse dhe kineze në Ballkanin Perëndimor.