6.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Veliu vazhdon përplasjen me Abdixhikun: Kryesia e LDK-së nuk mund t’i legjitimojë shkeljet e rregullores dhe statutit

Ish nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish kryetar i komunës së Podujevës, Agim Veliu ka vazhduar kritikat e tij në drejtim të kryetarit aktual të LDK-së, Lumir Abdixhiku disa ditë pasi Veliu është shkarkuar edhe nga kryetari i degës së kësaj partie në Podujevë.

Veliu në një postim të gjatë në Facebook thekson se kryesia e LDK-së nuk mund ta legjitimojë një shkelje kaq të madhe të rregullores dhe statutit nga ana e Abdixhikut.

Ai më tej shkruan se Abdixhiku mund të marrë përgjegjësi sa të dojë, por nuk mund të amnistohet humbja në Podujevë e kandidatit të emëruar nga ai, të veshur me të gjitha kompetencat për të zgjedhur shtabin, listën e kandidatëve për asamblistë, autonomi të plotë në bërjen e fushatës, financimin marramendës të fushatës.

Lexoni të plotë postimin e Veliut:

Marrje e përgjegjësisë, apo përpjekje për fshehjen e përgjegjësisë?

Lumir Abdixhikut i janë dashur më shumë se dy muaj ta kuptojë se kandidati i tij i ka humbur zgjedhjet në Podujevë. Madje, ai u përpoq të tregohet goxha burrë dhe ta kursejë nga hisja e përgjegjësisë dokun e tij, dhe krejt përgjegjësinë e humbjes e mori mbi vete.

Lumiri, në një intervistë televizive tha se respekton çdo njeri që ka kontribuar në LDK (duke aluduar në ata të cilëve ai tani po provon t’ua mbyll derën), por vendimet e LDK-së merren me votë në strukturat e partisë dhe janë vendime që kanë mbështetje të gjerë.

Jo Lumir. Nuk mund të kenë mbështetje të gjerë vendimet tua kundërstatutare, si ai 9 qershorit 2021, kur Degës në Podujevë ia more kompetencat e të vepruarit dhe e detyrove që nga legjitimiteti të kalojë në jo legjitimitet, nga funksionaliteti në jo funksionalitet dhe nga uniteti në përçarje të madhe.

Lumir, ti nuk e respektove as vendimin tënd kundërstatutar të 9 qershorit.

Me dinakëri u shkel edhe vetë ai vendim, pika 5 b, në të cilin thuhej se “pas procesit zgjedhor, Kryesia  do të nxjerrë një vendim të ri në lidhje me organizimin e Degës, në përputhje me Platformën e Kryetarit të LDK-së dhe procedurat e parapara statutare”. Platforma e Lumirit nuk mund të abrogojë normat dhe rregullat që dalin nga Statuti i LDK-së.

Pas procesit zgjedhor Kryesia nuk mori asnjë vendim se si do të veprohej, me të cilin do të njoftohej edhe Kryesia e Degës dhe do të merreshin veprimet e duhura, kuptohet në bazë të Statutit të partisë.

Lumir, pse nuk u organizua asnjë takim i Kryesisë së Degës dhe Komisionit për vlerësim të gjendjes ne Dege pas zgjedhjeve? Pse nuk prite një raport për gjendjen në Degë? Pse gjithë ajo nguti e mobilizim që gjatë natës të thirret një kuvend për të zgjedhur një kryetar, pa kryesi?

Po të pyes, sepse përgjigjen në këto pyetje e ke dhënë me vendimin tënd të djeshëm.

Ngutia jote kishte për qëllim që Dega e Podujevës të mos përfshihej në grupin e 11 degëve të tjera, që duhet të organizojnë zgjedhje në të gjitha nivelet.

Në Podujevë duhej, ashtu siç e nise edhe ta kryeje punën, në mënyrë klandestine dhe tinëzare: një kuvend të jashtëzakonshëm, me shpejtësi të jashtëzakonshme, me shkelje të jashtëzakonshme statutare!

Lumir, si mund të jetë kryetar i Degës personi që nuk është as delegat/anëtar i Kuvendit të Degës? Kryetari i Degës është edhe kryetar i Kryesisë së Degës dhe kryetar i Kuvendit të Degës. Pra, si mund të jetë kryetari Kuvendit të Degës personi që nuk është as anëtar i Kuvendit?

Kryesia e LDK-së nuk mund ta legjitimojë një shkelje kaq të madhe të rregullores dhe statutit. Apo, ndoshta edhe do t’i legjitimojë Kryesia të gjitha shkeljet kryetarit Lumir, sepse ai tashmë është vetë Statuti i LDK-së.

Lumiri e përmendi se kandidatin e kontrabanduar nga ai e kanë votuar delegatët e Kuvendit.

Në përpjekje për të legjitimuar atë që ua ke servuar ti në mënyrë të paligjshme, në kuvendin e improvizuar, pa ndonjë debat e pa kundërkandidat dhe me votim të hapur, me nguti për ta përmbyllur edhe pa Kryesi, pati delegatë që ranë në lajthitje, edhe pse shumica e kanë ditur se e tëra është një farsë dhe ka shkelje të madhe procedurale, megjithatë kanë votuar, duke mos dashur të shkaktojnë ndarje dhe përçarje.

Mirëpo, Lumir askush nuk mund të garantojë një unitet të tillë ditën kur ai Kuvend duhet të zgjedhë Kryesinë e Degës, të cilën do ta propozojë kryetari yt klandestin.

Lumiri dhe grupi i tij, Kryesia e LDK-së, duhet të marrin përgjegjësi për vendimin antistatutar, të paligjshëm dhe përçarës për Degën e Podujevës.

Lumiri mund të marrë përgjegjësi sa të dojë, por nuk mund të amnistohet humbja në Podujevë e kandidatit të emëruar nga ai, të veshur me të gjitha kompetencat për të zgjedhur shtabin, listën e kandidatëve për asamblistë, autonomi të plotë në bërjen e fushatës, financimin marramendës të fushatës…

Ti Lumir dhe Kryesia që drejton do ta mbani përgjegjësinë e plotë para anëtarësisë për pasojat e instalimit të një kryetari të paligjshëm në Degën e LDK-së.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img