Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se Gjykata ka vendosur se arrestimi i tij të martën ka qenë i paligjshëm.
Molliqaj është liruar nga mbajtja në Polici derisa Gjykata Themelore në Prishtinë, nuk ka përfillur kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit dhe kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqajt, dhe i ka caktuar atij masën e sigurisë, paraqitje në stacion policor.
Ai shton se Policia ka bërë dy shkelje në momentin kur e kanë arrestuar dhe një shkelje e ka bërë Prokurorja kur ka dhënë vendimin për arrestim kur nuk ka qenë i arrestuar ai ende.
“Procedurat e rregullta janë se arrestohet ose ndalohesh dhe pastaj merret vendimi. Në orën 20 ka dalë vendimi që të ndalohem për 48 orë, ndërkohë që unë ende nuk isha e arrestuar dhe isha duke ardhur në emisionin. Gjykata sot ka vërtetuar se ftesat nga policia nuk janë ligjore, ka vërtetuar se nuk ka urdhërarrest dhe jam arrestuar pa urdhër arrest. Policia ka bërë dy shkelje, kanë gënjyer publikisht për ftesat sepse nuk janë të ligjshme dhe jam arrestuar pa urdhër arrest dhe prokurorja ka shkelur ligjin kur ka dërguar vendimin 5 minuta pa u arrestuar unë ende”, tha ai në Pressing, shkruan Gazeta Insajderi.
Molliqaj ishte arrestuar të martën pak para futjes në emisionin Pressing në T7. Ai kërkohej nga Policia për shkak se dyshohej që kishte sulmuar një zyrtar policor më datën 29 janar kur ishte mbajtur një protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, e ku të pranishëm ishin qindra njerëz.