Biznesmeni Aziz Tafaj, i ndjekur penalisht për mashtrim, paralajmëroi se nuk do ta dorëzonte ndërmarrjen “Agrokosova Holding”, të cilën Agjencia Kosovare e Privatizimit e mori nën administrim, duke ndërhyrë me Polici.
Tafaj tha se ndërmarrjen të cilën e kishte privatizuar në vitin 2007 për rreth 4 milionë euro, nuk do t’ia dorëzonte shtetit, duke e konsideruar të kundërligjshëm vendimin e AKP-së.
“Ata kanë kërkuar që ta dorëzojmë vullnetarisht por nuk do ta dorëzojmë. S’kemi pse, s’kemi kujt. Nuk kanë pasur të drejtë ta marrin këtë vendim”, tha ai në një konferencë për media.
Por Policia ndërhyu më pas dhe i largoi ata. Në operacion, u arrestua edhe një kameraman, i cili po e ndiqte ngjarjen.
Arsyeja e vendimit për t’ia marrë pronën e privatizuar biznesmenit, AKP-ja tha se është dështimi i kësaj ndërmarrjeje që t’i realizonte investimet të cilat ishin premtuar.