Kryeministri Albin Kurti ka thënë se së shpejti Qeveria e Kosovës do të dërgojë komentet tek Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), lidhur me vendosjen e tarifave të reja të energjisë elektrike.
Kurti tha sot para mediave se ZRRE—ja është institucion i pavarur dhe se ai personalisht nuk e ka as numrin e telefonit të kryesuesit të Bordit të ZRRE-së.
Më tutje, kryeministri deklaroi se ministrat e linjës dhe Kuvendi do të dërgojnë komente në mënyrë që ZRRE-ja t’i përfshijë ato në raport.
“Ne do të dërgojmë komentet e tona. ZRRE është institucion i pavarur i shtetit. Ta zëmë unë nuk e kam numrin e telefonit të kryesues të Bordit të ZRRE-së, por ministrat e linjës shpresoj edhe nga Kuvendi i Republikës do t’u dërgojnë sa më parë komentet në mënyrë që Bordi i ZRRE-së bazuar në raportin e vet t’i trajtojë edhe sugjerimet e të tjerat”, ka thënë Kurti.
Qeveria e Kosovës ka vendosur të ndajë 75 milionë euro subvencionim për shpenzimet e energjisë elektrike, por sipas vendimit, shumicën e subvencionim nga shteti praktikisht pritet ta përfitojnë bizneset.