Pas reagimeve të shteteve fqinje lidhur me masën e vendosur për të hyrë në Kosovë, ministri i Shëndetësisë, Rifat Lafiti ka sqaruar se me masat e reja për parandalim të përhapjes së COVID-19 kurrë nuk kanë kërkuar dhe asnjëherë nuk kanë qenë të domosdoshme tri dozat e vaksinës anti-COVID.
Sipas tij kjo masë lehtë mund të largohet pasi asnjëherë nuk ka qenë.
Latifi ka treguar se në Kosovë mund të hyjnë lehtësisht qytetarët qe kanë dy doza të vaksinës anti-COVID por që gjithsesi nevojitet edhe testi PCR-negativ.
Këto komente ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi i bëri pas vizitës që zhvilloi në komunën e Gjakovës ku i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja për çështje të pakicave dhe të drejtat e njeriut, Emilija Rexhepi takuan kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjinin.
“Ajo masa e parë që ju e përmendët është lehtë të largohet sepse kurrë nuk ka qenë. Ne kurrë nuk kemi kërkuar me i pas tri vaksina për të hyrë në Kosovë, nëse ne i lexojmë masat me kujdes që janë të shënuara thuhet se ju mund të hyni në shtetin e Kosovës nëse keni tri vaksina, nëse i keni dy vaksina – duhet testi, ajo e treta është me iu treguar gjithë qytetarëve se mund të kalosh pa problem. Ajo është masë e hequr dhe nuk ekziston… Kjo është bërë punë e madhe por ne kurrë nuk kemi kërkuar që me qenë e domosdoshme që ju me i pas tri vaksina për të hyrë në Kosovë”, u shpreh ai.
Latifi u shpreh po ashtu se përkundër rritjes së madhe të rasteve pozitive me COVID-19 që Kosova po shënon ditëve të fundit, gjendja pandemike në vend është më e mira në rajon.
Ministri i Shëndetësisë apeloi tek qytetarët për vaksinim dhe kujdes me qëllim që të parandalohet përhapja e COVID-19, por edhe shtimi i të spitalizuarve nëpër klinikat dhe spitalet e Kosovës.
Sipas tij sistemi shëndetësor i Kosovës nuk mund të përballojë shtim të pacientëve të infektuar.
“Përkundër rritjes së numrave që i kemi këto ditë megjithatë gjendja jonë është më e mira në rajon. Por unë jam më shumë i interesuar me u krahasuar me vetveten sesa me shtetet tjera. Prandaj, ky shtim i numrit të rasteve me COVID pozitiv është rrezik me na u shtua numri i pacientëve të shumtë nëpër spitalet tona e përkundër faktit që ne kemi mjekë dhe infermierë të shkëlqyer prapë se prapë sistemi shëndetësor nuk mund të përballojë një rritje të madhe të numrit të pacientëve me COVID, prandaj lus gjithë qytetarët edhe kësaj radhe që secili prej neve të vaksinohet dhe të merr masat e duhura dhe të kenë kujdes që të mos infektojnë vetveten dhe të tjerët sepse kjo do të shkaktojë probleme të mëdha në ditët e ardhshme”, tha ai.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi po ashtu njoftoi se Kosova ka sasi të mjaftueshme të te gjitha medikamenteve që nevojiten për trajtim të pacientëve të prekur nga koronavirusi.
Zëvendëskryeministrja për çështje të pakicave dhe të drejtat e njeriut, Emilija Rexhepi u shpreh se qëllimi i kësaj vizite është të shihet se sa kanë arritur të vaksinohen qytetarët e komuniteteve pakicë.
“Jemi këtu për të parë gjendjen aktuale me COVID se si është në komunën e Gjakovës dhe për ta parë se sa janë vaksinuar gjithë komunitetet që jetojnë në Gjakovë dhe a janë të barabartë”, theksoi ajo.
Kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini u shpreh se përkundër rritjes së rasteve aktive me koronavirus edhe në Gjakovë, gjendja është e qetë në Spitalin Regjional “Isa Grezda”.
Ai po ashtu theksoi se kanë stabilitet në furnizim me barna nga lista esenciale dhe ka edhe llojllojshmëri të medikamenteve që nevojiten për trajtimin e pacientëve me COVID-19.
“Përkundër që ka rritje të rasteve sipas të gjitha gjasave ka ndikuar edhe vaksinimi i një numri të madh të qytetarëve që ne nuk kemi probleme tepër të mëdha në spitalin e Gjakovës “Isa Grezda”, besoj që njëjtë është edhe në pjesën tjetër të Kosovës. Me furnizime spitali jonë është në rregull edhe në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe në Qendrat e Mjekësisë Familjare ato që janë esenciale dhe duhen për trajtimin dhe në këtë fazë janë në sasi të mjaftueshme dhe në llojllojshmëri të mjaftueshme”, tha ai.
Në 24 orët e fundit në Kosovë janë konfirmuar me COVID-19 edhe 2 mijë e 243 raste, ndërsa dy persona kanë humbur jetën si pasojë e infektimit, njofton KP