Kuvendi ka zgjedhur tre anëtarët e Komisionit të Pavarur të Mediave. Mandati i tyre është përzgjedhur me short nga komisioni ad-hoc.
Besnik Berisha është zgjedhur me mandat katër vjeçar, ndërsa Jeton Mehmeti dhe Fatih Basha me mandat tre vjeçar. Ky i fundit bashkë me Lendrit Qelin ishin nga komuniteti jo-shumicë.
Ndërsa, katër kandidatët për anëtarë të KPM-së nga komuniteti shumicë ishin qenë Besnik Berisha, Jeton Mehmeti, Visar Xani dhe Luljetë Aliu.
Aliu ka marrë vetë 12 vota nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, pavarësisht thirrjes së saj për ta votuar.
“Sot po kërkoj votën e deputetëve”, shkroi ajo, sot në mëngjes, transmeton Gazeta Insajderi.
Por, kjo thirrje e saj nuk ra në vesh të deputetëve të Vetëvendosjes, që janë shumicë në Kuvend, pavarësisht se Aliu në opinionet e saja publike e ka përkrahur me zemër partinë e Albin Kurtit.
Madje, pikërisht për këtë çështje, ajo bëri sot një reagim të gjatë.
“Unë nuk kam qenë dhe nuk jam anëtare e asnjë partie. As nuk kam qenë kurrë militante, një fjalë që personi në fjalë parapëlqen ta përdorë, por me gjasë jo prej padijes, sepse e di shumë mirë që unë nuk jam militante, por thjesht për shkak të ndonjë interesi të veçantë personal të tij/saj”, tha Aliu shkruan Gazeta Insajderi.
Shkrimi i saj i plotë:
SOT PO E KËRKOJ VOTËN E DEPUTETËVE!
Në Kuvend, sot është planifikuar të votohet për kandidatët për Komisionin e Pavarur për Media (KPM). Kam aplikuar si anëtare në atë komision dhe dua të sqaroj disa çështje për publikun dhe deputetët. Pas kandidimit tim për atë pozitë, ka pasur kritikë nga një person që e quan veten eskpert të mediave. Meqë as personi nuk ma ka përmendur emrin, por vazhdimisht ka aluduar në mua, po e respektoj mënyrën e komunikimit edhe unë.
Kritika e parë ishte se nuk duhet të përzgjedhen si kandidatë njerëz që e kanë përkrahur ndryshimin e pushtetit. Personi në fjalë ka shkruar «njerëz që haptazi e kanë përkrahur një parti politike», por i bjen e njejta gjë, sepse po të mos e kishim kërkuar një parti tjetër sesa ato që e kanë pasë pushtetin, do të kishte qenë vazhdim i pandryshueshëm. Poashtu shtrohet pyetja, se a nuk është përkrahje vota për një parti politike, gjë që e bëjnë sigurisht edhe ata kandidatët tjerë, sikurse voton edhe vet personi në fjalë. Unë jam transparente, sepse nuk kam asgjë për të fshehur dhe nuk përfitoj nga inskenimet prapa shpinës e nga ndërskamcat.
Këtu personi në fjalë i jep vetes të drejtë të përcaktojë kritere të reja, që shkojnë përtej ligjit për KPM-në. Shtrohet pyetja a nuk e ka konsultuar ligjin, apo me qëllim manipulon me të? Ligji për KPM, neni 12 (Papajtueshmëria për të qenë anëtar i KPM-së) e përcakton qartë në paragrafin 1.4 se anëtar në KPM nuk mund të zgjedhet kandidati që «është anëtar i organit udhëheqës të një partie politike apo personat të cilët kanë qenë në këto pozita gjatë dy (2) viteve të fundit». Asnjë nen apo paragraf tjetër nuk e përmban ligji në lidhje me këtë çështje. Pra, nuk e përjashton as mundësinë e kandidimit të anëtarëve të partisë. Mbi të gjitha, nëse paskan të drejtë edhe ish-udhëheqësit e organeve udhëheqëse të partive politike të kandidojnë, athua ata sipas personit në fjalë mund të jenë më pak të ndikuar politikisht se një qytetar që e thotë haptazi se duhet të lejohet rotacioni politik?
Unë nuk kam qenë dhe nuk jam anëtare e asnjë partie. As nuk kam qenë kurrë militante, një fjalë që personi në fjalë parapëlqen ta përdorë, por me gjasë jo prej padijes, sepse e di shumë mirë që unë nuk jam militante, por thjesht për shkak të ndonjë interesi të veçantë personal të tij/saj.
Kritika tjetër e personit në fjalë ka qenë se duhet të votohen njerëz me pervojë në media. Ligji për KPM, neni 10, paragrafi 2, përcakton «Anëtarët e KPM-së duhet të jenë personalitete të dalluara të fushave të ndryshme si: kultura, arti, drejtësia, kinematografia, gazetaria, biznesi, menaxhmenti, marrëdhënie me publikun, marrëdhënie ndërkombëtare, media dhe teknologjia informative.» Pra, Ligji për KPM kërkon njerëz të fushave të ndryshme, e jo vetëm të mediave.
Minimumi që mund të presim nga një jurist/e, aq më shumë jurist/e e mediave, është që deklarimet t’i bazojë në ligj, sidomos kur ato i bën të hapura për publikun dhe mediat. Çdo gjë tjetër është manipulim, qoftë nga mosdija, qoftë për shkak të interesave tjera. Në fakt po manipulohet ligji dhe po keqpërdoren mediat për të shpërndarë informata të pabazuara dhe tendencioze, pikërisht nga dikush që gjithë kohën flet kundër këtyre dukurive dhe veten e proklamon si eksperte.
Mundësitë që ndonjë nga kandidatët të jetë i painteresuar për politikë dhe të mos votojë në zgjedhje, janë minimale, e shumë gjasa ka se janë inekzistente. Madje, për të qenë plotësisht realë, të gjithë e dijmë se secili nga kandidatët duhet të përzgjedhet në kuvend nga deputetët, dhe nuk ka shansa që të mos kenë përkrahjen e një partie politike apo të disa prej tyre.
E unë sot po e kërkoj votën e deputetëve, të të gjitha partive politike, në formë transparente! Nëse dikush është ndikuar nga personi në fjalë, dijeni se jeni duke ndjekur njerëzit e gabuar, që nuk mund ta kenë seriozisht çështjen e mbrojtjes së mediave apo të ligjit, sepse nuk e marrin fare për bazë ligjin kur dalin me deklarimet e tyre.
Unë kam aplikuar, sepse i përmbushi të gjitha kriteret, qoftë me kualifikime, qoftë me integritet. Studimet interdisiplinare në Shkenca Politike (Marrëdhënie Ndërkombëtare), Letërsi Gjermane dhe Të Drejtën Ndërkombëtare, por edhe Ekonomi, si dhe puna ime rreth legjislacionit dhe sistemit të drejtësisë më japin të drejtën të mendoj se në bazë të ligjit për KPM i përmbushi të gjitha kriteret. Nuk jam gazetare, por përvojë me media kam mjaftueshëm. Kështu që, nëse zonjës në fjalë po i pengon aq shumë kandidatura ime, atëherë duhet të jetë me kreative, sepse fatmirësisht edhe unë i njoh ligjet. Nuk mjafton të kesh mundësinë të ndikosh të disa organizata të huaja të mediave, të cilat edhe i keqinformon. Kur e quan veten ekspert i medieve duhet të kesh edhe integritet dhe profesionalizëm, e të mbetesh brenda kufijve të kërkesave të ligjit. Sepse mbi ligjin nuk mund të qëndrojnë dëshirat partikulare të personave privatë! Ligji është rregull publik. Ai vlen. E jo preferencat individuale të dikujt!