Forcat qeveritare të Bashar Al-Assadit që po luftojnë kundër xhihadistëve të ISIS-së dhe grupeve të tjera rebele në Aleppo kanë publikuar sëfundmi kopjen e pasaportës të një shqiptari që edhe më herët është raportuar të jetë vrarë prej tyre gjatë luftimeve për marrjen nën kontroll të qytetit
Për herë të parë emri i Hamit Muslija u bë publik gjatë procesit hetimor kundër grupit të 9 xhihadistëve shqiptarë të hetuar dhe dënuar tashmë në total me 109 vite burgim.
Ishte Prokuroria e Krimeve të Rënda ajo që zbardhi fillimisht emrat e 6 shqiptarëve që dyshoheshin të ishin vrarë në Siri, të cilët ishin rekrutuar pikërisht nga grupi i akuzuar për terrorizëm dhe Xhihad.
Aso kohe organi i akuzës konfirmoi se kishte marrë një raport të gjatë të dërguar nga SHISH ku, siç raporton “BalkanWeb” flitej për të gjithë procesin e kryer, rekrutimet, dërgimet në Siri, përfshirjen në luftë dhe pasojat.
Më poshtë, pjesa për Hamit Muslija, shkëputur nga materialet e raportit të SHISH:
Hamit Muslija (Ebu Enes), i biri i Veli dhe i Nurije, i datelindjes 28.09.1973, lindur ne Micoj, Puke e banues në Rrugën ‘Babë Rexha’, Tiranë, me gjendje civile i martuar. Ka dale nga PKK Rinas ne date 28.01.2013, me linjen Stamboll 1473 – 1474.
Hamit Muslija, ka udhëtuar më 28.01.2013 nga Tirana për në Stamboll, Turqi. Udhëtimi i tij është frymëzuar nga objekti Genci Balla, financuar nga shtetasi Ebu Usejd (shqiptar nen hetim) dhe me mbështetjen logjistike të objektit Bujar Hysa. Bashkë me Hamit Muslija kanë udhëtuar edhe 3 djem. Më datë 10.10.2013, Bujar Hysa u ka treguar lidhjeve të tij se: “…nga muxhahidët shqiptarë që janë në Siri, ka rënë shehid (Deshmor) vëllai mysliman me emrin fetar Ebu Enesi nga Lapraka”. Njëri nga të pranishmit u shpreh se “…Ebu Enesi është vëllai musliman Hamit Muslija…”.
Bujar Hysa është shprehur se: “Inshalla Ebu Enesi, ka rënë shehid, e ne duhet të gëzohemi për këtë gjë, të gëzohemi për të që Allahu ia mundësoi xhehnetin (parajsa) si shehid. Ne duhet të mërzitemi për vetet tona që allahu nuk na e ka mundësuar shehidllikun, e inshalla ia mundëson secilit prej nesh dhe çdo myslimani të devotshëm. Kjo është ajo që duhet të na mërzisë dhe jo vdekja e atij vëllait, se ai ka marrë gradën më të lartë te allahu, shehid inshalla”. Njoftimi për vrasjen e Hamit Muslija në internet, facebook është bërë nga antarë të grupit “Islami Feja e Vërtetë”. Në facebook është hedhur foto e mëposhtme e Ebu Enesit (Hamit Muslija), Foto 1.
Nga verifikimet rezulton që bashkëshortja e Hamit Muslisë bashkë me katër fëmijët, ka udhëtuar në drejtim të Turqisë në datën 19.07.2013, me linjën “Turkish Airlines”, TK 1473/1474 Stamboll dhe nuk rezulton të jetë kthyer. Vebije Muslija (mbiemri i vajzërisë Mehaj), e datëlindjes 05.04.1978 se bashku me femijet.
Tashmë vrasja e Hamit Musliaj është konfirmuar zyrtarisht edhe nga forcat qeveritare siriane.