-2.1 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Le Monde: Kosova fitoi pavarësinë e saj telefonike

Republika e vogël do të pajiset nga 15 dhjetori me prefiksin +383. U deshën gjashtë vjet negociata me Serbinë për të rënë dakord mbi këtë prefiks, edhe pse të dy vendet janë ende duke parë në këtë simbole kontradiktore.

“Mirë se vini në Slloveni!” Disa shfrytëzues të celularit nganjëherë priteshin në Kosovë me këtë fjali të habitshme, për shkak se ky territor prej 1.8 milion njerëz nuk e kishte deri tani kodin e vet telefonik. Që nga fundi i luftës e cila e përballi atë me Serbinë nga 1998 deri në 1999 dhe shpallja e saj e pavarësisë në 2008, Kosova përdorte ende prefiksin serb (+381) për linjën tokësore, dhe prefikset e Sllovenisë (+386) dhe të Monakos (+377) – shtet me popullsi të kufizuar, Monako mund të ndajë prefiksin e vet – për linjat mobile. Disa operatorë mobil serbë ishin po ashtu aktiv në pjesën veriorë të shtetit, ku është e koncentruar shumica e pjesëtarëve të minoritetit serb, apo 5% të popullatës.
Kështu, dy bashkëbisedues në Kosovë duheshin nganjëherë të bëjnë telefonatë ndërkombëtare për të rënë në kontakt. Çmimi ishte ai i një thirrjeje lokale. Kjo situatë do të ndryshojë shpejtë: më 15 dhjetor, pas gjashtë vite negociatash, autoritetet e Beogradit dhe Prishtinës, kryeqytetit kosovar, kanë arritur të gjejnë një marrëveshje. Kjo marrëveshje parashikon dhënien e prefiksit telefonik +383 Kosovës. Ky kod do të duhej të jetë operacional më 15 dhjetor dhe do t’i zëvendësojë tre prefikset e përdorur deri më tani.
Për autoritetet kosovare, ky prefiks ka një simbolikë të madhe, sikurse himni apo flamuri të miratuar në vitin 2008. Në të vërtetë, Kosova ende nuk është anëtare e OKB-së për shkak të vetos nga Rusia dhe Kina dhe nuk ka monedhë kombëtare (përdor euron). “Prefiksi i caktuar Kosovës shënon fundin e kodit të ish-pushtuesit serb, i cili ende përdoret në linjat fikse shtatëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës,” shpjegon Edita Tahiri, ministre e Kosovës në krye të dialogut me Beogradin. “Ai krijon një identitet dhe një sovranitet shtetëror ndërkombëtar për Kosovën në fushën e telekomunikacionit.”
Një fakt që e kundërshtojnë fuqishëm autoritetet e Beogradit, të cilat ende e konsiderojnë Kosovën si krahinë serbe. “Duke siguruar kthimin ligjor të kompanisë së telekomit serb të Kosovës dhe Metohisë, Serbia ka konsoliduar sovranitetin e saj në provincën e saj jugore,” thotë Marko Djuric, drejtori i zyrës së qeverisë serbe për Kosovën, i cili flet për një prefiks “gjeografik” dhe jo nacional.
Prefiks gjeografik apo nacional?
Në të vërtetë, operatori serb Telekom Srbija, aktiv kryesisht në veri të Kosovës, do të vazhdojë të operojë në Kosovë përmes filiales së vet Mts d.o.o., e cila do të veprojë në përputhje me legjislacionin kosovar. Një pikë që i lejon Beogradit që të përgëzojë veten për një marrëveshje e cila i kundërvihet “nacionalizimit nga ana e Kosovës të pronave të ndërmarrjeve serbe,” sipas shpjegimeve të Marko Gjuriq.
Prefiks nacional apo rajonal, dy palët megjithatë dakordohen mbi faktin se cilësia e shërbimit do të duhej të përmirësohej.  Një avantazh tjetër është se do t’i lejojë Kosovës të kursejë: sipas qeverisë kosovare, në 17 vjet, më shumë se 200 milionë Euro janë shpenzuar në kosto të shfrytëzimit të prefikseve të Sllovenisë dhe Monakos nga shteti kosovar, dhe në mënyrë indirekte, nga konsumatorët. Konkretisht, Kosova do të mund të merret nga jashtë duke thirrur +383. Por nuk do të jetë e nevojshme të përdoret ky kod nga Serbia. Operatori serb mund t’i lejojë gjithashtu shfrytëzuesve të vet në Kosovë të thërrasin në Serbi pa përdorur prefiksin serb.
Për autoritetet kosovare sikurse për ato serbe, në këtë mënyrë është ruajtur fytyra: ky është një hap drejt njohjes ndërkombëtare për palën e parë, dhe një afirmim i sovranitetit serb në Kosovë, për palën e dytë. Për analisten politike kosovare Besa Shahini, këto dy versione radikalisht të ndryshme të tekstit të njëjtë shpjegohen me principin e “ambiguitetit konstruktiv”: “Kjo do të thotë se marrëveshjet e nënshkruara qëllimisht nuk janë transparente në mënyrë që Serbia, Kosova dhe Bashkësia Evropiane të mund të japin interpretimin që u pëlqen audiencave të tyre.” E gjithë kjo në avancimin e procesit të “normalizimit të marrëdhënieve”, parakusht i integrimit evropian.
I ulur në një terasë të një kafeneje të Prishtinës, Lisi, përgjegjës për shitje i një kompanie të madhe të lëngjeve, shpreson që marrëveshja do të përmirësojë cilësinë e sinjalit mobil. Për të, çështja është mbi të gjitha simbolike: “Ne jemi të pavarur tani, pse nuk mund ta kemi prefiksin tonë telefonik?” Pak më larg, Iliri, programues i informatikës, është i një mendimi tjetër. “Nëse kjo mund të na lehtësojë jetën, gëzohem shumë, por nuk pres ndonjë ndryshim të madh, ka ende tema të tjera të hapura.”
(Autori i këtij teksti është Julie Druelle. Le Monde është gazeta më e madhe franceze dhe njëra nga më të mëdhatë dhe më të fuqishmet në botë)

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img