Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, paralajmëron se viti 2022 do të jetë shumë më sfidues sesa viti 2021, në aspektin ekonomik. Ai kërkon nga Qeveria, Parlamenti dhe të gjitha institucionet të jenë të hapura për dialog me sektorin privat.
Rukiqi ka numëruar disa arsye se pse viti 2022 do të jetë më i vështirë dhe sfidues për Kosovën shkaku i pandemisë, duke paralajmëruar edhe rënie të normës ekonomike.
“Nuk do të përsëritet vera e vitit 2021, që ishte infuzioni kryesor për shumë ndërmarrje (i ardhur nga diaspora), të dërmuara nga pandemia; Konsumi do të shënojë rënie, rrjedhimisht edhe norma e rritjes ekonomike do të jetë në rënie”, ka shkruar Rukiqi në Facebook, transmeton Telegrafi .
Më tej ai thotë se “ky dimër do të jetë më i ‘gjatë’ se tjerët, marrë parasysh problemet me furnizimin dhe çmimet e energjisë elektrike dhe çmimet e rritura në pothuajse të gjithë lëndët e para dhe produktet finale, nga kategoritë e produkteve që ne i importojmë”.
“Paparashikueshmëria me pandeminë do të vazhdojë të sjell kokëçarje për sektorin privat. Sektori privat ende nuk arrin të kuptojë, çka është vlera e vaksinimit me dy dhe tre doza, nëse të njëjtat nuk garantojnë liri të veprimit dhe kryerjes të aktivitetit biznesor. Çdo masë për kontrollimin e pandemisë, duhet të kufizojë të pavaksinuarit e jo ata që me shumë zell e respektuan thirrjen për vaksinim”, tha ai.
Rukiqi thotë se do të rritet problemi me fuqinë punëtore. “Mosgjetja e punëtorëve me shkathtësi të caktuara është si problem në rritje për të gjithë sektorët. Nëse kjo problematikë vazhdon, ne do të kemi probleme serioze me aftësinë konkurruese për eksport dhe investime”.
“Qeveria, Parlamenti dhe të gjitha institucionet duhet të jenë të hapura për dialog me sektorin privat, në adresimin e këtyre temave, por edhe shumë çështjeve tjera me rëndësi jetike për zhvilimin e vendit”, thotë Rukiqi.