Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog ka thënë se e kupton rëndësinë e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe frustrimin e kosovarëve që duan të udhëtojnë jashtë vendit, duke dhënë ca këshilla për vendin, që megjithatë thekson se i ka përmbushur të gjitha kriteret.
Në një Op-Ed të titulluar “Optimizmi do ta takojë realitetin. Rreth të ardhmes evropiane për Kosovën”, Szunyog shkruan se Kosova në këtë situatë mund të flasë me shtetet anëtare që hezitojnë ta mbështesin liberalizimin e vizave.
“Jam shumë i vetëdijshëm për rëndësinë e liberalizimit të vizave dhe e kuptoj frustrimin për faktin se njerëzit në Kosovë ende kanë nevojë për vizë për të udhëtuar në zonën Schengen. Në këtë kuptim, Komisioni Evropian mban vlerësimin e bërë në korrik 2018 se Kosova i ka përmbushur të gjitha standardet për liberalizimin e vizave. Ky propozim është në pritje në Këshill”, shkruan Szunyog.
Por shefi i BE-së në Kosovë propozon që Kosova, siç shkruan ai, “t’i shfrytëzojë” disa mundësi, duke u angazhuar në një dialog me shtetet anëtare të BE-së për ta marrë mbështetjen e nevojshme në këtë çështje.
“Kosova ka një mundësi për t’u angazhuar në një dialog me shtetet anëtare për të kërkuar mbështetjen e tyre, si dhe për të qenë e gatshme të adresojë çdo shqetësim që disa mund ta kenë ende”, shkruan Szunyog, duke shtuar se që kjo të ndodhë, Kosova duhet të vendosë – si në ligj ashtu edhe në frymë – politikat ekonomike, garancitë e sundimit të ligjit dhe standardet e nevojshme për tërheqjen e investimeve.
“Ajo që ka rëndësi janë vendimet konkrete, legjislacioni i miratuar, masat e zbatuara dhe strukturat në fuqi”, shkruan ai.
Szunyog u shpreh i lumtur me mbështetjen që qytetarët e Kosovës ia japin anëtarësimit të Kosovës në BE. Kjo tha se i jep motivim për ta vazhduar punën e tij në Kosovë dhe që ta përshpejtojë rrugën e saj drejt BE-së.
Si zhvillime pozitive të vitit të kaluar, Szunyog theksoi zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale, që ishin të administruara mirë, transparente dhe të drejta, pavarësisht disa mangësive.
“Zgjedhjet e përgjithshme rezultuan në një qeveri të fortë me një shumicë të qëndrueshme në Parlament dhe me një agjendë reformash ambicioze. Për më tepër, viti ka shënuar rritje të mirë ekonomike. Rimëkëmbja ekonomike e Kosovës ka tejkaluar parashikimet. Kosova, si shumë prej nesh, ka luftuar me pandeminë këtë vit, por po hyn në vitin e ri me nivele të ulëta të indektimeve dhe shkallë relativisht të lartë të vaksinimit. Kosova po e nis vitin me një notë të fortë dhe ka arsye për të qenë optimistë për të ardhmen”, shkruan ai.
Këtë vit, Szunyog thotë se është koha për ta përmirësuar jetën e të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Qeveria aktuale, thotë Szunyog, mund të marrë vendime të rëndësishme për këto çështje, duke u mbështetur në mundësitë e ofruara nga Bashkimi Evropian. Duke vazhduar me Raportin vjetor të Progresit për Kosovën, ai thekson se vendi duhet të zbatojë reforma konkrete.
“Kosova mund të bëjë më mirë; njerëzit meritojnë më mirë. BE-ja jo vetëm që ofron mundësi, por është gjithashtu e gatshme ta ndihmojë Kosovën në shfrytëzimin maksimal të tyre, në partneritet të ndershëm dhe respekt të ndërsjellë. BE-ja e ka mbështetur Kosovën edhe financiarisht. BE-ja është këtu për të vazhduar mbështetjen e Kosovës për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë; gjithçka varet nga përkushtimi i Kosovës”, shkruan shefi i zyrës së BE-së në Kosovë.
Procesi i anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, sipas tij, varet nga rezultatet konkrete dhe të qëndrueshme në disa çështje si sundimi i ligjit, reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, siguria, të drejtat themelore, reforma e administratës publike, zhvillimi ekonomik dhe konkurrueshmëria.
“Procesi është i gjatë dhe kompleks, por shpërblimi ia vlen: një Kosovë stabile, e begatë, demokratike dhe paqësore.”
Duke uruar, Szunyog e mbyll Op-Ed’in e tij duke shkruar se Kosova ka mundësi reale që ta bëjë të ardhmen më të mirë.
“BE-ja është e gatshme ta ndihmojë Kosovën që t’i afrohet BE-së. Por ne nuk mund ta bëjmë pa ju: në fund të fundit është zgjedhja dhe përgjegjësia e Kosovës”, shkroi ai.