Policia e Kosovës ka njoftuar se nata e vitit të ri ka kaluar kryesisht e qetë, megjithëse janë raportuar disa raste ku janë përdorur armë zjarri ‘për të festuar’ dhe incidente me lëndime të lehta nga përdorimi i pakujdesshëm i mjeteve piroteknike.
Në një komunikatë për media, Policia e Kosovës ka thënë se me rastin e festës së vitit të ri, ka hartuar dhe zbatuar urdhrin operativ, ku në pika të përgjithshme parashihej shtimi i masave të sigurisë, shtimi i prezencës policore në ambiente ku parashihet të ketë prezencë më të madhe të qytetarëve, kontrolli në trafik, kontrolli në pikat kufitare përfshirë aeroportin.
“Referuar raportimeve nga të gjitha Drejtoritë Rajonale Policore (DRP), nata e vitit të ri ka kaluar kryesisht e qetë, megjithëse janë raportuar disa raste ku janë përdorur armë zjarri ‘për të festuar’ dhe incidente me lëndime të lehta nga përdorimi i pakujdesshëm i mjeteve piroteknike”, thuhet në komunikatë.
Sipas Policisë së Kosovës, në aspektin e sigurisë në trafik, gjatë ditës së djeshme (deri në ora 00) nuk është raportuar për asnjë aksident trafiku me fatalitet.
Policia e Kosovës të gjithë qytetarëve të vendit ua uron vitin e ri 2022, të jetë edhe ky vit, vit i bashkëpunimit të qytetarëve më policinë, në të mirë të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, jetës dhe pronës.
Ndërkohë që mjeku kujdestar në Klinikën Emergjente në QKUK, Agron Çitaku ka bërë të ditur se në natën e ndërrimit të moteve, janë lënduar shtatë persona nga mjetet piroteknike dhe një person tjetër nga plumbi qorr.