4.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Haradinaj u bënë thirrje serbëve të Kosovës të distancohen nga gjuha e urrejtjes ndëretnike

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, i ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të distancohen nga secili person që mundohet t’i rikthejë në të kaluarën përmes gjuhës së urrejtjes ndëretnike.

“Kosova u ndërtua me shumë vuajtje, dhembje e sakrifica. Pas luftës së përgjakshme, ajo gjeti forcën dhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar konsolidoi demokracinë dhe krijoi një ambient ku shqiptarët dhe komunitetet pakicë, të jetojnë bashkë në paqe e harmoni” – shkroi Haradinaj duke shtuar se “fatkeqësisht, investimin shumëvjeçar në Kosovë, kohë pas kohe janë munduar ta cenojnë personazhe të shumtë me gjuhë të urrejtjes, siç është rasti i fundit i ministrit serb Vulin”.

Haradinaj ka rikujtuar faktin se për shkak të një gjuhe të tillë, kishte shkarkuar 2 anëtarë serbë të kabinetit të tij gjatë kohës kur shërbente si kryeministër i vendit.

“Në Kosovë, ne ju kemi dhënë përgjigjen e duhur zërave të tillë. Gjatë mandatit tim si kryeministër i vendit, në vitin 2019, kam shkarkuar ministrin e Administratës dhe Pushtetit Lokal Ivan Teodosijeviq dhe zv.ministren e Drejtësisë Vesna Mikiq, për shkak të gjuhës së tyre që ishte në kundërshtim me frymën kushtetuese dhe përpjekjet e popullit të Kosovës për liri e demokraci” – theksoi Haradinaj.

Ai bëri thirrje që këtë standard ta respektojë secila qeveri, që të mos shkatërrohet investimi shumëvjeçar në konsolidimin e demokracisë dhe bashkëjetesës në vend.

“Këtë standard që e vendosëm atëherë, duhet ta respektojë secila qeveri, duke mos lejuar asnjërin që të tentojë të shkatërrojë investimin shumëvjeçar. Orientimi ynë, vazhdon të mbetet bashkëjetesa mes shqiptarëve dhe të gjitha grupeve etnike pakicë, që Kosova të jetë shtet i të gjithë qytetarëve të saj e që respekton të drejtat e secilit. Në fund, iu bëj thirrje serbëve të Kosovës, që të distancohen nga gjuha e urrejtjes ndëretnike dhe nga secili person që mundohet t’i rikthejë në të kaluarën” – ka përfunduar kreu i AAK-së dhe ish kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img