3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

KMDLNJ: Edhe BE-ja po i shkel të drejtat e njeriut në Kosovë

Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, e cila shënohet sot në mbarë botën, e gjen Kosovën në nivelin më të ulët të respektimit të të drejtave të njeriut, thonë përfaqësues të organizatave që merren me këto çështje.
Behxhet Shala, drejtor ekzekutiv në Këshillin për Mbrojtjen Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut vazhdon të mbetet çështje sfiduese për autoritetet në vend.

“Sa i përket të drejtave të njeriut, Kosova qëndron ashtu siç qëndron edhe shteti, një shtet, i cili nuk ka një bazë të fortë materiale, një shtet i cili nuk ka mundësi t’i ofrojë qytetarëve një shëndetësi të mirë, një arsim të mirë, një vend pune, një mirëqenie për fëmijët. Një shtet që nuk ka mundësi të ofrojë projekte zhvillimore, e ka problem të jetë garantues i të drejtave të njeriut”, thekson Shala.

Sipas tij, shkelje të të drejtave të njeriut ka gati në të gjitha fushat në Kosovë dhe autoritetet e vendit janë treguar të pafuqishme në garantimin e të drejtave që qytetarëve të këtij vendi.
“Të drejtat e njeriut në Kosovë shkelen duke filluar nga të drejtat e fëmijëve, e drejta e personave të moshuar, e drejta e personave me aftësi të kufizuar, e drejtave e personave me liri të privuar, e drejta për drejtësi, e drejta për një vend pune, të drejtat e femrave për trashëgimi…. ”, thekson Shala.
Shala konsideron se të drejtat e qytetarëve të Kosovës po shkelen edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë në këtë rast, siç thotë ai, nga Bashkimi Evropian, për shkak të mohimit të së drejtës së lëvizjes së lirë pa viza.
“E drejta e lirisë së lëvizjes është e drejtë elementare, e cila po i mohohet Kosovës pikërisht nga Bashkimi Evropian, vetëm Kosovën e ka lënë në një tunel pa dalje”, thotë Shala.
Përveç organizatave vendore, edhe ato ndërkombëtare që merren me të drejtat e njeriut, disa herë kanë tërhequr vërejtjen për mosrespektim të duhur të të drejtave të njeriut në Kosovë.
Organizatat ndërkombëtare, kryesisht kanë përmendur dështimet në sistemin e drejtësisë dhe mungesën e zbatimit të ligjeve në fuqi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut në Kosovë janë organizuar aktivitete të ndryshme.
Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS), e përkrahur nga Civil Rights Defenders përmes një aksioni simbolik kanë trajtuar shkeljen e të drejtave të fëmijëve në sistemin arsimor.
Trina Binaku nga kjo organizatë një prononcim për Radion Evropa e Lirë thekson se fëmijët në Kosovë janë ata, të cilëve iu shkelen të drejtat më së shumti.
Ajo shton se sistemi arsimor duhet të jetë i drejtë, i gjithëpërfshirës dhe të mos promovojë diskriminim.
“Ne mendojmë që shkelja e të drejtave të njeriut në Kosovë është mjaft e lartë, por më e përhapur është shkelja e të drejtave në sistemin arsimor, duke filluar nga dhuna emocionale, psikologjike dhe fizike, ndarja në bazë të racës dhe etnisë, po ashtu pamundësia e personave me aftësi të kufizuar që të kenë qasje në shkolla, gjuha diskriminuese në tekstet shkollore, mungesa e hapësirave në shkolla”, thekson ajo.
Edhe qytetarët thonë të ketë shkelje të të drejtave të njeriut në Kosovë. Digjen Fetahu qytetar thotë të mos jetë i kënaqur me respektimin e të të drejtave të njeriu në Kosovë.
“Nëse flasim për shkelje të të drejtave të njeriut në Kosovë mund të themi që janë të mëdha, ndërkaq se a është punuar për mos- shkeljen e të drejtave nuk mund të the se është punuar shumë në këtë aspekt. Çdo shkelje e të drejtave të njeriut është alarmante dhe shqetësuese”, thotë ai.
Çdo vit,më 10 dhjetor,shënohet dita kur në vitin 1948, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, e hapi sesionin për miratimin e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img