Zotëriu i Parë i shtetit, Prindon Sadriu, duket se ishte një prej diplomatëve më të privilegjuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme edhe para se të ngarkohej me punët e ambasadorit në misionin diplomatik në Shkup.
Sadriut nuk i ishin rimburësuar pjesërisht vetëm shpenzimet mjekësore për trajtimin e infektimit me Covid-19, por edhe shpenzimet e derivateve për vajtje-ardhjet e tij nga Prishtina në Shkup dhe anasjelltas, pasi që nuk ishte akomoduar atje për shkak të “specifikave familjare dhe atyre të sigurisë”.
Demokracia.com ka siguruar edhe një kërkesë tjetër të Prindon Sadriut, të bërë më 10 mars 2020, për aprovimin e shpenzimeve të derivateve për shkuarjen e tij në punë në Shkup.
Kjo kërkesë ishte aprovuar nga Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të MPJ-së në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ 01/2018 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Udhëzimit Administrativ nr. 03/2012 për Shpenzimet Personale dhe Operacionale në Misionet Diplomatike dhe Konsullore të Republikës së Kosovës.
Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të MPJ-së përmes një emaili, më 2 mars 2020, asokohe i kishte kërkuar Ambasadorit të Kosovës në Shkup, Gjergj Dedajt, që t’ia ofronte Prindon Sadriut mundësinë e shfrytëzimit të karburantit përmes procedurave të ambasadës, deri në gjetjen e banesës për akomodim.