3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Këto janë kushtet e Listës Srpska për kthim në Kuvend!

Ende nuk janë pjekur kushtet që deputetët e Listës Serbe të kthehen në Kuvendin e Kosovës që ta kryejnë punën e tyre normalisht, vlerësojnë zyrtarët e këtij subjekti politik parlamentar, i cili përfaqëson komunitetin serb në institucionet e Kosovës.
Slavko Simiq, kryetar i Listës Serbe, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që përfaqësuesit e kësaj liste në institucione, e kanë vullnetin që të kthehen në institucione dhe po presin, siç thotë ai, krijimin e kushteve normale për një kthim të tillë në Kuvend.
Kjo për faktin se, sipas tij, legjislativi dhe ekzekutivi nuk e kanë legjimitetin e mjaftueshëm në qoftë se në të nuk marrin pjesë përfaqësuesit e komunitetit serb, gjë e cila është e garantuar edhe me Kushtetutën e Kosovës.

Më 15 dhjetor të këtij viti, pritet të hyjë në fuqi zbatimi i marrëveshjes për telekomunikimin, e cila është arritur së fundmi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun e Brukselit. Kjo datë, sipas Simiqit, do të jetë pikënisje për të shkrirë edhe ngecjen e fillimit të zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Sigurisht që në rast se do të ndodhë diçka pozitive në këtë drejtim dhe në qoftë se shkrihet procesi i formimit të Bashkësisë së komunave serbe, sigurisht që kjo do të ishte një lëvizje dhe hap pozitiv që deputetët e bashkësisë serbe të kthehen dhe të bisedojnë me partnerët e tyre të koalicionit, t’i definojnë mjaft gjëra dhe çështje, të cilat janë me rëndësi esenciale për bashkësinë serbe. Pas kësaj, edhe të sjellim vendimin për pjesëmarrjen tonë në institucione”, tha Simiq.
Në anën tjetër, Faton Abdullahu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë që komunikimi me përfaqësuesit e Listës Serbe është i vazhdueshëm. Sipas tij, përkundër deklarimeve të Listës Serbe për pjesëmarrje në institucione, të gjithë ata që janë nga kjo listë dhe që kanë marrë pjesë në konstituimin e qeverisë, nuk e kanë ndërprerë praninë e tyre në institucione.
“Të gjithë ata që janë në një ose në mënyrë tjetër, të përfshirë në qeverisje, vazhdojnë të jenë pjesëmarrës, në forma të ndryshme. Pra, të dalin në vende të punës, në dikastere në të ndryshme qeveritare, ndërkohë që nuk dalin vetëm në mbledhjet e qeverisë. Pra, ata janë aktivë, gjë që është e mirë, aq më shumë që na e bëjnë të mundshëm komunikimin e vazhdueshëm dhe që të arrijmë deri te ajo fazë ku nuk do të kemi çfarëdo, siç thuhet, ‘ngrirje’”, tha Abdullahu.
Mos-shkëputjen e komunikimit ndërmjet partnerëve të koalicionit qeveritar, Abdullahu e sheh si mundësi pozitive që të shqyrtohen vërejtjet dhe qasjet që kanë përfaqësuesit e Listës Serbe lidhur me situatën e krijuar me “ngrirjen” e pjesëmarrjes së tyre në institucionet qendrore.
Por, a është kusht krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që përfaqësuesit e Listës Serbe të heqin dorë nga “ngrirja’ e pjesëmarrjes së tyre në institucionet qendrore?
Simiq ka hedhur poshtë se kjo mund të jetë kusht. Sipas tij, themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe e kanë obligim autoritetet e Kosovës. Por, sipas tij, komuniteti serb dëshiron që të nis ky proces dhe në rast se ai fillon, atëherë edhe deputetët serb janë të obliguar të kthehen në institucione, për të marrë pjesë në përpilimin e statutit të Asociacionit dhe që atë ta inkorporojnë në mënyrë ligjore.
“Ky nuk mund të jetë kusht, në asnjë mënyrë. Por, thjeshtë, ky mund të jetë një tregues dhe një vullnet i mirë në qoftë se ‘shkrihet’ dhe niset ky proces”, tha Simiq.
Miratimi i Ligjit për Trepçën dhe Ligjit për investime strategjike nga Kuvendi i Kosovës, në tetor të këtij viti, kanë bërë që përfaqësuesit e Listës Serbe ta ‘ngrijnë’ pjesëmarrjen e tyre në ekzekutiv dhe legjislativ, duke thënë se miratimi i atyre ligjeve nga Kuvendi i Kosovës, nuk i mbron, siç i kanë quajtur ata, interesat vitale të komunitetit serb.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img