Deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama pas mbledhjes së përbashkët të dy, Shqipërisë dhe Kosovës, se do të votonte bashkimin mes Shqipërisë dhe Kosovës ka zënë vend në titujt kryesor të mediave në Serbi.
Mediat serbe duke cituar kryeministrin shqiptar kanë komentuar deklaratën e tij dhënë sot në Elbasan pas takimit të dy qeverive.
Mediat serbe, pothuajse në kor, kanë dalë me titujt: “Rama: ‘Do të bashkohen Shqipëria dhe Kosova, por nuk e di kur’”, transmeton Telegrafi.
Rama tha sot se do të votonte hapur pro bashkimit me Kosovën dhe sipas tij një gjë e tillë do të ndodhë, por kur e si nuk e di.
“Kjo është pyetje a provokim. Në rast se më pyesni në hipotezën e një referendumi paqësor për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën do të bëja një shkelje të Ligjit për fshehtësinë e votës, do të votoja hapur pro.
Tani në rast se më pyesni a do të ndodhë kjo apo jo, meqë më provokoni po provokoj edhe unë them se kjo do të ndodhë, nuk di kur do të ndodhë, si, por që kjo do të ndodhë një ditë, unë them që po”, ka thënë Rama.
Për bashkimin kombëtar u deklarua edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Më dua më duket më shumë mos kuptim se keqkuptim. Bashkim kombëtar nuk është gjësend që e përzgjedhim ose zgjedhim, por një intencë kolektive që na zgjedh dhe përzgjedh.. prandaj nuk mund të vendosim ne mbi procese të tilla historike e të përcaktojmë data e mënyra…”, tha ai.