Një grabitje ka ndodhur mbrëmë në marketin “Kam” i cili gjendet në rrugën “Isa Kastrati” në Prishtinë.
Këtë e bëri të ditur edhe Flora Ahmeti, zëdhënëse në Policinë e Kosovës.
“Rreth orës 21:20 është raportuar për një grabitje të ndodhur në një market në rrugën “Isa Kastrati” në Prishtinë”.
“Pas marrjes së informacionit policia ka dalë në vendngjarje dhe bazuar në informacionet e para dyshohet që grabitja të jetë kryer nga tre persona”.
“Policia ka iniciuar një hetim lidhur me rastin dhe ka nisur me ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme policore me qëllim zbardhjen e rrethanave të rastit”,ka thënë Ahmeti,
Nga informacionet e deritanishme akoma nuk dihet se a ka ndonjë person të lënduar. Klan Kosova ka provuar të kontaktojë me menaxherët e këtij marketi por nuk janë përgjigjur.
Qytetarë të asaj zone për ekipin e Klan Kosovës që ishte në terren kanë deklaruar se punonjësit e këtij marketi ishin terrorizuar nga ajo çfarë kishte ndodhur.