Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosjes në Komunën e Gjilanit, Alban Hyseni ka shpallur fitoren duke thënë se “ia dolën” dhe se Gjilani nuk do të jetë më në harresë, shkruan Gazeta Insajderi.
Hyseni tha se tash e tutje, LVV do të bashkëqeveris në çdo lagje, çdo fshat, për të gjitha moshat, për të gjitha shtresat, për të gjitha komunitetet, për të gjitha bizneset, e mbi të gjitha për të gjithë qytetarët e Gjilanit
Shkrimi i plotë:
E kemi nisë këtë fushatë me bindjen se do sjellim një ndryshim historik në Gjilan. E ne, ia dolëm. Na motivoi Gjilani i lënë për shumë vitë në harresë, e tash kjo kohë ka marrë fund. Çdo problem që është shkaktu tash e sa vite ka një zgjidhje, e çdo kohe pas lënies në harresë e humbjes së shpresës, i vjen dita e ndryshimit, dita e lulëzimit të fitores së re. Ju e dëshmuat se ndryshimi jeni ju, e vetmja që na duhet tash është durimi që bashkërisht të i ndërtojmë ditët e mira.
Jemi të sigurtë në projektet e programet që i kemi, e që bashkë t’ia nisim rrugës për ngritjen e përfundimin e tyre. Ne nuk kemi premtuar të pamundurën, ne nuk premtojmë gjëra të parealizueshme. Ne kemi premtuar të pamundurën që shohim sot, por që e kthejmë në realitet, me shumë punë e përkushtim. Nuk ka më pritje, tash e tutje të ardhmen e ndërtojmë bashkë.
Qeverisja jonë është gjithëpërfshirëse e si e tillë, tash e tutje, bashkëqeverisim në çdo lagje, çdo fshat, për të gjitha moshat, për të gjitha shtresat, për të gjitha komunitetet, për të gjitha bizneset, e mbi të gjitha për të gjithë qytetarët e Gjilanit. Ju, mund të mbështeteni në zanin e ri e udhëheqjen e re që e sollëm bashkë.