Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se nesër në ora 13:00 do t’i hap lokalet që sonte janë mbyllur nga AUV për shkak të shkeljes së masave antiCovid.
Këto komente Haziri i ka bërë në një lidhje direkte për Kanal 10.
I pari i komës së Gjilanit edhe më herët ka reaguar ashpër qeverisë së Kosovës pas mbylljes së disa lokaleve në qytetin e Gjilanit duke thënë se “nuk e pranon represionin dhe mbylljen e dhunshme të lokaleve”.
Haziri ka qenë i ashpër duke shkruar se “Njësitë ndëshkuese të qeverisë së Republikës kanë mbyllur restorante e kafiteri, përfshirë Maroa e Mono, duke ndëshkuar bizneset familjare në Gjilan pa asnjë arsye të qëndrueshme ligjore, duke anashkaluar inspekcionin e Komunës dhe kryeshefin ekzekutiv të Komitetit për parandalimin e përhapjes së COVID-19, kryetarin e Komunës.”
Ai i ka bërë thirrje organeve të qeverisë siç shkruan “të mos sillen me ‘shkopin’ e ligjit”, duke shtuar se Gjilani “ka zot shpije”.
“Deri nesër në mesditë kërkoj të largohen masat parandaluese. Harrojeni që e ngulfatni Gjilanin në zgjedhje sepse s’mund të fitoni me dhunë. I vetmi përfaqësues zyrtar sipas ligjit për emergjenca civile, ku përfshihen edhe institucionet tjera vartëse, në këtë rast edhe në pandemi, është kryetari i Komunës, i cili është kryeshef ekzekutiv, pa autorizimin e të cilit s’mund t’i hapni e mbyllni asnjë lloj biznesi.”, shkruan Haziri.